Kulturizmi

Kulturizmi
GURI FILOZOFAL

Turizmi dhe marrëdhënia e tij me turistët. Çfarë është turisti në fund të fundit? Një mik? Një armik? Një rreze drite për hapjen ndaj botës? Çelësi prej të cilit presim të hapim portën e mirëqenies sonë?

“Përshëndetje, Arian. Në fillim të muajit korrik mbërrij për një javë pushime në Shqipëri, të cilën ma kanë përshkruar si një vend interesant. Më pëlqen më shumë ta zbuloj vetë vendin, sesa të përfshihem në pushimet e llojit kazermë, që ofrojnë agjencitë turistike. Ndaj zgjodha të vij me makinë, përmes Malit të Zi. Për mua është hera e parë që mbërrij në Shqipëri. Aty nuk njoh njerëz të tjerë, ndaj po të drejtohem ty, pasi faqet e internetit ku kam klikuar dhe guida që kam blerë, më ndihmojnë fare pak për të krijuar një ide rreth asaj që do të gjej aty. Mund të më tregosh se ku duhet të shkoj, çfarë duhet të shoh dhe çfarë duhet të shmang gjatë vizitës sime të parë turistike në vendit tënd? Nuk dua të më shoqërosh, pasi e di se je i zënë me punët dhe planet e tua. Veç kësaj, dua të udhëtoj vetëm, pa guidë. Ndaj do të isha i kënaqur sikur të më përshkruaje një lloj itinerari të shkurtër turistik. Në kthim ndoshta takohemi në Tiranë. Miqësisht, Saša.” Ky është mail-i që mora këto ditë prej një miku, shkrimtar nga një vend fqinj, që tashmë është kthyer në vendin e tij dhe po zbardh shënimet që mblodhi gjatë udhëtimit nëpër Shqipëri.

Do të desha të mos jem unë i vetmi njeri që e teproj me të qenët i përgjegjshëm, por një adresim i tillë, i ndarë mes gëzimit të ardhjes në një vend të ri dhe ankimit të përsëritur, që më kujtonte se sërish “gluha jonë nuk kish gja të endigluom ensëh shkruomit” turistik, zgjoi tek unë ndjesi atavike me të cilat mendoja se i kisha larë duart, si të gjithë “na të birtë e shekullit të ri.” Edhe ngarkesa emocionale, që përcjell përdorimi i togut “vendit tënd”, luan rolin e vet në këtë rast.

Është e çuditshme ta mendosh sesi ndërlikohet jeta e njeriut, pas një lutjeje të thjeshtë dhe miqësore për ndihmë. Kënaqësia e ritakimit me një mik kthehet në ankth dhe bota e përjetimeve ngushtohet në tri skaje krejt të pasigurta. Pas një kërkese të tillë, një njeri si unë provoi ndjesinë e të kthyerit pas në kohë. Ai ndien se bëhet sërish pjesë e mekanizmit të një kodi të lashtë, që zgjohet dhe i nomatis në vesh fjalë të harruara si, “mikpritje”, “besë”, “nder”, “dinjitet”, “bujari”, “durim”, të cilat duket se nuk kanë kurrfarë lidhjeje me një vizitë të thjeshtë turistike dhe me turizmin në përgjithësi.

Ndjesia e parë të çon drejt kurtheve të tjera, që e shkuara mban ngrehur kundër nesh: të vetëndierit par’ i ndonjë principate, kryezot visesh të gjera me male, fusha, lumenj e dete, e pyje të gjelbëruar, fuqiplotë vilajetesh dhe pashallëqesh shqiptare, mbi të cilat ke pushtet, të binden, jep garanci dhe që duhet t’ia ofrosh mikut...

Ndjesia tjetër është se, duke dashur të bësh një figurë të mirë kur miku të troket në derë, e ndien veten të përfshirë në zellin e një operatori turistik apo që ngazëllen sa herë që ia del t’i kthejë rrugën një turisti. Ndjesia e fundit vjen disi më e plotë: ajo ngrihet, si gjithmonë nga thellësia e gjoksit, njëlloj siç ngrihet një shtëllungë avulli prej hamamit ku shkrythen ndjenjat më të sigurta romantike, të cilat, nga gjithë modelet e ofruara për ta këqyrur dhe për të pasur një marrëdhënie të vërtetë me vendin tënd, pranon vetëm njërën: paraqitjen e vendit tënd si një yll të këputur prej kupolës qiellore, një vend që mund të përshkruhet vetëm përmes vargjeve: “Se për qark ksaj rrokullije, / si Shqypnija 'i vend nuk ká!”

Nuk dija cilës ndjesi i trembesha më shumë, teksa bëhesha gati t’i ktheja përgjigje mikut tim: zhgënjimit që mund t’i shkaktoja unë duke i këshilluar viset, principatat e vilajetet e vendit tim, apo zhgënjimit që mund t’i shkaktonin të tjerët, të ngjashmit dhe sivëllezërit e mi, gjatë qëndrimit të mikut tim nëpër principatat e Arbrit, (përfshi këtu fshatrat, katundet, qytetet, komunat, prefekturat dhe qarqet që ia kisha propozuar ndërkaq...)

Të gjitha këto mënyra sjelljesh që m’u rishfaqën papritur, së bashku me mitin e pushimeve, që adhurohet gjithmonë e më shumë në shoqërinë tonë, më bëjnë të pyes se çfarë është turisti (në fund të fundit)? Një mik? Një armik? Një rreze drite për hapjen ndaj botës? Çelësi prej të cilit presim të hapim portën e mirëqenies sonë?

Për ne turizmi është diçka e re, fenomen jo shumë i përhapur, jo mjaft i përsosur, i paplotësuar, në zhvillim e sipër dhe me një mori modelesh, më shumë të vetëzhvilluara sesa të ardhur përmes konceptesh dhe strategjish të qarta. Por nëse turizmi është diçka e re, turisti - “homo turisticus”, nuk është edhe aq i panjohur. Jo larg prej kësaj dite, turistë quheshin të gjithë të huajt (përfshi këtu edhe marinarët që dilnin me leje disaorëshe nëpër qytet), të cilët mbanin erë të mirë, që shëtisnin në grup dhe që na dhuronin karamele (ndonëse nënat dhe baballarët, si të qenkëshin lexuesit më të devotshëm të Homerit, na porositnin të mos i pranonim dhuratat e të huajve.)

Skeda antropologjike e turistit të sotëm nuk është më ajo e dikurshmja: ka ndryshuar. Ai është njeriu që lë vendin dhe shtëpinë e tij për t’u vënë në kërkim të vendeve apo kënaqësive të reja. Tiparet dhe takëmet e tij janë: egoja turistike (si tipar dallues), aparati fotografik, pamja prej filantropi që vjen më shumë të ndihmojë e të japë një kontribut, sesa të marrë një kënaqësi prej nesh, është çanta e shpinës, sandalet e lehta, një portofol i fryrë në formatin XXL mbushur me karta dhe para, një farë pakujdesie, hutim i përzier me shpërfillje, entuziazmi fillestar dhe një fund zhgënjyes (ndryshe përse do të vihej në kërkim të vendeve të reja!)

Turisti pra, i bie të mos jetë as miku dhe as armiku ynë. Turisti është i huaji. Një i huaj. Një i huaj me gjithfarë profesionesh, që të mbin para derës me apo pa paralajmërim. Ai është një i panjohur, që di pak ose thuajse asgjë për vendin - toposin e ri ku ka mbërritur më këmbë, me makinë, me avion apo me biçikletë. Po përse vjen? Mbase të pasurojë përvojën turistike. Ndoshta vjen edhe të sfidojë, të vërë në provë nëse funksionon apo jo kënaqësia e lashtë e udhëtimit, ajo që i bënte njerëzit të merrnin rrugët e botës, në zbulim të botëve të reja? Ndoshta kërkon të gjejë kuptimin për pyetjen “përse udhëtojmë kaq shumë dhe për ku?”

Thjesht dhe saktë… Turisti është një lloj besimtari, që vjen drejt nesh thjesht ngaqë beson. Tempulli i tij është i lëvizshëm, por rrënjët i ka te mirëbesimi i asaj që ka dëgjuar dhe që e beson, siç besohet çdo përrallë, edhe pse e dimë se në të ka plot teprime e hiperbola. Prandaj çdo nisje e homo turisticus-it për rrugë, çdo ardhje e tij drejt është një nisje në kërkim të kësmetit. Ky është turisti, i cilësuar jo rrallë si barbari modern, sfida e fundit e evolucionit njerëzor, një komb i ri, një racë e re nomadësh që përhap një kulturë tjetër.

Dhe aq e madhe duket se është forca lëvizëse turistike, sa ka filluar të pëshpëritet se pas terroristëve, kamikazëve, banditëve, grabitësve dhe piratëve somalezë, kanosja më e madhe e botës vjen prej turistëve. Ka gjasa që kjo të bëhet e besueshme, sidomos kur sheh se ushtria e turistëve sa vjen e shtohet dhe se sot kjo ushtri përfaqëson njësinë më të madhe që marshon dhe lëviz nëpër botë. Ata mbërrijnë gjithkund, kanë pushtuar çdo gjë, paguajnë gjithçka, kanë shenjat, tiparet dhe moton e tyre: “kërkimin dhe gjetjen e kënaqësisë që paguhet”. Ata janë protagonistët, heronjtë, spektatorët dhe sponsorët që mbajnë gjallë teatrin e mikpritjes së popujve. Në përbërjen e kësaj armate janë të gjithë formacionet: këmbësoria, kalorësia, flota detare dhe flotiljet ajrore që sjellin turistët qiellorë. Për dobi të fantashkencës, në vend të termit “militarizëm”, mund të propozohet edhe përdorimi i termit “militurizëm”.

Po dihet, çdo karikaturë ka në bazë teprimin. Turisti pra, nuk është as mik as armik. Është i huaji. Ai që vjen të përligjë e të mbajë gjallë kuptimin e të udhëtuarit, për të shpallur dhe ruajtur natyrën e vërtetë të udhëtimit, kënaqësinë, rritjen vetjake, shkëmbimin e përvojave, për t’u bërë më pas ashtu siç Dante Alighieri thotë me gojën e Uliksit te “Komedia Hyjnore”: “…flakën në shpirt nuk mundën me ma shue; /

botën unë doja me e përpi me sy, / vese e vlerë hyjnore me hetue.”

Ky është turisti, i përvëluari “nga dëshira me njoftë botën”. Po si qëndron marrëdhënia jonë me “homo turisticus”-in, këtë lloj të ri të qenies njerëzore, që tashmë i ka zbuluar viset tona dhe që po na troket përherë e më fort në derë?

Fenomeni i vonesës nuk është as i rrallë dhe as i pazakontë për kulturën tonë. Pjesë e kësaj është edhe turizmi, kultura e turizmit apo kultura si pjesë e turizmit. Shpeshherë jemi takuar me kulturat e tjera jo në momentin e startit, shpërthimit apo materializimit të idesë. Me ta jemi takuar kur këto ide janë në kthim. Njëlloj siç mund të takohet një dallgë që kthehet me një dallgë që vjen. Ky takim ka qëlluar të jetë në çastin kur ideja është shterur së dhëni si model dhe kur gjithçka e lodhur kërkon rimodelim. Aty, mes gjithë asaj vorbulle shfaqemi ne, të vonuar dhe krijues, si përherë.

Meqë kemi folur gjithmonë për gjysmën bosh të gotës, pra për atë që shteti nuk e ka bërë fare ose nuk e ka bërë sa dhe si duhet, sot kam dëshirë t’i afrohem një zone tjetër, asaj zone ku përgjegjësia nuk është më kolektive, ku nuk është më anonime, nuk e fshehur pas përemrit “ne” dhe emrave të përgjithshëm si “shqiptarët”, “shteti”, “qeveria” apo “qeverisja vendore”. Le t’i afrohemi pak më shumë gjysmës plot të gotës, për të parë si zhvillohet jeta turistike, e cila pavarësisht nga mungesat, nuk ngurron të japë ofertën e saj të përvitshme për shtetasit shqiptarë dhe të huaj, atë turizëm që, pavarësisht nga ligjet dhe rrugët, ujërat e bardhë e të zinj, pavarësisht nga vlerësimet mirë, mjaftueshëm apo çka, funksionon si ofertë vetjake e operatorëve, atyre që turizmin e kanë ngritur në nivel qëllimi dhe biznesi.

Është bërë i prekshëm fakti se oferta turistike e operatorëve shqiptarë, edhe pse ka fare pak vjet si fenomen, po shfaq njëherazi shenja standardizimi, skematizmi dhe lodhjeje. Dëshmi e kësaj janë guidat apo paketat turistike, të cilat pak a shumë sillen rreth konceptit të mbyllur: “plazh, apo mal, vizitë në qendrën historike - muze - resort klimaterik - blerje suveniri – fotografi me sfond plazhin, malin apo resortin – një open-bar dhe kthim në shtëpi”.

Duket haptazi se për shqiptarët që kanë mundësi të pushojnë, miti i pushimeve ka filluar të vdesë nga pak. Është harruar kënaqësia e prehjes, kërshëria e udhëtimit, dëshira për të ditur, provuar dhe njohur. Po harrohet edhe terapia e turizmit si kurë kundër sëmundjeve të njeriut të stresuar dixhital. Homo albanicus-i i ri shkon nëpër vende klimaterike, nëpër plazhe e resorte jo për të pushuar. Madje ai nuk shkon as për vete. Ky humanoid ka vite që ka filluar të shkojë në pushime për të dëshmuar para të tjerëve statusin shoqëror: për të dëshmuar njerëzit me të cilët rri, makinat me të cilat vjen, avionët dhe yjet e hoteleve, ushqimet dhe pijet e pëlqyera dhe “të shpifura”, veshjet, orët, bizhutë, kremrat, çantat, pantoflat, bikinit dhe gjithë ato që bota jonë e sotme i quan aksesorë. Mjaft të vëresh vendet e mbipopulluara, ku pushojnë këta njerëz, që janë gjithmonë gati të paguajnë çdo shumë, vetëm e vetëm për të rënë në sy. Pse? Sepse homo albanicus-i, ndonëse nuk ka as dëshirë dhe as kënaqësi të pushojë, ka nevojë për dëshmitarë, sidomos është nevojtar të jetë i dëshmuar. Ky është lloji më i ri i turizmit: turizmi për konkurrencë, për rank dhe pozicionim social.

Nga ana tjetër, ajo që i bën njerëzit të jenë gjithmonë e më skeptikë ndaj ofertave skematike të turizmit tradicional, është pamjaftueshmëria e kulturës së mikpritjes dhe përsosja vit pas viti e artit të mashtrimit. Kryefjala e shërbimit turistik shqiptar, edhe aty ku ai cilësohet si elitë, nuk është “si dëshiron”, por “po deshe”. Ndjesia e re e të qenët “pronar” nuk e ka zbutur, por ushqen krekosjen tonë tipike, si dhe sjelljen e pagdhendur, në fytyrën e së cilës vizatohet një buzëqeshje e shtirë turistike, që mbyllet si lulet në muzg me t’u paguar fatura. Dinjiteti i të shërbyerit, që duhet të përkthehej në respekt pa përulje, ka servilizmin si formën më të afërt, ajo është dhuna që vret butë.

Të gjitha këto nuk kanë të bëjnë me mungesën apo pamjaftushmërinë e infrastrukturës, me problemet e sigurisë në rrugë, me mungesën e investimeve serioze, mosfunksionimin e ligjit të pronave, me problemet e ujin e rrjedhshëm, ujit të ndotur, apo energjinë elektrike. Këto kanë të bëjnë me përplasjen mes kulturave turistike. Janë pikërisht këto elemente standardizimi dhe moslëvrim i kulturës turistike, kjo kënaqësi e të kënaqurit me pak, që e zhvleftëson këtë burim të vyer, që mund të ishte një “industri e mirëfilltë turizmi”. Ndërkaq, njerëzit janë vënë në kërkim të viseve ku veç natyrës, premtohen ngjarje kulturore të përveçme, duke lënë mënjanë galeritë, muzetë, teatrot, amfiteatrot, kështjellat apo sallat e mëdha të koncerteve, të cilat në mënyrë ironike kanë filluar të marrin pamjet e trishtuara dhe standarde të Disney Land-eve..

Modeli i turizmit të sotëm mesdhetar nuk ka ndalur vetëm në ofertat e modelit, që sot cilësohet (jo krejt pa shpoti) si “turizëm i ngritur mbi rrënoja”. Edhe modeli tjetër, ai që e shihte turizmin si një “boutique industri”, duket ka ngecur. Turizmi, i konceptuar si një dyqan, ku vizitorët vijnë për të blerë trofetë e tyre turistike, për të dëshmuar prej tyre praninë, duket tanimë i një epoke të shkuar. Shtëpitë e turistëve, pas kaq e kaq brezash turistikë, si duket janë tumbullazi me kulla Eifel, kulla Pize, koloseum, muri i madh kinez, Big Ben apo kulla e sahatit të Tiranës.

Në kushtet e rrudhjes së modeleve dikur të frytshme, duket se është ende rasti të përdoret ajo mundësi që cilësohet si “shansi i të vonuarit fatlum.” Por jo të gjitha qytetet apo viset janë të përkëdhelur nga fati për të pasur burime dhe oferta të pafundme për turistët. Disa prej tyre nuk mund të jenë në kushte të barabarta për sa i përket ndjelljes turistike, po t’u vëmë përballë Durrësin, Apoloninë, Butrintin, Krujën, Vlorën, Tiranën etj. Turizmi i sotëm priret të funksionojë si një organizëm i gjallë, i lidhur me etikën e mikpritjes, kulturën dhe artin që promovon performancën turistike dhe që historinë e viseve e sheh si të pandarë nga historia e njerëzve. Një “bona fide” mes artit dhe turizmit e vendos artin jo thjesht në funksion estetik, por edhe në dimensionin e vet etik. Të nisesh në Himarë enkas për të takuar, parë dhe dëgjuar Lefter Çipën… Të shkosh në Përmet kastile për të njohur usta Laverin, mund të jenë elemente të një guide turistiko-poetike, krahas guidave të udhëkalimeve të Lord Bajronit, të Eduard Lirit, Edit Durhamit e të shumë e shumë udhëtarëve që erdhën dhe shënuan ç’panë nëpër Shqipëri... Veçse as më parë dhe as më pas letrës që mora prej mikut tim, nuk e kam kuptuar deri në fund se çfarë e pengon turizmin shqiptar të jetë mirëfilli vendas, bazuar në atë që gjendet afër, lehtë, thjesht.

“I dashur Arian. U ktheva i kënaqur nga udhëtimi në vendin tënd. Vërtet interesant, siç më kishin thënë. Shkova në jug, siç më këshillove. Pashë Butrintin, Gjirokastrën dhe Beratin. Vende të mira. Plazhe të bukura. Klimë e mirë. Fjeta tri net në hotel Belle Vue Hotel, në Dhërmi, ku shijova spaghetti ai ricci di mare con limone e mentuccia romana, piva verë Corvo, birrë Amstel, dëgjova dy DJ holandezë dhe pagova me euro. S’kam dyshim, miku im, ju do të hyni para nesh në Europë. Ju jeni plotësisht një vend europian, miku im... Të falënderoj për itinerarin, good luck, Saša.”

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama