Kukeli Me Zvicren si ndaj Portugalise ja si e kalojme grupin

Kukeli: Me Zvicrën si ndaj Portugalisë, ja si e kalojmë grupin

Ka një jetë në Zvicër, por për 90 minuta thotë që nuk do ta ketë në mendje aspak. Mikun e tij të ngushtë nuk e kanë marrë në Kombëtare dhe ndeshja përballë helvetëve do të jetë një ndeshje e veçantë, por edhe e përsëritur, duke kujtuar takimin në Portugali.

Burim Kukeli

Burim Kukeli

Në një intervistë për "Panorama Sport", Burim Kukeli tregon ndjesinë për Europianin, mendimin në momentin që u dëmtua në finalen e Kupës dhe planet për të ardhmen.

Burim, keni kaluar një sezon me disa dëmtime dhe ashtu e mbyllët. Si ka qenë për ju personalisht?

Po, kam qenë disa herë i lënduar këtë sezon. Megjithatë, kam gjetur forcën për të vazhduar dhe nuk jam dorëzuar në asnjë moment, pasi futbolli i tillë është. Ka edhe momente të papritura.

Çfarë ndodhi me ekipin që fitoi kupën, por ra nga kategoria? Çfarë ju mungoi në kampionat?

Mendoj që nuk kemi qenë ekip kompakt. Kështu ndodh sa herë që skuadra nuk funksionon si e tërë dhe kur nuk punojmë të gjithë bashkë. Normalisht që kur bie nga liga e parë, ndjesia nuk është aspak e mirë.

E menduat se mund ta humbisnit Europianin në finale, kur u dëmtuat?

Më besoni që ka qenë gjëja e parë për të cilën jam interesuar te mjeku. Nuk doja ta besoja që mund të ndodhte diçka e tillë, por fatmirësisht ai më siguroi se duheshin vetëm pak ditë që të isha i gatshëm për t'u rikthyer në fushë.

Si kanë qenë ditët në grumbullim?

Unë jam bashkuar me vonesë, por kam gjetur një ambient fantastik. Më vjen mirë që jam ritakuar sërish me bashkëlojtarët në këtë ekip dhe për fat të mirë gjërat kanë shkuar si duhet në përgatitje. Duke qenë se të gjithë jemi këtu për të njëjtin qëllim, puna shkon mirë.

Debutimi i Shqipërisë përballë Zvicrës. Çfarë na pret?

Është ndeshja e parë dhe vlen mbase edhe më shumë sesa të tjerat, pasi ndihmon shumë në rast se do të marrim një rezultat pozitiv. Për mendimin tim, Zvicra është një skuadër me kualitete dhe ka lojtarë që, përveç cilësive individuale, luajnë së bashku prej vitesh. Nuk i shoh si skuadër që shënojnë shumë gola si dhe në disa raste ata shfaqin edhe pasiguri në prapavijë.

Keni biseduar me ndonjë prej helvetëve dhe cili është miku juaj?

Për momentin, nuk kam kontakt me asnjë prej tyre. Unë jam rritur me Inlerin, por ai nuk është grumbulluar për këtë edicion. Lojtarët e tjerë i respektoj si çdo kundërshtar, por nuk është se kam kontakte apo miqësi.

Për dikë si ju që jetoni në Zvicër prej shumë kohësh dhe luani aty, çfarë ndjesie do të jetë që të përballeni me kombëtaren helvete?

Është ndeshje shumë e veçantë për mua. Jetoj prej 29 vitesh dhe më është bërë si shtëpia ime. Kam krijuar miqësi të shumta dhe besoj që do të jetoj edhe në të ardhmen atje. Ama, në fushë, nuk ka vlerë asgjë prej tyre, pasi unë jam lojtar i Shqipërisë dhe mendoj vetëm që të fitoj.

Kualifikimi, sa shanse kemi?

Më kujtohet si sot ndeshja e parë me Portugalinë dhe shumë pak kanë besuar. Në fund, ne e fituam takimin, jo se ishim më të mirët, por sepse dhamë zemrën në fushë. E njëjta situatë besoj se është edhe tani, ku shumë nuk besojnë te ne. Ajo që do të bëjmë, është thjesht të jemi Shqipëria dhe të besojmë deri në fund. Gjithçka mund të ndodhë.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama