“Në asnjë moment nuk kemi thënë që shteti shqiptar të jetë kundër koncesioneve ose qirave për sa kohë ato janë të parashikuara nga ligji, por ne jemi kundër çdo forme abuzimi në monumentet e trashëgimisë kulturore”. Kështu është shprehur dje ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Duke marrë shembull anulimin e koncesionit në Kalanë e Lezhës vetëm pak ditë më parë, ajo tha se “veprimi ynë me Kalanë e Lezhës ishte vënie në vend e një procedure të abuzuar e të keqpërdorur, ku ishin shkelur të gjitha rregullat e parashikuara nga ligji lidhur me procedurat e koncesionit, ose qirasë”. “Pas rishqyrtimit të projektit teknik u pa që ishte i papajtueshëm me potencialin arkeologjik të vetë Kalasë. Kalaja e Lezhës ka një specifikë, ajo ka një potencial nëntokësor arkeologjik shumë të pasur dhe si e tillë çdo ndërtim sipër saj do të ishte i dëmshëm për atë lloj potenciali”, tha Kumbaro.
Sipas saj, rivitalizimi i aseteve ose pasurive kulturore nuk do të thotë prishje e tyre, nuk do të thotë përfitim vetëm në interes të zhvillimit të biznesit por do të thotë gjetje të interesit të biznesit në mbrojtje dhe ruajtje të pasurisë kombëtare të trashëgimisë kulturore. Projekti për Kalanë e Lezhës sipas saj kishte shkelje të procedurave, dhe ishte projekt i papajtueshëm me pasurinë arkeologjike të vendit. Dhënia me koncesione te privatët e monumenteve pjesë të trashëgimisë kulturore, pritet të sjellë dhe ndryshime në ligjin për trashëgiminë. “Zhvillimi i interesave të biznesit në afërsi ose pranë trashëgimisë kulturore, si burim turizmi, do të bëhet brenda disa rregullave. Duke qenë se kjo është një eksperiencë e re, pra nuk kemi një praktikë të vendosur, gjykoj se është e nevojshme që ligji i trashëgimisë kulturore përveç aspekteve të tjera ka nevojë të rishikohet edhe në këtë drejtim”, tha Kumbaro. Lidhur me debatet e ngritura mbi “privatizimin” e një pjese të Parkut Kombëtar të Butrintit, Kumbaro tha se “çështja është në shqyrtim”.
“Dosja është duke u shqyrtuar, por dua të sqaroj se kjo nuk është një dosje që është vetëm në mekanizmat që disponon Ministria e Kulturës. Shteti vepron me shumë mekanizma dhe me shumë agjenci. Kështu që jemi në një koordinim me agjencinë e kthimit të pronave, Ministrinë e Drejtësisë etj., për të arritur në informacionin e plotë dhe për të dalë me instrumentet e duhura për të avancuar më tej me këtë çështje. Ju siguroj se qeveria është shumë e vendosur për të mos lëshuar asnjë centimetër nga trashëgimia kulturore sikurse është shumë e angazhuar për të gjetur të gjitha terrenet e mundshme të bashkëpunimit mes interesit të biznesit privat edhe të ruajtjes së trashëgimisë; njëra nuk përjashton tjetrën”, tha Kumbaro.
Këto deklarata, ministrja e Kulturës i bëri pas nënshkrimit të një marrëveshjeje që u bë dje midis Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit TIKA, lidhur me ndërhyrjet fizike për mirëmbajtjen e monumenteve historike dhe kulturore në qendrën historike të Gjirokastrës. “Hapi i mëvonshëm i kësaj marrëveshjeje do të jetë rilevimi dhe ndërtimi në 3D i qendrës historike, i cili do të përcaktojë ndërhyrjet e duhura në monumentet e veçanta të kulturës në qendrën historike të Gjirokastrës sipas specifikimeve teknike dhe prioriteteve që do të paraqiten prej grupit të punës”, tha koordinatori i programit të Agjencisë Ndërkombëtare Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim në Tiranë, prof.dr. Birol Çetiku. Marrëveshja synon mirëmbajtjen e kësaj qendre historike sipas kërkesave të UNESCO-s. Marrëveshja u nënshkruar nga sekretarja e Përgjithshme në Ministrinë e Kulturës, znj. Elira Kokona dhe koordinatori i TIKA-s në Tiranë, prof.dr. Birol Çetin.