Edhe pas afro 2 000 viteve, ajo i ruan në qeramikën e saj gjurmën e lëndës djegëse që i kanë mbetur gjatë përdorimit të cilat shikohen me sy të lirë, qoftë edhe duke vëzhguar foton. Për vënien e saj në funksion në pjesën e brendshme të saj ose, siç quhet depozita, hidhej lënda djegëse e cila shpërndahej deri tek pjesa dalëse në forme hunde e saj. Ajo mbushej me karburant dhe pasi ndizej me një fitil të futur në brendësi deri tek vrima e vogël dalëse, nga lefyti i dilte flaka ndriçuese e cila shërbente për të ndriçuar në objekte të caktuara sipas destinacionit që e kishte marrë blerësi i saj: për ta përdorur në banesën e tij ose në ndonjë tempull. Në këtë rast të llampës në fjalë, duke u nisur nga skena erotike në diskun e saj ku jepet një çift duke kryer marrëdhënie seksuale, mund të jetë përdorur në dhomën matrimoniale ose në ndonjë tempull venusian. Specialistet e ankandit vërejnë se “Kjo skenë përshkruan një burrë lakuriq të shtrirë mbi një grua po lakuriq, në një përqafim dashurie”. Llampa në këtë rast paraqet edhe një vepër të rrallë arti. Ajo është e shoqëruar edhe me një certifikatë përkatëse garancie nga ekspertët të cilët garantojnë lashtësinë e datimit të saj.
Tipet e kësaj llampe përbëjnë mjete të thjeshta që janë mbajtur në përdorim dhe që prodhonin dritë të vazhdueshme deri në mbarimin e rezervës së karburantit. Në to si burimi i dritës mbetej lënda djegëse. Duke u nisur nga objekte arkeologjike të kësaj natyre që janë në gjendje përfekte, rezulton se përdorimi i llampave të ndriçimit ka filluar mijëra vite më parë dhe vazhdojnë të jenë në përdorim deri në ditët e sotme. Studiuesit vërejnë se llampat e ndriçimit kanë shërbyer tradicionalisht si bazë ndriçimi dhe se ato janë përdorur masivisht si alternativë ndaj ndriçimit me qirinj, vajra etj përpara se të fillonte epoka e përdorimit të llampave elektrike. Nga viti 1780 filloi të vihet në përdorim me shpejtësi llampa “Argand” që zëvendësoi masivisht llampat me vaj, të cilat deri në atë periudhe, vërejnë ekspertët e ankandit, shumica kanë funksionuar si në formën e tyre themelore që nga lashtësia. Ato filluan të zëvendësohen me llampa me vajguri që nga viti 1850. Në zonat rurale dhe qytetet e vogla këto llampa e kanë ruajtur vlerën e përdorimit deri në shekullin XX e madje deri në ditët tona, në zona që nuk janë elektrifikuar plotësisht. Tashmë ka filluar prodhimi i llampave më moderne, jo elektrike (siç janë fenerët), pasi janë më të sigurta për të vepruar kur për emergjenca nuk ka energji elektrike të nevojshme. Sot llampat me vaj prodhohen kryesisht për përdorim të veçantë, në ritualet dhe ceremonitë fetare.
Durrësi dhe prodhimi i llampave qeramike
Kandile të tilla prej qeramike, këtij lloj mjeti universal ndriçimi në antikitet dhe mesjetë, që në rastin që po flitet u përkasin shekujve I-V të erës sonë, janë gjendur me shumicë në qytetin bregdetar të Durrësit, por edhe në shumë zona të tjera të vendit tonë. Inventari i tyre në muzeun Arkeologjik të Durrësit është mjaft i madh. Kandile vetëm të periudhës romake janë rreth 200 copë. Duke përfshirë edhe kandilet prej qeramike të periudhës helenistike ky inventar mund të jetë afërsisht rreth 500 objekte. Dhe nga këto vetëm gjatë gërmimeve të bëra në amfiteatrin sipas specialistëve të gërmimeve arkeologjike janë zbuluar rreth 120 copë, një përqendrim mjaft i madh ky i cili, sipas shpjegimit shkencor të prof. dr. Fatos Tartarit, ata janë përdorur si mjete ndihmëse për ndriçimin e arenës së bashku me pishtarët, flakadanët etj kur lojërat në arenë zgjasnin deri në orët e vona të natës. Tartari thekson se këto kandile janë në shumicën e rasteve prodhime të atelieve vendase të shekujve fillimit të shekujve I, II dhe III, kohë kur edhe ludii gladiators kishte tifozllëkun dhe përhapjen dhe më të madhe. Tartari vëren në studimin e botuar “Kandilet e shekujve të I-V të erës sonë” se duke qenë një nga mjetet më kryesore të ndriçimit edhe me kosto të lirë e shumë praktikë, gjatë këtyre shekujve prodhimi i kandileve kërkoi ngritjen e punishteve të organizuara e të specializuara, si dhe angazhimin e mjeshtërve me përvojë. Në Durrës dhe në qerthullin e tij, prodhimi i kandileve, teknologjia dhe shumë forma të caktuara kishin një traditë shumë më të hershme… Format e reja u sollën nga tregtarë, si dhe u prodhuan në të tjera atelie që u ngritën në Durrës nga qeramistë italianë apo të ardhur nga provinca të tjera të perandorisë me të cilat qyteti kishte lidhje të gjithanshme.
Zbukurimet
Sipas të njëjtit autor të cituar, zbukurimet përbëhen nga një ose disa figura njerëzore, ose kafshësh, ose dhe figura më të ndërlikuara, por këto janë më të rralla, duke përfshirë edhe llampën e botuar në foto. Ai thotë se mbi disqe gjenden edhe skena luftimesh të gladiatorëve, kupide, motive erotike, hyjni etj. Ndërsa kafshët e pëlqyera më shumë nga mjeshtërit janë luani, dreri, derri i egër, demi, ariu etj. Shumë shpesh takohet edhe shqiponja.