Kujt i perkas?

Kujt i perkas?
Viti 1992, aeroporti i Tiranës. Doganieri i kontrollon pasaportën shtetasit slloven Martin Berishaj dhe i drejtohet: "Zoti Martin, ju jeni slloven?" "Jo, jam shqiptar, nuk jam slloven!". Qytetari "i huaj" insiston të mbrojë një gjë që pasaporta, ku shkruhet "Nationality: Slovenian!", ia përgënjeshtron. Punonjësi i doganës, aty për aty, ia kthen: "E ç'të keqe ka vëllai të jesh slloven?"

Aty, në aeroportin e Tiranës, Berishajt, sot profesor i shkencave sociale në Universitetin e Lubjanës, i lindi ideja për të shkruar "Identiteti dhe shtetësia" (titulli i origjinalit "Identiteta in državljanstvo", recensentë dr. Braco Rotar dhe dr. Irena Šumi, përkthyer nga sllovenishtja nga Nikollë Berishaj, Botues Kolegji Universitar "VICTORY", Prishtinë, 2010).

Ky studim u bë shkas që Instituti i Sociologjisë në Tiranë, nën drejtimin e Lekë Sokoli, të takojë tri universitete nga Tirana, Prishtina e Lubjana në një simpozium ndërkombëtar, më 29 prill, ora 10 00, në Universitetin "Marin Barleti". Simpoziumi mban titullin e studimit tëprof. Berishajt, "Identiteti dhe shtetësia".

Dr. Sokoli thotë se zgjedhja për studim e këtij koncepti kryesisht në aspektin e antropologjisë sociale e politike, është krejt e përligjur nga Berishaj. Ai është një shqiptar në një "botë të huaj", dhe me pak fjalë studimi i tij shkencor ka për pikë nisjeje një motiv personal që shpie një debat mbi konceptet e identitetit dhe të shtetësisë në epokën tonë.

Berishaj ka dhënë një kontribut "për diskutimet aktuale në shkencat shoqërore mbi shndërrimin e formave të vjetra të shtetësisë dhe formësimin e të rejave në rrethanat e valës së fundit të globalizimit".

Autori shtron pyetjen: "A mund të flasim vërtet për shtetësinë pa kufij (në aspektet e shumta shtetësia nacionale është ende prioritare!)? Përpos kësaj, rezultatet e hulumtimeve nuk flasin për proceset e njëtrajtshme dhe të njëllojshme të shndërrimit të shtetësisë, por janë dallime si brenda shoqërive, gjegjësisht shteteve si edhe ndërmjet tyre.

Në bazë të hulumtimeve duket se mund të flasim për shumëllojshmërinë e "krahinave" të pasqyrimeve normative dhe praktikën e shtetësisë si brenda shteteve nacionale ashtu dhe në përmasat botërore.

Dr. Stane Južnič autor i parathënies së "Identiteti dhe shtetësia" shkruan se me këtë vepër të prof. Berishajt, shkencat humane shqiptare, meqë libri ekziston së fundi në shqipe, "përfitojnë një studim politologjik dhe antropologjik të klasës së parë të krahasueshëm me studimet evropiane".

Autori do të jetë i pranishëm të premten. Në konferencën ndërkombëtare marrin pjesë akademikë e ekspertë të fushës. Akademik Servet Pëllumbi, Afrim Krasniqi, këshilltar politik i Presidentit të Republikës që referon për "Identitetin Politik dhe identitetin kombëtar. Rasti i Shqipërisë"; Stephanie Schëandner bashkëautore me Bernd Fischer e librit "Albanian Identities: Myth and History" e cila referon mbi të njëjtën temë të studimit të saj, mbi aspektet e mitit, historisë dhe aktualitetit të identitetit shqiptar; Isabel Stroehle nga Universiteti i Mynihut referon për Identitetin dhe shtetësinë nga një qasje antropologjike.

Marrin pjesë dhe studiues e historianë, përfaqësues nga Qendra e Studimeve Albanologjike.

Nga Tirana, organizatorët, Instituti i Sociologjisë, Universiteti "Marin Barleti" Tirane; Universiteti i Lubjanës, Slloveni dhe Kolegji Universitar "Victory" i Prishtinës e zhvendosin aktivitetin në Prishtinë e Lubjanë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama