Kavajasi i Lushnjës, Bekim Kuli, e ka marrë tashmë vendimin më të vështirë në jetë. Mesfushori do të tërhiqet përfundimisht nga futbolli i luajtur në fund të këtij sezoni. Një fakt të tillë, ai e ka bërë të ditur në një prononcim për gazetën "Panorama Sport".
Kuli
Mesfushori, i cili nga shkurti i këtij viti po luan te Lushnja ku është aktivizuar në dy ndeshje, ka shënuar një gol me penallti dhe ka marrë një karton të kuq që u shoqërua me një dënim prej pesë javësh. "Po, është një vendim i pakthyeshëm. Në këto katër ndeshje të fundit unë do të jem i disponueshëm për Lushnjën dhe më tej nuk do të luaj më futboll.
Tashmë kam nisur rrugën për t'u bërë trajner sepse kam marrë licencën dhe besoj se sezonin e ardhshëm do të ulem në ndonjë pankinë", është shprehur Kuli. Mesfushori 35-vjeçar thotë se është i kënaqur që futbollin po e lë në stadiumin "Roza Haxhiu".
"Kam luajtur në shumë skuadra dhe jam i kënaqur që futbollin po e lë këtu në Lushnjë, ku po luaj një periudhë të dytë. Jam i gatshëm të luaj edhe në 'derbin' e fundjavës me Apoloninë që është një ndeshje prestigji për Lushnjën", deklaron Kuli. Ndërkaq, lushnjarët kanë nisur përgatitjet në kuadrin e sfidës me Apoloninë. Skuadra verdhejeshile vjen pas dy humbjeve radhazi në kampionat, por edhe ka humbur dy herë në 'derbi' gjatë këtij edicioni. Tashmë, në stadiumin "Roza Haxhiu", lushnjarët do të kërkojnë fitoren në një sfidë që si rrallëherë luhet pa objektiva.