Gjermania është e fortë. Shumë e fortë. Ajo nuk ka defekte. Gjermania është favorite dhe të shtunën do të zbresë në fushë për të prerë biletën e gjysmëfinales.
Mediat gjermanë në periudhën e fundit duket se e snobojnë ndeshjen kundër Italisë, mirëpo të kaltrit nuk janë po aq të sigurt se do bëjnë gati valixhet e tyre për t'u rikthyer në shtëpi.
Pas së përditshmes "Bild", dje ishte radha e uebsajtit italian "SportMediaset", i cili renditi 7 arsyet pse Italia duhet të besojë te kualifikimi, duke u kthyer në këtë mënyrë një kundërpërgjigje kolegëve gjermanë.
1- Gjermanët flasin shumë, por brenda tyre mbizotëron frika e një tjetër dështimi. Tradita, që peshon mjaft në të tilla përballje, flet shumë qartë në favor të italianëve, të cilët nuk numërojnë asnjë humbje në ndeshjet zyrtare kundër "Pancerave". Frika nuk është kurrë një shoqëri e mirë për të udhëtuar, pasi një tjetër disfatë rrezikon të krijojë një ngërç psikologjik në kokën e çdo gjermani.
2- Është e vërtetë që Gjermania deri më tani nuk ka pësuar asnjë gol. Mirëpo, a mjafton kjo për të thënë që mbrojtja e tyre është më e mirë se ajo e të kaltërve? Italia është ndëshkuar vetëm një herë nga Irlanda, teksa "banda" e Antonio Kontes e kishte siguruar vendin e parë në grup.
"BBC"-ja është një ekskluzivitet që e kanë vetëm italianët, një mur që lojtarët e kalibrit si Hazard, De Bryn, Ibrahimoviç, Iniesta dhe Morata nuk arritën dot ta kapërcenin.
3- Mario Gomez është rikthyer të shënojë, mirëpo të gjithë e mbajnë mend sa vështirësi hasi gjermani në dy sezonet e tij në Itali kundër skuadrave që mbrohen mirë, aq sa në fund zgjodhi të luante më mirë në Turqi. Aty e ka më të thjeshtë të shënojë.
4- Antonio Konte është njeriu i 12-të në fushë për italianët. Kjo bën diferencën: pa i hequr gjë Lëvit, trajneri i të kaltërve është i vetmi që ka aftësinë për të transformuar një grup në skuadër dhe tifozë njëkohësisht.
5- Fanella e "axurrëve" (si në versionin blu ose në atë islandez) sjell fat. Bluja funksionon kundër të bardhës: Italia mundi Spanjën, ndërsa Islanda eliminoi Anglinë. Po funksionon edhe bluja e Francës. Me pak fjalë është një ngjyrë që i shkon Europianit.
6- Janë etiketuar "gjyshër" nga mediat gjermane, mirëpo këto të fundit harrojnë se ekipi i Kontes ka vrapuar më shumë se çdo skuadër, më shumë edhe se "pancerat", ku trajneri Lëv është i fiksuar pas gjendjes fizike. Për italianët flasin të dhënat, pjesa tjetër janë thashetheme.
7- Bufon është më i fortë se Nojer. Italianin e favorizon edhe mosha 38-vjeçare, pasi ka fituar pjekurinë e duhur që i shërben një kapiteni të mirë për të karikuar skuadrën.