Është fare e drejtë që një gazetë duhet të luftojë më tepër parimet se sa personat e kundërshtarëve. Shumë e vërtetë, po kjo nuk domethënë se personat e kundërshtarëve janë të shenjtë e nuk duhen ngarë. Aspak. Duhen goditur edhe personat, se këta përfaqësojnë parimet, se shpesh është e pamundur të ndash personin nga parimi. Që ta themi më shkoqur, duhet të luftojmë më tepër parimin e feudalizimit se sa personat e feudalëve si Ahmeti e Vërlaci, po kjo nuk domethënë se s´duhet të goditim asfare personat e Ahmetit e të Vërlacit. Përkundër, këta duhet t´i goditim pa mëshirë se këta përfaqësojnë feudalizmin, se është e pamundur ta ndajmë parimin e feudalizmit nga personat e feudalëve. Në qoftë se luftojmë vetëm parimin e feudalizmit dhe nuk i ngasim personat e feudalëve as me trëndafil, ahere luftojmë në erë, se nga një luftë e atillë nuk u behet asnjë dëm as feudalëve, as feudalizmit. Për të rrëzuar kalanë e feudalizmit duhen rrëzuar kolonat e saj kryesore dhe këta janë feudalët, bejlerët me Ahmetin e Vërlacin në krye. Dhe përgjithërisht, për të mundur kundershtarin nuk arrin të goditësh vetëm parimet e tyre, i bie legenit më kot. Mund të jetë e papëlqyer, se hyn në sherr me njërin e me tjetrin, po s´ka si behët ndryshe. Dhe këtu s´kemi ardhur për të luftuar kundër erës me një mënyrë akademike, po kundër kaktorëve të gjallë të katasrofë kombëtare.