Kujt i duhet nje Kategori e Pare e tille?

Kujt i duhet një Kategori e Parë e tillë?

Nga YLLI AGA

ylli_agaGara e zhvilluar në Kategorinë e Parë, nuk është e njëjtë në sytë e opinionit sportiv. Të paktën jo aq sa Superiorja.

Megjithatë, falë mbulimit të bërë nga shtypi i shkruar dhe veçanërisht emisioneve të dedikuara në disa TV, shumëkush ka krijuar një opinion për këtë kompeticion, që, përveçse përpjekjeve të disa klubeve për të ndërtuar projekte të mirëfillta sportive, në shumicën e tyre përmbledhin të gjithë problematikën që hasin në përditshmërinë tonë.

Nga dështimi për përmbushjen e detyrimeve për organizimin e ndeshjeve, kushteve të papërshtatshme për të luajtur një ndeshjeve futbolli e deri te dhuna dhe paracaktimi i rezultateve teknike.

Po nga vijnë të gjitha këto problematika?

Formula e gabuar e kampionatit Shqipëria është vendi i vetëm në Europë, që garën sportive në Kategorinë e Parë e ka të ndarë në dy grupe dhe një zgjedhje e tillë e ka denatyralizuar konkurrimin, pasi çon në Superiore një skuadër të Veriut dhe një të Jugut, ndërkohë që për merita mund të ngjiten dy ekipe të secilës pjesë gjeografike.

Shqipëria është gjithashtu vendi i vetëm që ka dyfishin e ekipeve në këtë kategori, të krahasuar me atë më të lartën. Dëshira për të bërë sa më shumë klube të kënaqura, ka sjellë edhe këtë formulë populiste, e gjitha në dëm të cilësisë sportive dhe yshtje drejt parimit e rëndësishme është të marrësh pjesë.

Ndërkohë që, në fakt, vendimmarrja do të duhej të ishte në një kah krejt tjetër. Për këtë mjafton të shikosh formulat e përdorura në shumë vende të Europës, kur për Kategorinë Superiore me 10 ekipe një kategori më poshtë, në shumicën e rasteve, janë në garë i njëjti numër ekipesh ose dy më shumë.

Ndreqja e këtij handikapi, më shumë se një detyrim i FSHF-së, do të duhet të jetë një prioritet i klubeve më të mira. I atyre drejtuesve që kanë ambicie dhe projekte afatgjata në këtë sport dhe që në një të ardhme të afërt kanë krijimin e Ligës Profesioniste.

Pasi, ndërkohë që FSHF-ja synon t'i konsiderojë të gjitha klubet të barabarta dhe t'i simulojë me pjesëmarrje masive në elitë, Liga Profesioniste do të ketë si prioritet barazinë e aktorëve në garë dhe rritjen në maksimum të vlerës së produktit në treg.

Gjithsesi, cilado qoftë politika e FSHF-së për strukturën e garës sportive në vend, e vërteta e madhe është se një vend si Shqipëria duhet të ketë një Kategori të Parë me vetëm një grup dhe me vetëm 10 ekipe.

Dështimi për të ndërtuar shoqëri sportive Dështimi më i madh në historinë e shqiptarëve është se nuk kanë arritur në asnjë rast të ndërtojnë institucione.

Në këtë realitet përjashtim nuk mund të bënte edhe sporti, teksa në shumicën e rasteve klubet tona të futbollit nga një element përbashkues për një komunitet të caktuar, nga një identitet dhe burim krenarie është kthyer në një realitet të zymtë, pa perspektivë dhe peng i interesave të ndryshme.

Të gjithë janë dëshmitarë se shumë skuadrave u është dhuruar pjesëmarrja në elitën e futbollit tonë, pasi aktualisht nuk plotësojnë shumë nga kushtet, që minimalisht kërkohen sipas manualit të licencimit. Në këtë pikë, natyrshëm shtrohet një pyetje e drejtpërdrejtë për titullarët e bashkive:

Në duart e kujt i keni dorëzuar klubet sportive? Mbi çfarë baze ligjore? A ka pasur një plan zhvillimi dhe sa është realizuar ai? Për shumicën e pyetjeve, një përgjigje e kanë pjesa më e madhe e qytetarëve, teksa një pjesë e klubeve kanë përfunduar në duart e njerëzve të gabuar, me një CV të dyshimtë dhe pa asnjë premtim për ndërtim infrastrukture, deklarim të burimeve të financimit dhe një projekti sportive.

Të gjithë e dinë se një kompeticion është konkurrim klubesh dhe nëse gara infektohet nga dhuna dhe trukimet është e qartë se kanë dështuar pikë së pari titullarët e këtyre klubeve.

Në këtë moment është e rëndësishme të ketë një reflektim të fortë, për ta ndryshuar këtë realitet, për të minimizuar rolin e "bajraktarëve" në futbollin tonë, politika stimuluese për afrimin e biznesit, investimet në infrastrukturën sportive, thithjen e të rinjve pranë sportit, kualifikimin e drejtuesve sportivë dhe zbardhjen e burimeve të financimit.

Krijimi i shoqërive të mirëfillta sportive do të ishte themeli më i fortë për një të ardhme më të mirë për futbollin tonë, në cilëndo kategori qoftë ajo.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama