Kualifikimi i arritur në Mal të Zi ndaj Rudarit ua ka shtuar oreksin kuksianëve, të cilët tani duan "kokën" e Austrisë së Vjenës.
Por kualifikimi për në raundin e dytë është një mision më i vështirë për Kukësin, pasi austriakët janë një klub më me emër, histori, si dhe me potencial më të lartë ekonomik, por edhe me lojtarë më me peshë.
Përpos këtyre fateve, Austria e Vjenës favorizohet edhe nga e shkuara në përballjet që ka pasur me klubet shqiptare. Kukësi është kundërshtari i katërt shqiptar për austriakët, të cilët më herët janë ndeshur me Dinamon, Vllazninë dhe Partizanin.
Klubet shqiptare konsiderohen fatsjellëse për Austrinë e Vjenës, pasi gjithnjë ka dalë triumfuese. Në sezonin 1971-1972, Austria është përballur me Dinamon për Kupën e Kupave, ku ka marrë një fitore 1-0 dhe një barazim 1-1. Në sezonin 1978-1979 janë përballur me Vllazninë për Kupën e Kampioneve, ku fituan 4-1 në Vjenë dhe janë mundur 2-0 në Shkodër.
Në sezonin 1981-1982 ka qenë radha e Partizanit në Kupën e Kampioneve, ku në Shqipëri kanë fituar të kuqtë 1-0, ndërsa Austria ka fituar në Vjenë me rezultatin 3-1.
Para disa ditësh, kundërshtari i Kukësit ka zhvilluar edhe një miqësore ndaj Teutës, takim i cili u fitua nga Austria e Vjenës me rezultatin e thellë 7-2.
Austria e Vjenës drejtohet nga ish-mesfushori i Bajernit të Mynihut, Torsten Fink. Lojtari më i njohur i kësaj skuadre është portieri Robert Almer, i cili ishte titullar me kombëtaren austriake në "Euro 2016".