Një aksident i rrallë ndodhi dje në autostradën që të çon drejt Morinit, në dalje të qytetit të Kukësit. Këtë herë pre e aksidentit nuk kanë rënë qentë e rrugës, por një ujk i cili ka dashur të kapërcejë nga njëra anë e autostradës në tjetrën. Një autoveturë me targa kosovare ka përplasur ujkun përtokë duke i shkaktuar plagë të rënda, por jo ngordhjen. Rënkimet e bishës kanë tërhequr vëmendjen e kalimtarëve dhe shumë prej tyre janë ndalur për të parë kafshën e plagosur. Më pas, duke parë se ajo edhe mund të largohej janë thirrur disa gjahtarë të Kukësit, të cilët e kanë ekzekutuar më armë gjahu ujkun, duke e lënë mënjanë rrugës. Gjahtari Ismet Nërguti thotë se kohët e fundit ka pasur shtim të ujqërve rreth zonave të banuara.