Izair Emini mund të përfundojë te Partizani. Sulmuesi nuk po kalon momente të mira me fanellën e Kukësit dhe ndeshja e fundit ndaj Austrisë së Vjenës, ku ai humbi një rast fatal para portës, duket se i ka vendosur kapakun një situate të pazakontë për tetovarin.
"Panorama Sport" zbulon se menjëherë pas ndeshjes në Vjenë, në drejtim të lojtarit kanë shpërthyer kritika të ashpra nga ana e drejtuesve më të lartë të klubit kuksian. Sikur të mos mjaftonte dëshpërimi i madh pas asaj goditjeje që u përplas në shtyllë, Emini është zhgënjyer edhe më tepër kur ka parë rebelimin ndaj tij. Mërzitja ka shoqëruar lojtarin edhe gjatë udhëtimit të kthimit për në Shqipëri.
Sulmuesi është ndier fajtor dhe madje është parë duke lotuar pas ndeshjes, duke e përjetuar në mënyrën më të keqe të mundshme këtë situatë. Mirëpo, kryqëzimi që i është bërë sulmuesit ka qenë i papritur jo vetëm për të, por edhe për lojtarët e tjerë me më shumë vite te Kukësi. Nëse këta të fundit përpiqeshin ta qetësonin Eminin, disa fjalë në adresë të tij nga drejtuesit e kanë mërzitur shumë futbollistin, i cili tashmë po mendon edhe largimin nga Kukësi.
Sinjalet e një situate jo të mirë erdhën që pas ndeshjes me malazezët e Rudarit, ku ai nuk arriti të shënonte, në një kohë që humbi edhe vendin në formacion. Ky moment "jo" për sulmuesin mund të shkojë në një divorc të pashmangshëm, për më tepër që edhe kontrata e tij me Kukësin përfundon pas Europës.
Të kuqtë
Partizani është gati të përfitojë nga situata jo e mirë që po kalon Emini te Kukësi. Burime të sigurta të gazetës konfirmuan dje se drejtuesit e kuq kanë nisur bisedimet me lojtarin dhe pritet t'i bëjnë një ofertë të parefuzueshme. Nuk është hera e parë që klubi i kuq kërkon Eminin. Në vitin 2014 ishte trajneri Shpëtim Duro që kërkoi ta afronte, por në atë kohë lojtari nuk ka pranuar të largohet nga Maqedonia për t'iu bashkuar Partizanit.
Në këtë periudhë mësohet se për Eminin është interesuar edhe Tirana. Megjithatë, pa mbaruar Kukësi angazhimin në Kupat e Europës, asgjë nuk mund të flitet me siguri për të ardhmen e sulmuesit. Emini do të jetë i gatshëm për trajnerin Lika në ndeshjen e kthimit që Kukësi do të luajë ndaj Austrisë së Vjenës.
Mesfushorët
Idriz Batha dhe Lorenc Trashi janë dy titullarë stabël te skuadra e Partizanit, duke mos dhënë asnjë sinjal për largim të mundshëm. Por, edhe interesi për ta nuk mungon. Mësohet se klubi i Kukësit kërkon të bëjë përforcime të rëndësishme për qendrën e mesfushës dhe dëshiron që të afrojë Bathën, që është nën kontratë me të kuqtë. Për të arritur te shërbimet e futbollistit, më parë duhet të bindin Partizanin që të lërë të lirë 24-vjeçarin dhe kjo mund të ketë një kosto të majme financiare.
Sa i përket marrëveshjes me Bathën, bëhet fjalë për një kontratë gati dy herë më të lartë në aspektin ekonomik. Gjithsesi, edhe Trashi është një kandidat për të qenë pjesë e klubit verior, ndonëse është po aq i vështirë për t'u larguar nga kryeqytetasit. Një element që ndikon shumë në merkaton e klubeve të Superiores është pikërisht limiti i aktivizimit të të huajve, çka i detyron të mendojnë për të përpiluar një listë me lojtarë shqiptarë, edhe pse në pamje të parë duken transferime të vështira.