Të gjithëve na ka ndodhur të mendohemi gjatë për një problem që na shqetëson dhe të mos arrijmë të gjejmë një zgjidhje. Por tashmë nuk duhet të shqetësoheni, sepse e keni një alternativë: konsultohuni me një profesionist, pasi ai do t’iu ndihmojë të përballoni periudhën e vështirë që po kaloni.
Ju do të pyesni se çfarë duhet bërë kur na paraqitet një vështirësi tjetër, të cilën nuk e kishim parashikuar? Me kë të konsultohemi? Nga ta dimë që personi me të cilin po flasin po na dëgjon dhe do të na japë një këshillë të vlefshme? Kujt duhet t’i drejtohemi, një psikologu, psikiatri, psikoterapeuti apo një psikoanalisti? Duken pyetje banale, por personave që kanë qenë në vështirësi, u është dashur medoemos të përballen me këtë vështirësi. Ndoshta, para se të merrnit një vendim të rëndësishëm do të ishte e udhës të njihnit mirë se kush janë ekzaktësisht këto figura profesionale, çfarë i karakterizon dhe në cilat terrene operojnë? Ja një udhëzues i vogël që mund t’ju ndihmojë.
Ajo që vlen më shumë është premtimi që i bëjmë vetes: të shkosh te psikologu është një zgjedhje që nuk lind në mënyrë natyrale. Zakonisht nevoja lind kur zbulon se as rrethi shoqëror i të afërmve, miqve dhe prindërit, nuk mund të ta largojnë atë ndjesi të keqe që të bën të vuash dhe duke qenë në këtë situatë nuk arrijmë të gjejmë as shkakun dhe as zgjidhjen. Arrijmë ta kuptojmë se nuk mund të vazhdojmë kështu dhe këshillat e zakonshme të tipit “Duhet t’i hedhësh gjërat pas krahëve”, ndoshta të shoqëruara edhe nga një dhembshuri që ndien për veten, bëhen edhe më të pavlefshme. Te profesionisti shkohet jo vetëm për t’i bërë ballë një lufte apo dëshpërimi, por edhe për sjelljet, bllokimet e papritura që duken sikur nuk kanë ndonjë shkak, por që përsëriten me kalimin e kohës. Një mbështetje psikologjike mund të jetë e vlefshme jo vetëm për të kapërcyer me vetëdije të plotë një krizë personale, por edhe për të kuptuar më mirë realitetin familjar ose profesional.
Pasi kemi marrë e dhënë me veten për të kërkuar më në fund ndihmën e specialistit, na shqetëson një tjetër mëdyshje: cilin profesionist të zgjedhim mes psikologut, psikoterapeutit, psikoanalistit dhe psikiatrit? Shpesh këto figura nuk janë shumë të njohura dhe një “etiketë” mund të përdoret gabimisht si sinonim i këtyre profesioneve tepër të ndryshme nga njëra-tjetra si nga ana profesionale edhe fushën në të cilën janë të specializuar.