Nivelet e larta të vitaminës D, shpesh të rekomanduara nga mjekët, nuk janë më të mjaftueshme, madje mund të rezultojnë krejtësisht të dëmshme për shëndetin. Kështu ka deklaruar një komision ekspertësh, duke shtuar se edhe integratorët e kalciumit nuk janë të nevojshëm. Sipas studiuesve, pothuajse të gjithë ne kemi sasi të përshtatshme vitamine D në organizëm, të marra përmes ushqimit dhe burimeve natyrore, si për shembull ekspozimi në diell. Profesori Clifford J. Rosen, specialist i osteoporozës në “Maine Medical Center Research Institute”, shpjegon se “për pjesën më të madhe të njerëzve, marrja e një sasie të madhe kalciumi dhe vitamine D nuk rekomandohet aspak”. Profesor J. Christopher Gallagher, drejtor i departamentit të metabolizmit kockor të Fakultetit të Mjekësisë në Ceighton University në Omaha, Nebraskë sqaron: “Përgjegjësia për të treguar se bëhet fjalë për diçka të sigurt bie mbi ata persona që u rekomandojnë njerëzve marrjen e dozave shtesë të vitaminës D dhe kalciumit”.
Në vitet e fundit ka bërë rrugë ideja se pothuajse të gjithë njerëzit kanë nevojë të marrin kalcium dhe vitaminë D shtesë. Në rastin e kalciumit, ndoshta i vetmi grup që merr shumë pak është ai i adoleshentëve. Përkundrazi gratë e moshuara marrin sasi shumë të mëdha, duke anashkaluar rrezikun e sëmundjeve të veshkave apo atyre kardiovaskulare, shkruajnë ekspertët. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mes viteve 2008 dhe 2009, shitjet e vitaminës D janë rritur me 82 për qind, duke arritur një xhiro vjetore prej 430 milionë dollarësh. “Të gjithë shpresojnë se vitamina D është një lloj ilaçi për të gjitha të këqijat”, komenton Dennis Black, docent i Epidemiologjisë në Universitetin e Kalifornisë, San Francisko, duke uruar që raporti i studiuesve të ndalojë këtë mani. Komisioni i 14 kërkuesve u ngrit nga Instituti i Mjekësisë, një ent shkencor i pavarur e jo fitimprurës, me kërkesën e qeverisë amerikane dhe asaj kanadeze. Ekspertëve iu kërkua të ekzaminonin të dhënat e disponueshme, pothuajse një mijë publikime, për të vendosur sa vitaminë D dhe sa kalcium merr popullsia, cila është doza e duhur për një shëndet optimal dhe në cilin rast mund të flitet për marrje të tepruar të saj.
Kalciumi dhe vitamina D ndërveprojnë dhe konkurrojnë për shëndetin e mirë të aparatit kockor: ky i fundit është vetëm një prej dobive që i atribuohen vitaminës D dhe për momentin nuk ka prova të mjaftueshme për t’i bashkëngjitur funksione të tjera, sipas fjalëve të komisionit. Disa laboratorë kanë nisur t’i përcaktojnë si të papërshtatshme nivelet më të ulëta se 30 nanogramë të vitaminës D për një mililitër gjak. Në bazë të një parametri të tillë, 80 për qind e popullsisë ka mungesë vitamine D. Përkundrazi komisioni ka arritur në përfundimin se një nivel 20-30 nanogramësh vitamine D për një mililitër gjak është më shumë se i mjaftueshëm dhe pothuajse e gjithë popullsia futet në këtë parametër.
Paul R. Thomas i Departamentit të Integratorëve dietikë në “Health National Institute”, tregon se tashmë vitamina D gjendet në një numër gjithmonë e më të madh ushqimesh dhe nuk është e vështirë të gjesh integratorë që përmbajnë 5000 njësi. Por sipas komisionit, duhen vetëm 600 në ditë. Ndërkaq kërkuesit vëzhguan se pjesa më e madhe e popullsisë merr sasi të mjaftueshme kalciumi nga ushqyerja, rreth 1000 miligramë në ditë për të rriturit dhe 1200 për gratë nga 51 në 70 vjeç.
Kështu që rritja e sasisë së marrjes së vitaminës D, bëhet çështje komplekse. Në vija të përgjithshme, pjesa më e madhe e njerëzve ka sasi të mjaftueshme të saj në gjak, që ka shumë mundësi ta marrë gjatë ekspozimit në diell, duke e “magazinuar” në organizëm. Shoqëria amerikane për kërkimet mbi kockat dhe grupe të tjera e kanë pritur me shumë pozitivitet studimin. Nuk është e qartë se si dhe përse nisi të flitej për nivele më të larta të vitaminës D. Më parë ishin dy studime që dolën të gabuara, ku thuhej se ishin të nevojshme 30 nanogramë të vitaminës D për një mililitër gjak, ajo që sipas gjykimit të komisionit është faktikisht pragu maksimal.
Më pas u publikuan artikujt e tjerë dhe librat ku thuhej se sasia e nevojshme e vitaminës D duhet të ishte e barabartë apo më e madhe se 40 apo 50 nanogramë. Pasi riekzaminoi të gjitha të dhënat, komisioni arriti në përfundimin se provat për aspekte pozitive të lidhura me nivelet e larta të kësaj vitamine ishin “ikohorente dhe/ose konfliktuale dhe nuk tregonin një raport shkak-efekt”. Studimet sugjerojë se nivelet shumë të larta të vitaminës D lidhen me rritje të rrezikut për faturat kockore dhe rrezikut të vdekjes gjenerike, përveç rritjes së rrezikut për sëmundje të tjera. “Të gjithë mendonim se sa më shumë, aq më mirë, por e kemi pasur gabim. Tani duhet të jemi të gjithë më të kujdesshëm”, përfundojnë shkencëtarët.
Vitamina D luan rol në përthithjen e kalciumit dhe si rrjedhim është jo vetëm e rëndësishme në formimin e kockave, por gjithashtu për funksionimin e duhur të nervave. Mungesa e vitaminës D mund të shkaktojë rakitizmin dhe sëmundje të tjera të kockave, prishjen e dhëmbëve dhe të mishit të dhëmbëve, nervozizëm pa shkak dhe pagjumësi. Vitamina D mund të formohet në lëkurë nga kontakti i rrezeve ultravjollcë nga dielli, por gjithashtu ajo gjendet në sasi të mëdha në qumësht dhe gjalpë.