Kazinotë do të zhvendosen vetëm në zonat turistike dhe nuk do të lejohen më në qendrat e banuara, ndërsa sallat e basteve sportive do të jenë me numër të reduktuar. Qeveria ka miratuar një projektligj të ri për lojrat e fatit, i cili ndryshon rrënjësisht mënyrën se si rregullohet industria e kumarit në vend.
Drafti, i cili është dërguar për diskutim në Parlament, shtrëngon kriteret e liçencimit, por edhe rrit fort taksat për të gjitha llojet e aktiviteteve të bixhozit. Për bastet sportive, numri total i sallave do të reduktohet në 500 dhe nuk do të lejohet të ndërtohen në distancë më të vogël se 200 metra nga njëra-tjetra. Po kështu, shoqëritë që ushtrojnë këtë aktivitet, ndryshe nga më parë nuk do të kenë më liçençë me afat të pakufizuar, por me afat 10-vjeçar dhe për ta marrë atë do të paguajnë 200 milionë lekë.
Për bingon kombëtare, afati do të jetë po dhjetëvjeçar, ndërsa tarifa për të marrë liçencën është vendosur 40 milionë lekë, ndërsa për kazinotë dhe llotaritë kombëtare tarifa e liçencimit varion nga 40 milionë deri 1 miliardë lekë. Megjithatë, ndryshimi më i fortë që sjell ligji i ri është ai i skemës së taksimit. Aktualisht taksat mbi kumarin janë fikse mbi numrin e sallave, nipteve apo makinave elektronike, në varësi të llojit të aktivitetit.
Me ligjin e ri, taksimi do të jetë në përqindje mbi xhiron që realizojnë. Përkatësisht, bizneset e të gjitha llojeve të bixhozit do të paguajnë si taksa në shtet 25 për qind të të ardhurave bruto që ato realizojnë. Parlalelisht mbi këtë taksë, organizatorët e lojrave të fatit do të paguajnë edhe një tarifë prej 3 për qind mbi të ardhurat për llogari të Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojrave, MF dhe 0.2 për qind në Ministrinë e Sporteve. Qeveria thotë se përmes ligjit të ri do të disiplinojë industrinë e kumarit, reduktojë përhapjen e këtij fenomeni dhe do të mbrojë më shumë qytetarët.