Kukësi do Sabjen Lilajn. Dhe nuk bëhet fjalë për një dëshirë të thjeshtë, pasi negociatat kanë nisur tashmë. Ka qenë vetë drejtori sportiv u klubit, i cili dje është takuar me mesfushorin. Në një nga baret e kryeqytetit, në zonën e ish-Bllokut, Dritan Dervishi ka takuar dhe ka biseduar gjatë me korçarin, duke i bërë konkretisht edhe një ofertë për ta transferuar te Kukësi.
I gjithë problemi qëndron te kontrata e lojtarit, marrëveshja e tij skadon zyrtarisht në 30 qershor të 2018-ës. Se çfarë do të ndodhë në vazhdim, kjo mbetet për t'u parë. Pasi përtej dëshirës që mund të kenë verilindorët, të ardhmen e lojtarit në dorë e ka vetë Skënderbeu. Kukësi duket se merkaton e ka përqendruar totalisht në Korçë, pasi kujtojmë që të mërkurën në zyrat e klubit ishin edhe dy mbrojtësit Marko Radas dhe Tefik Osmani. Por ndryshe nga Lilaj, kroati dhe korçari janë pa kontratë.
Drejtori Dervishi, i autorizuar nga presidenti Gjici, ka biseduar me të dy mbrojtësit për një marrëveshje të mundshme, madje kanë folur konkretisht për termat financiarë. Gazeta mëson se me Tefik Osmanin klubi ka rënë dakord parimisht, por gjithsesi çdo gjë mbetet e hapur. Madje, vlen të përmendet që fill pas takimit që zhvilluan në zyrat e Kukësit, që të dy futbollistët kampionë të Skënderbeun, iu drejtuan rezidencës në Durrës, ku kanë darkuar me Ardjan Takajn. Pretendimet e Radasit ishin disi të larta krahasuar me ofertën që i ka bërë Kukësi, megjithatë negociatat mbeten ende të hapura për mbrojtësin kroat.
Alla
Duke qëndruar në sektorin e mbrojtjes, Kukësi ka arritur marrëveshje me Albi Allën. Lojtari, i cili gjysmën e dytë të sezonit luajti si i huazuar te Bylisi, do të jetë pjesë e verilindorëve. Qendërmbrojtësit shtatlartë i është bërë ofertë dhe në muajin janar nga ana e Kukësit, por që lojtari vendosi të ishte në një skuadër më të vogël, pasi donte garanci për të qenë titullar dhe fituar eksperiencë. Dhe pse Alla firmosi për Skënderbeun për 3 vite dhe u huazua te Bylisi, ai është liruar nga korçarët. Ai ka tërhequr letrat dhe është zyrtarisht lojtar i lirë. Gazeta mëson se drejtuesit e Kukësit i kanë prerë biletën për nesër lojtarit, pasi mbrojtë- si ndodhet në Greqi, në Kretë konkretisht. Pasi të zbarkojë në kryeqytet dhe të firmosë kontratën, ai do të marrë rrugën drejt Sllovenisë.
Skerdilaid Sulozeqi