Kukesi mund ti besoje perseri ish-lojtareve ne edicionin e ardhshem

Kukësi mund ti besojë përsëri ish-lojtarëve në edicionin e ardhshëm

Kupat e Europës janë në prag, ndaj Kukësi po nxiton me merkaton. Verilindorët duket se kanë kthyer kokën pas sa u përket blerjeve, pasi veç Hair Zeqirit, në planet e tyre është edhe Kushtrim Lushtaku. Nuk bëhet fjalë vetëm për një dëshirë vere, pasi burime të sigurta për gazetën konfirmojnë se tashmë negociatat kanë nisur. Është herët për të folur për arritjen e një marrëveshjeje, megjithatë palët tashmë zyrtarisht janë në bisedime.

Lushtaku prezantohet te Skenderbeu

Shanset që kosovari të rikthehet janë të mëdha, por vetëm në vazhdim pritet që të ketë diçka më konkrete për këtë "operacion" merkatoje. Afrimi i Lushtakut do të plotësonte ndjeshëm krahun e djathtë të mesfushës, pozicion ky që do të mbetet "vakant" edhe për pak kohë, pas dëmtimit që ka pësuar Erik Flores. Kujtojmë që braziliani ka këputur ligamentin dhe për këtë motiv u operua. Ndaj, për të paktën 8 muaj, ai do të mbetet jashtë fushave të blerta.

Pastaj, largimi i Ansi Nikës bën që të mos ketë asnjë alternativë për këtë rol, ndaj Lushtaku shihet si një opsion i mundshëm për të "blinduar" linjën e djathtë të mesfushës. Të dyja palët, si lojtari, ashtu edhe klubi, të pyetur nga "Panorama Sport", konfirmojnë se kanë pasur kontakte. Megjithatë, kalimi i kosovarit në Kukës ka mbetur pezull, pasi vetë lojtari ka kërkuar kohë për të vendosur. Pritet që tashmë bisedimet të jenë më konkrete, pasi gjasat janë që shumë shpejt të zhvillohet edhe një takim kokë më kokë.Ndaj, nuk përjashtohet mundësia e një rikthimi të mundshëm të mesfushorit te ish-skuadra, aty ku korri suksese në Europë në sezonin 2014-2015.

Të tjerët

Kukësi po vijon negociatat me Cetkovicin dhe Zeqirin. Akoma nuk ka një marrëveshje zyrtare me fantazistët. Është vetë presidenti Gjici, i cili, i pyetur nga "Panorama Sport" në lidhje me dy mesfushorët e avancuar, ka sqaruar se ende nuk ka arritur një akord paraprak, teksa konkretisht tha: "Akoma nuk kemi arritur marrëveshje me lojtarët në fjalë". Ndërkohë, vijon interesimi dhe bisedimet edhe për përforcimin e mbrojtjes. Lukiç dhe Cicmil mbeten opsione, paçka se ende ka asgjë zyrtare. Megjithatë, mendohet se deri para datës 10 qershor, kur skuadra do të nisë grumbullimin në Ohër, të ketë zhvillime.

Largimet s'kanë mbaruar, priten edhe 3

Me mbylljen e sezonit, te Kukësi ka vetëm largime dhe asnjë afrim. Deri më tani është zyrtarizuar "divorci" me 10 futbollistë, ndërsa gjasat janë që të tjerë t'i shtohen listës. Mijatoviç, Uilliam, Birungueta, Lima, Felipe Hereida, Ferraj, Morina, Nika dhe Mone kanë shpallur "divorcin" me klubin, ndërsa pritet që të paktën tre të tjerë të mbyllin aventurën me verilindorët. Veç merkatos në dalje, ende nuk ka asnjë risi në hyrje. Emra janë lakuar shumë dhe negociatat nuk kanë munguar, por ende nuk ka asgjë konkrete. Ashtu si të gjitha ekipet e tjera të Superiores, edhe Kukësi pret miratimin e ndryshimit të numrit të huajve, pasi kjo i jepte mundësi që të operonte jashtë vendit për blerje cilësore.

Skerdialid Sulozeqi


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama