“Shtatë yjet”, kështu quhej ekspozita që artisti shqiptar Saimir Strati, rekordmen i Guinness, hapi në datat 22 shkurt – 29 mars në qytetin Ponte de Sor në Portugali, pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Artit “Sete Sois, Sete Luas”. Teknikat e përdorura nga Strati për realizimin e mozaikëve a veprave të tjera artistike, kanë tërhequr vëmendjen e kritikës dhe publikut. Mediat portugeze shkruan “gjeniu i mozaikëve”, teksa kërkonin të gjenin elementë të ndryshëm që e kishin bërë këtë artist që vinte nga Shqipëria të sfidonte shtatë herë rekordet Guinness dhe të thoshte se ende nuk ka përfunduar. Këtë e pohon edhe vetë Strati, tashmë që është kthyer nga ky udhëtim frymëzues, nga eventi i krijuar nga vetë nobelisti Saramago. “Kam ende ide brenda meje…”, – thotë ai, si për të treguar se do të vijojë të tentojë të jetë sërish pjesë e librit magjik të Guinness. Gjatë qëndrimit në Ponte de Sor, Strati realizoi një mozaik me tapa vere, të cilin ia dhuroi galerisë së arteve të qytetit. Mbajtës i shtatë titujve Guinness, Strati karakterizohet për krijimet e tij të mrekullueshme të këtij arti mijëravjeçar të realizuara me materiale industriale. Strati ndërthur përdorimin e teknikës antike me materialet moderne. Një ndër mozaikët interesantë me të cilin ai u fut për herë të gjashtë në rekordet Guinness ishte edhe ai i punuar me kokrra kafeje “Lori Caffe”, ku shfaqeshin një valltare braziliane, një daullist japonez, një këngëtar amerikan i muzikës country, një akordionist europian dhe një dualist afrikan. Mesazhi i kësaj pune ishte “një botë, një familje, në një filxhan kafeje”. Ai ka punuar një portret të Leonardo Da Vinçit me gozhda, një kalë në galop me kruese dhëmbësh, kopjen e famshme të Mesdhetarit me tapa të shisheve të verës, këngëtarin Michael Jackson me brusha pikturimi si dhe poetin grek Homeri me bulona industrialë. Rekordin e shtatë ai e theu në Prishtinë me një mozaik 63 metra katrorë, ku me 620 kg fasule krijoi shqiponjën dykrenare.
Sapo jeni kthyer nga Portugalia, ku ishit pjesëmarrës në një prej festivaleve më të njohur të artit në këtë vend. Mund të na flisni diçka më tepër për këtë aktivitet?
Nga data 22 shkurt deri më 29 mars unë isha në Portugali, si i ftuar në festivalin ndërkombëtar të artit “Sete sois sete luas”, tepër i rëndësishëm në fushën e kulturës, krijuar nga ideja e nobelistit Jose Saramago. Mozaikët dhe 18 veprat a artit që prezantova në këtë event tërhoqën vëmendjen jo vetëm të publikut por edhe të kritikëve vendas. Koleksioni i veprave të mia u quajt nga kuratorët e festivalit “Shtatë yjet”, jo vetëm për faktin që unë isha fitues i shtatë rekordeve Guinness, por edhe për risitë që sillnin në gjininë e mozaikut modern botëror. Mediat portugeze e pritën shumë mirë këtë ekspozitë, duke më cilësuar edhe si “gjeniu i mozaikut modern”, e kjo gjë solli një interes të madh te publiku, i cili çdo ditë nuk mungonte për të vizituar ekspozitën. Drejtori i përgjithshëm i festivalit, e quajti ekspozitën një risi në fushën e artit botëror.
Veprat u ekspozuan në galerinë e artit në qytetin Ponte De Sor, i famshëm në botë për prodhimin e tapave të verës. Pjesë e aktivitetit ishin dhe shtatë leksione për studentët e arteve, ku fola mbi mozaikët dhe në veçanti mbi kulturën 3500-vjeçare të tyre në Shqipëri. Duke bërë një shembull, unë realizova një mozaik me tapa vere, subjekti i së cilës ishte një portret në dimensione 3 m x 3 m, me rreth 23 000 tapa vere. Kjo vepër mbeti në fondin e galerisë në qytetin mikpritës Ponte De Sor. Veprat e mia u bënë pjesë e katalogut të këtij festivali. Gjatë këtij aktiviteti u nderova dhe me “Mirënjohjen e qytetit” nga kryetari i Bashkisë së Pode De Sor, z. Hugo Luis Perieria Hilario. Kryebashkiaku më ftoi publikisht që gjatë vitit 2015 të realizoj një rekord Guinness në Portugali. I ftuar nderi në ekspozitë ishte dhe ambasadori i Shqipërisë në Portugali, z. Edmond Trako. Audienca e ekspozitës bënë që organizatorët e këtij festivali t’i çojnë këto vepra për ekspozim në qershor në Pizza, Itali.
Në fakt, ju jeni shprehur se synoni një tjetër Guinness dhe këtë herë do ta realizoni me materiale të riciklueshme?
Është përcaktuar nga autoritetet e rekordeve Guinness, me qendër në Londër, ideja ime për realizimin e mozaikut më të madh në botë me materiale të riciklueshme. Kjo tentativë është e veçantë, pasi askush më parë në botë nuk e ka realizuar një rekord të tillë. Kjo tentativë është përkrahur nga shoqata botërore “Let’s go Green” dhe filiali i saj në Shqipëri “Green Line”. Mesazhi Ndërkombëtar i Rekordit do të jetë: “Save the Earth” (Të mbrojmë Tokën). Do të dëshiroja ta realizoja këtë rekord botëror në Shqipëri me bindjen se do të kuptohet dhe mbështetet nga gjithë shqiptarët.
Shqipëria ka një traditë të mozaikëve…A reflektohet kjo në punët tuaja?
Shqipëria ka një traditë shumë të hershme, rreth 3500-vjeçare në kulturën e mozaikëve. Në 30 vjet të karrierës sime në realizimin e mozaikëve kam përdorur dhe ruajtur mënyrën antike të realizimit. Ashtu si të gjitha gjinitë e artit, edhe mozaiku si art elitar ka pafundësinë e tij dhe përfshin shumë sekrete. Kohët moderne e shtyjnë artin drejt industrializimit. Këtij fenomeni nuk mund t’i shpëtojë edhe mozaiku. Kjo është arsyeja pse unë, në të kundërt të tendencave për ta kthyer artin në industri (do ta quajnë sëmundje industriale), në rekordet e mia Guinness kam përdorur elementë industrialë për t’i kthyer në art.
Si lind te ju një vepër arti?
Veprat e artit lindin së bashku me artistin. Nëse pyesni për motivet do t’u përgjigjesha: “Gjithmonë ka një motiv”. Unë jam kundër abortit artistik. Kjo nënkupton dëshirën, pasionin dhe dashurinë që artisti duhet të transmetojë te vepra e tij. Mendoj që sekreti qëndron te dashuria për krijimin. Të gjithë duam, por, duhet të dimë të duam.
Përse ju tërheqin të rekordet, të pamundurat?
Të jesh rekordmen botëror është ëndërr e miliona njerëzve anembanë botës. Miliona e miliona aplikojnë për të qenë një herë të vetme në jetë të regjistruar brenda Librit të Famshëm, të rekordeve Guinness, por pak, shumë pak ia arrijnë t’ia dalin me sukses. Momentalisht unë jam shtatë herë rekordmen botëror dhe kjo për mua është një ëndërr e mbyllur dhe një legjendë e hapur. Brenda meje kam ende shumë ide…