Kumbaro Do rishikohet ligji per trashegimine

Kumbaro: Do rishikohet ligji per trashegimine

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, flet në Komisionin e Medias për reformat që do ndërmerren me Trashëgiminë Kulturore
“Ligji për trashëgiminë kulturore është goditur nga Këshilli i Ministrave në mënyrë të paligjshme. Ka nevojë për ndryshim në ligj dhe ne po punojmë për këtë. Drejtoritë Rajonale të Monumenteve duhet të jenë aty ku janë objekte dhe parqe që kanë nevojë për ruajtje, sepse ka zona ku nuk ka askënd që të kujdeset për to. Duhet mbulim më i mirë i territorit”, tha Kumbaro

Reformat në trashëgiminë kulturore do të bëhen duke bashkëpunuar me sektorin privat. Kështu është shprehur ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, gjatë një seance dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Medias gjatë ditës së djeshme. Në rend të ditës ishte trajtimi i çështjeve si: politikat e Ministrisë së Kulturës në mbrojtje të trashëgimisë kulturore, menaxhimi i trashëgimisë kulturore si bazë për turizmin kulturor, përmirësimet e nevojshme në ligjin “Për Trashëgiminë Kulturore” dhe pika të tjera. Në prezantimin e dëgjesës së parë për deputetët anëtarë të Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Kumbaro, vuri theksin te prioritetet dhe objektivat që kjo ministri do të promovojë për mbrojtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore. Duke e cilësuar trashëgiminë kulturore si tejet të pasur dhe si aset i jashtëzakonshëm i kulturës sonë kombëtare e më gjerë, ministrja Kumbaro theksoi se, reforma në trashëgiminë kulturore do të përfshijë disa dimensione si aspekti ekonomik, teknik, ligjor dhe administrativ.

 

Duke u ndalur në nismat konkrete që do të ndërmerren për të rikthyer imazhin e duhur të trashëgimisë, të humbur këto vite, Kumbaro tha se “shteti nuk e përballon dot vetëm mbrojtjen e trashëgimisë”. “Do  të ketë reformë në sistemin e trashëgimisë kulturore. Shteti nuk e përballon dot i vetëm mbrojtjen e trashëgimisë ndaj dhe është domosdoshmëri afrimi me sektorin privat, por pa cenuar trashëgiminë. Më parë na duhet ta shpëtojmë nga rreziku dhe shkatërrimi ndaj edhe një nga veprimet e para ka qenë frenimi i së keqes me të moratoriumin e ndërtimeve në Gjirokastër, Berat e Krujë”. Trashëgimia kulturore ka qenë një ndër fushat më të dëmtuara gjatë këtyre 23 viteve dhe një nga synimet që Kumbaro bëri publike që kur mori postin e ministres ishte pikërisht rikthimi i saj në standardet e duhura. Duke folur për nismat e ndërmarra nga ministria ajo tha se është nisur puna në këtë drejtim në të gjitha qendrat e rëndësishme. “Kemi nisur punën me një analizë të detajuar të situatës jo vetëm dosje për dosje, por duke prekur çdo qendër të rëndësishme. Sistemi kërkon një reformë në shumë aspekte, ligjor, administrativ e ekonomik”, tha ajo.


Por reformimin, Ministria do ta bëjë në dialog me pushtetin vendor, i cili është po kaq i rëndësishëm në këtë proces. Sipas Kumbaros, puna për trashëgiminë është konceptuar në dy pista. E para ka të bëjë më ristrukturimin e drejtorive të Trashëgimisë në ministri dhe e dyta me riformatim të Këshillit Kombëtar të restaurimeve dhe arkeologjisë. Sipas saj ka mbivendosje kompetencash nga neglizhencat dhe përqendrimi i vendimeve në një dorë, çka sipas saj, sjell probleme në zbatimin e ligjit.


“Ligji për trashëgiminë kulturore është goditur nga Këshilli i Ministrave në mënyrë të paligjshme. Ka nevojë për ndryshim në ligj dhe ne po punojmë për këtë. Drejtoritë Rajonale të Monumenteve duhet të jenë aty ku janë objekte dhe parqe që kanë nevojë për ruajtje, sepse ka zona ku nuk ka askënd që të kujdeset për to. Duhet mbulim më i mirë i territorit. Kjo sjell dekoncentrim të sistemit, drejtoritë kthehen në qendra ekspertize. Kjo skemë lejon drejtoritë rajonale të zbatojnë ligjin për trashëgiminë”, tha Kumbaro.

Për deputetët e Komisionit të Edukimit dhe Mjetet e Informimit Publik, ministrja e Kulturës shpjegoi ndër të tjera qasjet e reja të politikave kulturore-artistike, të cilat i cilësoi si platforma kreative për rivitalizimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë artistike dhe kulturore të vendit. Më tej deputetët e mazhorancës dhe të opozitës drejtuan pyetje dhe morën përgjigje nga ministrja e Kulturës lidhur me ndryshimet në ligjin “Për Trashëgiminë Kulturore” dhe legjislacionit për kulturën në tërësi, reforma në administratën respektive, problemet e koleksioneve të veprave të ndryshme të artit dhe trashëgimisë kulturore, gjendja dhe problematikat e muzeve dhe parqeve arkeologjike etj.

Box

100-vjetori i Pavarësisë

Një pjesë e koleksioneve të ekspozuara në Kosovë mungojnë
 

Një pjesë e koleksionit së 260 thesareve të trashëgimisë kulturore, që u ekspozuan në Kosovë me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, mungojnë. Kështu ka deklaruar dje ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, duke thënë se ka mospërputhje mes procesverbaleve të dorëzimit dhe të kthimit në atdhe të këtij koleksioni. Madje, koleksioni i rrallë, ndryshe nga udhëtimi që kanë bërë në muzetë e Italisë, në atë të Kosovës, jo vetëm kanë qenë pa leje, por edhe pa polica sigurimi. Ministrja e Kulturës ka deklaruar se të gjithë institutet e monumenteve në vend do t’i nënshtrohen një reforme të thellë, ku synohet që të ketë më shumë specialistë në terren që verifikojnë situatën. Kumbaro i është përgjigjur interesimit të anëtarëve të Komisionit të Medias edhe për sa i përket çështjes së shtëpisë së flamurit në Korçë. “Ky monument nuk ekziston më. Trualli u shtrua me pllaka. Po e trajtojmë me prioritet. Kam thirrur në takim pronarët e shtëpisë. Do të diskutojmë për këtë çështje. Vullneti ynë është të rigjejë formën që kishte më parë”, tha Kumbaro.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama