Burim Kukeli bëri një ndeshje shumë të mirë ndaj Zvicrës dhe ishte futbollisti më aktiv në radhët e Kombëtares shqiptare. Pas ndeshjes, ai foli për "Panorama Sport" dhe tha se skuadra duhet të jetë shumë e përqendruar në të gjitha momentet. Mesfushori kuqezi thotë se në goditjet standarde të gjithë lojtarët duhet të ruajnë kundërshtarin.
Burim, çfarë i mungoi Shqipërisë në këtë ndeshje?
Na mungoi goli. Na mungoi gjithashtu edhe vëmendja në momentin kur pësuam gol. Duhet të ruheshim mirë, por pësuam dhe nuk patëm forcë për të reaguar. Arritëm të reagonim në lojë, por lojën pozitive nuk e shndërruam dot në një gol që mund të ishte shumë i vlefshëm për ne.
Si është e mundur që po pësojmë vazhdimisht gola të tillë?
Në gjuajtje standarde duhet që secili të ruajë kundërshtarin. Por nuk kemi qenë gati. Në minutat e para nuk ishim gati dhe u emocionuam shumë. Sigurisht që nuk është ndonjë dramë e madhe të pësosh gol në një ndeshje të tillë sepse luanim edhe kundër një ekipi si Zvicra, që ka shumë futbollistë të mirë.
Si mund të korrigjohet ky gabim, pasi po bëhen shumë ndeshje radhazi që i fillojmë me disavantazh në të njëjtën mënyrë?
Në këtë rast ishte pak më normal, se edhe presioni ishte i madh para ndeshjes. Deshëm të jepnim të gjithë zemrën në fushë. Por në disa raste mund edhe të bllokosh veten në këtë mënyrë. Pasi pësuam golin e 1-0, u çliruam pak dhe patëm edhe ne raste. Pastaj kur merr edhe karton të kuq, normalisht që është e vështirë. Por në pjesën e dytë e kemi korrigjuar pak veten, nuk kemi luajtur keq.