Vetë autori, don Gjon Buzuku shkruan në parathënien e Mesharit se e mbaroi “së shkruami” veprën më 5 janar 1555.
Siç pohuam, deri më sot nuk njihet një tjetër libër më i vjetër, i shtypur, në gjuhën shqipe, veç kësaj vepre, shkruar e botuar në rrethana që ende sot janë mjaft të diskutueshme. Sidoqoftë vepra e Mesharit mbetet monument i përpjekjes së klerit të krishterë shqiptar për ta shpëtuar popullin nga rreziku i tjetërsimit e humbjes së identitetit kombëtar e shpirtëror, për ta mbajtur të lidhur fort me dritën e Shëlbimit të Krishtit dhe me dritën e qytetërimit perëndimor.
Meshari i Buzukut, siç thekson vetë autori, u botua sepse “gjuha jonë nukë kish gjaa të endigluem en sëh shkruomit shenjtë” - nuk kishte, pra asnjë përkthim të Shkrimit Shenjt”, por kryesisht “en sëh dashunit së botës sënë” - nga dashuria për popullin e vet. Kështu, dom Gjon Buzuku na jep të dhëna për kohën e tij se në gjuhën shqipe, pra në gjuhën e popullit, ndjehej mungesa e shkrimeve, libra e shkrimeve nga Bibla e mbi fenë e krishterë, për ta njohur e edukuar popullin në fenë e vet.
Prandaj, i nxitur nga nevoja e madhe baritore dhe i frymëzuar nga llojet e librave liturgjike që qarkullonin në kohën e tij, dom Gjon Buzuku bën një përgatitje dhe përpilon një libër me pjesë të ndryshme të liturgjisë e të biblës, që shërbenin në rend të parë për priftërinjtë për kremtimin e Meshës e të Sakramenteve tjera apo për lutjet e tyre të përditshme. Siç dihet, mjerisht, kësaj vepre, Mesharit, i mungojnë disa faqe: atë të fillimit e disa tjer aty këty brenda vetë librit.
Meshari i Buzukut është kryesisht përkthim por ka edhe pjesë autentike të shkruara nga dom Gjon Buzuku si dhe nga priftërinjtë tjerë shqiptarë si dom Gjergji, dom Marku, dom Pjetri e tjerë, siç dëshmohet brenda disa faqeve të kësaj vepre.
Meshari i Buzuku është libër liturgjik të cilin mund ta krahasojmë e këndej quajmë COMES, apo Epistolar, Leksionar siç i quanin liturgjistët e mesjetës librat që përmbanin pjesë të Biblës e lutje të ndryshme për t’u lexuar në Meshës gjatë vitit liturgjik kishtar, gjatë kremtimit të Sakramenteve e tjera, çka përmban edhe Meshari i Buzukut. Në të vërtet në këtë vepër COMES kemi: Oficen e Zojës, Shtatë Psalmet pendestare, Litanitë e Shenjtorëve, disa pjesë të Ritualit (mbi Sakramentin e Martesës), Urdhërimet e Zotit dhe pjesë tjera të katekizmit e Meshët, për tërë vitin e liturgjisë kishtare, ndër festa të luajtshme e të paluajtshme.
Vështirë të përmbledhësh në pak rreshta vlerën e një libri me histori e vlerë të veçantë, prej të cilit ka mbetur vetëm një kopje, që ruhet në bibliotekën Apostolike të Vatikanit. Studiues të shumtë i kanë kushtuar gjurmimet e studimet e tyre si Atë Justin Rrota, M. Roques, G. Schiro, G. Petrotta, N. Jokli , , E. Çabej, I. Zamputi, C. Tagliavini, N. Resuli, M. Camaj ,E. Sedaj, V. Putaneci, T. Lladani e tjerë.
Po nënvizojmë edhe faktin se vepra e ‘Mesharit’ të Buzukut është zbuluar për herë të parë më 1740 në Kongregatën e Propagandës së Fesë në Vatikan nga një tjetër prift katolikë shqiptar, dom Gjon Kazazi, i biri i Nikollë Kazazit nga Gjakova. E sivjet, në kuadrin e kremtimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në nëntorin e ardhshëm, ‘Meshari’ i Buzukut do të shkojë për herë të parë nga Vatikani në Vendlindje, e pikërisht në Tiranë ku do të ekspozohet për dy-tri javë për publikun shqiptar.
E vërteta rreth Mesharit dhe të Don Gjon Buzukut
Gjurmët Mesharit, pastaj i humbin deri në vitin 1740, kur imzot Gjon Nikollë Kazazi nga Gjakova, njofton atë Gjergj Guzetën, themeluesin e Seminarit arbëresh të Palermos, për ekzistimin e një exemplari të vetëm, duke i dërguar atij, një fragment të kopjuar të këtij Antichissimo Missale per antichita tutto straciato, me shënimin se ruhet në Bibliotekën e Kolegjit të Propaganda Fide [Kolegji për Ungjillizimin e popujve] në Romë. Në shkrimet e tyre, Mesharin e përmendin edhe rektorët e Seminarit të Palermos, Pal Parrino 1710-1765 e Sepë Krispi 1781-1859.
Mesharit prapë i humbin gjurmët deri në vitin 1898. Në vitin 1898, Meshari, nga biblioteka e Kolegjit të Propagandës Fide, dërgohet në koleksionin e librave Orientale, të kardinalit Stefano Borgja. Disa vite më vonë, së bashku me koleksionin Oriental, të kardinal Borgjës, bëhet pronë e Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, në Vatikan. Fillimisht regjistrohet në signaturën R[accolta] G[enerale] Liturgia. III. 194., R. G. Liturgia. III. 194., që disa vite më vonë të regjistrohet në signaturë të re, në të cilën ruhet edhe sot Ed. Prop. IV. 244.
Në vitin 1909, imzot Pal Skiroi ishte i pari që nxori fotografinë komplete të Mesharit. Pas një pune këmbëngulëse, shumëvjeçare, Skiroi bëri transliterimin, transkriptimin fonetik dhe një studim të veçantë për gjuhën e Mesharit, duke e krahasur atë me shkrimtarët tjerë të Veriut, veçanërisht me Pjetër Budin. Vepra e Skiroit, është edhe sot e kësaj dite në dorëshkrim dhe e pa botuar. Me këtë dorëshkrim janë shërbyer N. Resuli, E. Çabej dhe ne, gjatë hulumtimeve të bëra në Vatikan.
Justin Rrota, në vitin 1929, nxori tri kopje të filmuara të Mesharit, të cilat u depozituan në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, ku ruhen edhe sot. Më vonë, në vitet '50 të shek. XX, dy studiues të shquar shqiptarë, E. Çabej dhe N. Resuli, secili në mënyrë të pamvarur nga tjetri, përgatitën për botim, Mesharin, duke vënë në përdorim, kriteret e shkencës bashkëkohore, si dhe tri mënyra të riprodhimit të exemplarit origjinal, transkriptimin fonetik, transliterimin dhe fototipinë, të përcjellura me analiza të thukta kritike shkencore. N. Resuli, studimin e tij e botoi në Vatikan në vitin 1958, në një numër të kufizuar ekzemplarësh, në kollanën e njohur Studi e Testi nr. 199; derisa E. Çabej, e botoi në Tiranë në vitin 1968.
Edhe pas këtyre botimeve, libri njihej vetëm nga rrethe të caktuara specialistësh dhe shkencëtarësh. Në fund të viteve '90, Meshari depërtoi te masa e gjerë e lexuesve dhe u bë i mundshëm studimi i tij i shumanshëm. Ishte viti 1987, kur shtëpia botuese Rilindja e Prishtinës, bëri ribotimin integral të tekstit të E. Çabejt, nga viti 1968.
Vëmë në pah se, studimet e deritashme, qoftë ai Skiorit, apo këto të Resulit, Çabejt e Camajt dhe ky i yni së fundi, etj. kanë disa dallime, që kanë të bëjnë sidomos me interpretimin e vlerave fonologjike të grafemave, të përdorura nga Buzuku, ngase gjuha arkaike, alfabeti i veçantë [grafemat sllave], përdorimi i të njëjtës grafemë me vlera të ndryshme, etj, lënë vend për një studim të ri, të mbështetur në metoda të reja shkencore fonologjike, semiotike, analogjike, gjithsesi edhe informatike.
Përkundër shumë studimeve, nga specialistë të shumtë, ende shumë gjëra rreth Mesharit kanë mbetur të pasqaruara.
Koncepti zhanror dhe përmbajtja e librit
Çështjet kryesore për diskutim rreth Mesharit janë përmbajtja e librit dhe koncepti zhanror i tij. Me zbërthimin eventual të këtyre dy çështjeve dominuese, do të zgjidheshin edhe disa të tjera, të cilat janë ngushtë të lidhura me dy të lartcekurat, sidomos personaliteti i autorit, koha e krijimit të veprës, vendin dhe vitin e saktë të botimit si dhe titullin e plotë të librit. Nga këndvështrimi i studimeve të deritashme buzukiane, jemi në gjendje të diskutojmë për shumë çështje të hapura, një pjesë e të cilave janë zgjidhur, kurse një pjesë tjetër pritet në të ardhmen të zgjidhen.
Problemi i parë, i cili meriton kujdes të veçantë, është vetë Meshari dhe përmbajtja e tij; analiza dhe studimi i tij, si në rrafshin horizontal ashtu edhe në atë vertikal, si dhe krahasimi analogjik me veprat e ngjashme, të botuara para dhe pas kohës kur u botua Meshari, mund të ndihmojnë në zgjidhjen tërësore ose të pjesëshme, të çështjeve të mbetura.
Mesharit i mungojnë së paku 8 fletët e para. Së bashku me këto fletë, fatkeqësisht, mungojnë edhe titulli i vërtetë i librit, viti i botimit, vendi i botimit, emri i saktë i autorit ose i përkthyesit, titulli i origjinalit, nga ku janë marrë pjesët që janë përkthyer, leja e botimit, pastaj parathënja, hyrja dhe ndonjë poezi, në formë lavdi, që ishte gjë e zakonshme e kohës, për botime të tilla.
Mungesa e këtyre të dhënave u ka hap rrugë studiuesve të shumtë, që të sjellin ide dhe argumente të reja, që nga ato të natyrës tipografike, e deri te ato gjuhësore, me të cilat dëshirohet të zgjidhen çështjet shumë të diskutuara, të shkaktuara nga mungesa e të dhënave, të cilat do të duhej të ishin në faqet e para të librit. Natyrisht zgjidhja e problemit të vendit të botimit, do të ndihmonte të zbërtheheshin edhe shumë çështje të tjera të panjohura.
Biografia e Buzukut, me shumë të panjohura
Për biografinë e autorit të Mesharit, disponojmë shumë pak të dhëna. Kryesisht kemi vetëm ato që na i ofron vetë Buzuku në pasthënien e librit, ku pohon se është i biri i Bdek Buzukut, e asgjë më shumë. Pra mbeten të pandriçuara viti i lindjes, viti i vdekjes, vendlindja, shkollimi dhe shërbimi kishtar në një apo më shumë vende. Përkundër hulumtimeve të shumta të bëra në arkiva dhe biblioteka të ndryshme Evropiane, nuk kemi arritur të gjejmë, as edhe një të dhënë të vetme, për Gjon Buzukun. Përjashtohet mundësia që të ketë studiuar në ndonjërin nga kolegjet ekzistuese të kohës, në Itali, ngase asnjëri nga librat amzë të studentëve, që u shkolluan atje, s'përmban të dhëna për një student, me emër të tillë.
Nuk mund të themi asgjë të sigurt, as për pozitën e tij kishtare! Një gjë e themi me siguri, se emri i Gjon Buzukut nuk figuron në emrat e relatorëve të kohës; po gjithashtu nuk gjendet as në regjistrat e Arkivit Sekret të Vatikanit, si Ipeshkv apo Kryeipeshkv. Këto i kemi konsultuar e shfytëzuar me vëmendje të veçantë, me shpresë se do të gjenim ndonjë shënim, por përpjekjet tona ishin të kota.
Studimet gjuhësore, duke u mbështetur në gjuhën e Mesharit, kanë ndihmuar deri diku për lokalizimin e vendlindjes ose vendshërbimit të Buzukut! Kjo kërkohet në zonat veriperëndimore gege, që do të ishte rrethi i Liqenit të Shkodrës, me një pjesë të Malësisë së Madhe deri në detin Adriatik. Mirëpo, gjuha e veprës, jo gjithmonë është shprehje e gjuhës së vendlindjes së autorit, sepse ajo, gjuha e veprës, mund të ishte edhe gjuhë e shërbimit. Kështu, edhe mbështetja në gjuhën e Mesharit, s'mund të llogaritet si argument shumë i sigurtë, për zgjidhjen e problemit të vendlindjes ose vendshërbimit të Buzukut!
Gjendja ekzistuese
Libri në gjendjen ekzistuese është i lidhur me kopertina lëkure, por është shumë i dëmtuar, ka 94 fletë ose 188 faqe; nga 110 fletë ose 220 faqe sa duhej të kishte, kur është botuar, pra kanë humbur 16 fletë ose 32 faqe, të paginuara me numra romakë! Ka format 20 x 14 cm. Të humbura llogariten, pos faqes së parë [frontespicit] edhe fletët 1-8; 27-29; 33-36; dhe 63, që duhej të ishte 73. Pos kësaj, kemi edhe disa gabime te paginimi i faqeve, psh. f. 61 është shënuar si 59, ndërsa f. 49 si 39; pastaj f. 65 është shënuar në vend të f. 55; i njëjti gabim përsëritet edhe në f. 89 që shënohet si 79 dhe e fundit f. 90 duhet të ishte 110.
Në margina të faqeve ka të shënuara me dorë, emra, përshëndetje dhe fjalë të tjera në gjuhën shqipe, që i kanë bërë lexuesit e librit. Libri është i shkruar në dy shtylla, me alfabet latin, të tipit gotik dhe ka pesë grafema të tipit sllav, të bosançicës.
Botimi i Mesharit të Buzukut u realizua me qëllime të caktuara. Si pohon G. Schiro, ai duhej të përmbushte tri kërkesa a) nevojën e përditshme për shërbime fetare; b) përgaditjen dhe thellimin e njohurive liturgjike të prelatëve shqiptarë; dhe c) edukimim fetar masiv, të masës së besimtarëve që ndodhej në kufinjë me Perandorinë Osmane.
Këtë qëllim të Mesharit na e pohon edhe vetë Buzuku u lus ënbas sodi ma shpesh të uni ëm klishë, për-se ju kini me gjegjunë ordhëninë e t'inë Zot; e ate në ënbarofshi Zot'ynë të ketë mishërier ënbi ju, duke dëshiruar që kështu të luftonte disa dukuri të këqija, që u kanoseshin besimtarëve shqiptarë, lëkundjes nga besimi i moçëm me anë të reformës dhe islamizimit që siç pohon E. Çabej po bënte përparimet e para në vend. Nëse përjashtojmë reformacionin, kisha romane që në shek. XIII-të, kishte lejuar përdorimin e gjuhëve kombëtare [nacionale]. Mund të sillen të dhëna të shumta, që nga papa Inocenti i IV-të, i cili në vitin 1248 u kishte lejuar kroatëve, të ishujve të Kvarnerit dhe të Dalmacisë ushtrimin e liturgjisë, në gjuhën e tyre kombëtare, në gjuhën kroate, por edhe botimin e librave fetare me alfabet glagolik.
Të dhëna të tërthorta flasin se Vatikani me këtë libër, ka dashur të forcojë besimin e lëkundur tek shqiptarët, si nga lëvizja reformiste e heretike, [bogumile] gjithashtu edhe nga konflikti i ashpër kishtar ndërmjet dy kishave, asaj të Lindjes dhe të Perëndimit, që ishte mjaft i theksuar në atë kohë, në Ballkan, e gjithashtu edhe nga përhapja e islamizmit, përhapje kjo mjaftë shqetësuese për Vatikanin.
Në studimin e tij, E. Çabej pohon se: Meshari, veç ndonjë fraze vetiake t'autorit hedhur tek-tuk nëpër tekst, është fund e krye përkthim!