Cirku Kombëtar nuk do të cenohet dhe për këtë keni garancinë time dhe të dikasterit që unë drejtoj. Kështu është shprehur ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, lidhur me problematikën e mbylljes se cirkut, që ka shqetësuar punonjësit e institucionit të Cirkut Kombëtar, të cilët vetëm një ditë më parë kërkonin mbështetjen e ministres.
E pyetur nga gazetarët pas aktivitetit të dhurimit të 2280 fotografive nga “Foto Studio Kallfa” për Fototekën Kombëtare “Marubi”, e cila u organizua në mjediset e Ministrisë së Kulturës, Kumbaro theksoi: “Fjala ime është garanci për çadrën e cirkut, e cila nuk do të lëvizë pa u gjetur një tjetër godinë dhe së bashku me pronarin dhe Bashkinë e Tiranës jemi në një proces për të respektuar edhe të drejtat e pronarit, edhe anën procedurale dhe njëkohësisht pa cenuar asnjë moment aktivitetin e Cirkut Kombëtar”.
Kumbaro shtoi se janë kryer veprimet procedurale për të kundërshtuar veprimet e Përmbarimit. Një ditë më parë, punonjësit e Cirkut Kombëtar iu drejtuan publikisht ministres duke kërkuar të mos lejojë mbylljen e cirkut, duke qenë se kjo e fundit do të ndodhte nga zhvillimi i disa seancave gjyqësore nga pronari, i cili ka blerë truallin dhe ka fituar të drejtën për të zhvendosur çadrën e cirkut të Tiranës.
Zyra e Përmbarimit pritej të ekzekutonte vendimin për çmontimin e çadrës, por drejtuesit e cirkut dhe Sindikata e Artistëve e kanë penguar, duke protestuar e kundërshtuar një vendim të cilin ata e kanë konsideruar të padrejtë.