Klubi i Kukësit nuk ka vonuar për të emëruar trajnerin e ri pas largimit të Klodian Duros. Sipas një njoftimi të shefit të klubit, Jonuz Hallaçi, në drejtimin e verilindorëve do të ulet Hasan Lika, i cili ka mbuluar më parë funksione të tjera drejtuese te kjo skuadër.
"Që nga sot, trajneri i ri i Kukësit do të jetë z. Hasan Lika, deri tani drejtor teknik i ekipit dhe më parë edhe trajner i Kukësit për disa muaj. Klubi falënderon ish-trajnerin Klodian Duro për kontributin e dhënë dhe për arritjet në drejtim të ekipit, duke marrë edhe Kupën e Shqipërisë.
Pas përfundimit të sezonit, Duro dhe klubi nuk arritën një marrëveshje dhe kontratë të re financiare dypalëshe dhe ranë në ujdi dhe mirëkuptim të plotë që të ndërpresin bashkëpunimin. Duro nga ana e tij ka falënderuar presidentin, klubin dhe bashkëpunëtorët, duke i dëshiruar suksese të mëtejshme ekipit.
Ekipi do të rinisë stërvitjen paraditen e datës 8 qershor dhe më 13 do të udhëtojë jashtë Shqipërisë për fazën përgatitore. Presidenti Safet Gjici po ndjek nga afër merkaton dhe ka kërkuar afrime cilësore dhe një përfaqësim sa më të mirë në Europë, shkruhej në postimin e Hallaçit.