Kujdes me celularet jane plot baktere patogjene

Kujdes me celularet, jane plot baktere patogjene
Të dhënat e fundit vijnë nga një studim londinez, që tregon hapur se sa të “rrezikshëm” për shëndetin janë celularët, për shkak të baktereve patogjene që përmbajnë, mes të cilëve edhe Escherichia Coli. Mënyra e vetme për t’i larguar? Larja e vazhdueshme e duarve...

Askush prej nesh nuk mund të dalë nga shtëpia në mëngjes pa u siguruar mirë se në çantë ka portofolin dhe celularin, dy gjërat kryesore për ta nisur ditën mbarë. Por edhe nëse mungon i pari, pra portofoli, i dyti, në këtë rast, celulari, duhet të jetë gjithnjë i pranishëm. I shndërruar në një mjet të domosdoshëm të jetës sonë, celularët janë ata që na shoqërojnë kudo që shkojmë, në çdo moment të ditës, madje edhe në tualet. Pavarësisht paralajmërimeve se ata janë plot baktere të dëmshme për shëndetin, askush nuk i ka kushtuar vërtet vëmendje këtij lajmi. Të dhënat e fundit vijnë nga një studim londinez, që tregon hapur se sa të “rrezikshëm” për shëndetin janë ata, për shkak të baktereve patogjene që përmbajnë, mes të cilëve edhe Escherichia Coli.

Studimi londinez

Një celular në gjashtë u gjend i infektuar nga një numër shumë i madh bakteresh, mes të cilave edhe ato fekale, aq sa mund të krahasohet lehtësisht edhe me WC-në. Kërkimi i formave të ndryshme të jetës në botë të paeksploruara më parë rezervon edhe surpriza të pakëndshme: ky është rasti i celularëve në sipërfaqen e të cilëve janë gjetur gjurmë jete. Por nuk është kjo lloj “jete” që na jep kënaqësi kur dëgjojmë që zbulohet. E në fakt bëhet fjalë për baktere patogjene, si ato fekale, mes të cilëve edhe i famshmi “bakteri vrasës”, Escherichia Coli. Ata që krahasuan celularët ishin kërkuesit britanikë të “London School of Hygiene & Tropical Medicine” dhe “Queen Mary University”. Shkencëtarët i kanë shpërndarë rezultatet e kërkimit në Ditën Botërore të Larjes së Duarve, dhe pikërisht këtyre të fundit duket se i atribuohet faji se përse celularët janë kaq të pistë.

Sipas kërkuesve, përhapja e këtyre baktereve patogjene lidhet me zakonin e keq të moslarjes së duarve, sidomos pas daljes nga tualeti. Një zakon i keq, që i shtohet edhe ai i gënjeshtrës mbi zakonet higjienike të britanikëve. Për të zbuluar format e jetës në telefona, kërkuesit morën rreth 390 kampionë nga duart dhe celularët e ndryshëm në rreth 12 qytete të Mbretërisë së Bashkuar. Personave që iu nënshtruan këtyre iniciativave, për marrjen e kampionëve analizues, kërkuesit i bënë edhe një sërë pyetjesh rreth zakoneve higjienike dhe larjes së duarve. Pas kësaj, vazhduan me analizimin e kampionëve të përzgjedhur. Nga rezultatet e analizave doli se si “të përzgjedhurit” ishin pak të sinqertë: në fakt edhe pse 95 për qind e të intervistuarve kishin siguruar se i lanin duart me sapun, sa herë mundeshin, 92 për qind e celularëve dhe 82 për qind e duarve të analizuara rezultuan të kontaminuara nga bakteret. Por e dhëna më shqetësuese është se në rreth 16 për qind të duarve dhe telefonave u gjet një lloj bakteri i njohur ndryshe si bakteri vrasës, apo E. Coli. Eksperti i higjienës në “London School of Hygiene & Tropical Medicine”, doktor Val Curtis, i ka komentuar kështu rezultatet: “Ky studim jep prova të tjera me rëndësi, për faktin se disa persona ende nuk i lajnë duart ashtu siç duhet, sidomos pasi kanë shkuar në banjë. Shpresoj që frika për bakterin

E. Coli në duar dhe telefona t’i inkurajojë të bëjnë më shumë kujdes. Të lash duart me sapun është diçka e thjeshtë për t’u bërë, por mbi të gjitha, në gjendje të shpëtojë shumë jetë njerëzish”. Mes sëmundjeve të lidhura me këtë bakter, mund të përmendet edhe polmoniti dhe diarreja që vret më shumë se 3.5 milionë fëmijë nën moshën 5 vjeç në të gjithë botën. Por ai influencon edhe në sëmundje të tjera virale. Me këtë studim studiuesit shpresojnë që njerëzit, në njëfarë kuptimi, të alarmohen dhe të kujtohen të lajnë duart pas çdo shërbimi që lidhet me higjienën vetjake.

Studime të mëparshme

Në të vërtetë nuk është hera e parë që celularët akuzohen se janë mbartës të sëmundjeve, për shkak të grumbullimit të baktereve, që është e vështirë për t’u “larguar”: në vitin 2010 bëri bujë studimi që tregoi se kishte më shumë baktere në celular se sa në tualet, por i njëjti fat i përkiste edhe tastierës së kompjuterit personal, karrocave të supermarketit apo karriget për fëmijë në restorantet amerikanë. Në të gjitha rastet, bakteret kalojnë gjithmonë nga duart, që sapo “transportohen” në një sipërfaqe të tillë si ajo e celularit, e vështirë për t’u larë, ku grumbullohen dhe vazhdojnë të jetojnë, shkojnë sërish në lëkurë (në duar, vesh, apo gojë).

Larja e duarve

Mënyra e vetme për t’i larguar këto baktere? Të lash duart mirë dhe shumë shpesh, me sapun dhe ujë të rrjedhshëm. Jo më kot çdo 15 tetor festohet Dita Botërore e Larjes së Duarve, sponsorizuar nga kompani të mëdha, shoqata dhe organizata botërore për shëndetin (si UNICEF apo programi shëndetësor i Bankës Botërore), për t’u kujtuar të gjithëve se larja e duarve është mënyra më e mirë për parandalimin e shumë sëmundjeve e sidomos infeksioneve. Nga ana tjetër dihet që shumë baktere kanë zhvilluar një rezistencë të dukshme ndaj antibiotikëve, ndaj është e rëndësishme të parandalohen vetëm përmes higjienës së larjes së duarve. Ky rregull që vlen për të gjithë, duhet të zbatohet me përpikërinë më të madhe për personat me sistem imunitar të dobët.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama