Kumbaro rrezon hotelin ne kalane e Lezhes

Kumbaro rrezon 'hotelin' ne kalane e Lezhes

Pas debateve të shumta lidhur me projektin për dhënien me qira të Kalasë së Lezhës dhe të disa monumenteve të tjera, me qëllim përdorimin e tyre nga bizneset private ka qenë vetë ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila ka hedhur poshtë këtë projekt.

Kumbaro ka deklaruar se ka ekzistuar një projekt, i cili tashmë është pezulluar dhe se prej saj nuk do firmoset.

“Ka patur një projekt për të ndërtuar hotel dhe disa ambiente të tjera në Kalanë e Lezhës dhe sot nuk ka asnjë hotel të tillë, sepse nuk është avancuar ky projekt. Ai është në fazë rishqyrtimi. Unë isha vetë në Kalanë e Lezhës para një jave. Nuk ka nisur asnjë punim, sepse nuk ka asnjë kontratë të nënshkruar për atë projekt. Do të shikohen rast për rasti të gjitha ndërtimet të cilat janë pa leje. Do të jenë objekt i prishjes dhe do të shikohen edhe vendimet që janë marrë përfshi këtu edhe Këshillin Kombëtar të Restaurimeve, siç është rasti për Kalanë e Lezhës, që unë nuk e finalizoj me një kontratë”, tha Kumbaro.

Gati dy vite më parë, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve paraqiti një projekt për rijetëzimin e monumenteve të kulturës, ku mes tyre ishte dhe Kalaja e Lezhës. Në këtë kala historike nisi ndërtimi i një muri betoni, i cili dëmtoi muret antike të saj. Ministri i kohës Aldo Bumçi, deklaroi se ky projekt, i cili jepte me qira monumentet e kulturës për t’i shndërruar ato në restorante apo hotele, ishte konform ligjeve. Por i menjëhershëm ishte dhe reagimi qytetar kundër këtij projekti, i cili sipas tyre dëmtonte vlerat historike të Shqipërisë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama