Kupa e Krishtit mbrohej nga shqiptaret

Kupa e Krishtit, mbrohej nga shqiptaret

Shtëpia Botuese “Saras” hedh në treg romanin e dytë të shkrimtarit dhe historianit të njohur anglez, Jason Goodwin, “Guri i gjarprit”. Një tjetër aventurë e detektivit Jashim në Stambollin e vitit 1838, na zbulon misteret e një qyteti që kërkon të lërë pas të shkuarën

Popujt nuk do të jenë asnjëherë të qetë për sa kohë do të hedhin vështrimin te historia. Të gjitha luftërat, konfliktet e zgjatura etnike dhe tensionet që ndodhin sot jo vetëm në rajon, e kanë origjinën te historia. Për sa kohë do të hedhim vështrimin tek e shkuara, e tashmja do të jetë e trazuar. Historia dhe raporti që duhet të mbajmë me të, është një debat që mbetet i hapur jo vetëm në vendet postkomuniste siç jemi ne, por edhe për qytetërimet e vjetra. Shtëpia botuese “Saras” sapo ka hedhur në treg romanin e dytë të shkrimtarit dhe historianit të njohur anglez, Jason Goodwin, “Guri i gjarprit”, një triller historik, i cili provokon pikërisht këtë temë, raportin me historinë. Libri është vazhdimi i “Pemës së Jeniçerëve”, dhe vjen i përkthyer nga Fari Laçka. Nëse te libri i parë, Goodwin kërkonte të zbulonte arsyet që e çuan Sulltan Mahmutin e II, të ekzekutonte brenda një nate një ushtri të tërë jeniçerësh, pjesa më e madhe e të cilëve ishin shqiptarë, te “Guri i gjarprit” , Goodwin kërkon të shohë më në thellësi të qytetit (Stambollit), duke depërtuar thellë. I dashuruar pas librave, ai e nis fabulën e tij nga një libër, që ashtu si të gjithë librat e vjetër, përmbajnë kode, deshifrimi i të cilave mund të përmbysë sisteme.

 

Të vërtetat mund t’i gjesh vetëm në libra, shkruan diku Goowdin, si për t’u bërë homazh të gjithë kronikanëve dhe të pasionuarve pas përshkrimeve që nga koha e Justinianit. Por, a kemi ditur ta lexojmë siç duhet historinë, apo shpesh e kemi fshehur a djegur për të mos penguar të tashmen? Një libër i shkruar në vitin 1453, nga Giliusi, i jepte një tjetër përfytyrim Stambollit, të vitit 1838. Ai përshkruante aty tre qytete njëri pas tjetrit. I pari ishte Konstandinopoli klasik i shekullit të pestë. Me këtë libër në dorë ai ishte përpjekur të njësonte përmendoret dhe pallatet e vjetra, shumica e të cilave ishte vetëm rrënoja. Në të përshkruhej dhe për një Kostandinopojë tjetër. Qyteti që u ngrit në shekujt e mëvonshëm gjatë mijëra viteve nën ndikimin e fesë greke, ligjeve romake dhe gjuhës greke, po ndryshonte para syve të tij. Pastaj qyteti ra në dorën e osmanëve…Ky libër ishte në një librari të vjetër në Stamboll, mes mijëra librave të tjerë.

 

Kur Jashimi (personazhi kryesor) mbërriti për herë të parë në këtë librari , ishte i interesuar për letërsinë franceze, dhe nuk mund ta mendonte se ato libra të vjetër nga koha, mund t’i ndryshonin rrjedhën qytetit… “Guri i gjarprit” na fut në një histori magjepsëse konspiracioni, duke na treguar se historia do vijojë të jetë akoma, një botë grishëse ku shkrimtarët do të ndalen shpesh. Detektivi Jashim, ky personazh me një kulturë të jashtëzakonshme, njohës i mirë i artit të kuzhinës, këtë herë rikthehet në Stamboll për një mision më të vështirë. Jemi në Stambollin e vitit 1838, kur Perandoria Osmane është drejt fundit. Sulltan Mahmuti i II është në prag të vdekjes dhe qyteti zhurmon nga thashethemet dhe ndihet i pasigurt.

Mbërritja e papritur e një arkeologu francez, Maksimilian Lëfëvre, i cili gjurmon thesare të fshehura të kohës bizantine, ndër të cilat edhe kupa e shenjtë e përdorur nga Krishti në natën e fundit të jetës së tij, krijon pështjellim në komunitetin grek, i cili i ruan ato thesare dhe relike me shumë fanatizëm. Teksa nis të hetojë për mbërritjen e Lëfëvre në qytet, papritur arkeologu gjendet i vdekur. Pak ditë më vonë është librashitësi ai që gjendet i vrarë…Ndërsa gjenden edhe kufoma të tjera, Jashimi duhet të zbulojë të vërtetën rrëqethëse pas një shoqërie të fshehtë e përkushtuar ndaj qëllimit për të ringjallur Perandorinë Bizantine, duke hasur gjatë udhës personazhe tepër mbresëlënëse siç është dhe mjeku i Lord Bajronit.

Nëna e sulltanit Valideja, një personazh që lexuesi e ka takuar te “Pema e Jeniçerëve” është sërish dhe te ky libër. Ajo vijon të mbetet gruaja, bisedat e së cilës me Jashimin janë rrëfimi më i mirë për kohën. Valideja është mendja e Turqisë së ardhshme moderne, një grua që nuk lodhej së lexuari Balzakun, apo Stendalin, “Të kuqen dhe të zezën” në faqet e këtij libri. Goodwin, si historian nuk mund të shkruante një tjetër histori për Stambollin, pa shqiptarët. Që në ditët e tij të para në këtë vend, si turist, ai e kuptoi se shqiptarët kishin qenë protagonistë të rëndësishëm të jetës së këtij qyteti, jo vetëm si jeniçerë me aftësi të rralla, por edhe si administrues apo shtetar. I gjithë misteri i këtij libri lidhet me rrjetin e ujësjellësit të qytetit, i cili administrohej nga shqiptarët. Një prej tyre Enver Xani, i cili kishte lënë Shqipërinë dhe kishte ndërtuar një jetë në Stamboll duke u martuar me Martën me të cilën kishte dy fëmijë Suelën dhe Shpëtimin, është një personazh i rëndësishëm në libër. Vrasja e tij nxjerr në pah edhe misterin e një serie vrasjesh në qytet, të cilat lidheshin me rrjetin e ujësjellësit. Vetë Goodwin ka treguar se kjo histori është frymëzuar nga një histori e vërtetë, pasi shqiptarët e kanë pasur monopol sistemin e ujësjellësit.

 

“Shoqata e hidraulikëve dhe punëtorët e ujësjellësit, zgjidheshin gjithnjë shqiptarë. Ti e di se çdo të thotë kjo. Disa ishin katolikë, disa ortodoksë. Me kalimin e kohës disa prej tyre u bënë myslimanë. Ata thonë se feja e shqiptarit është shqiptaria. Kurse veten e quajnë bijtë e shqipes”, shkruhet në libër. Në shekullin XIX, pjesa më e madhe e aparatit shtetëror osman, në fakt kontrollohej nga shqiptarët dhe duket qartë që ata kanë pasur ambicie të mëdha në historinë dhe kulturën osmane! Qëndresa ishte e ashpër, por më në fund shqiptarët depërtuan në Perandori si shtetarë apo ushtarakë… Pastaj është edhe Mehmet Ali Pasha, i cili zaptoi Egjiptin dhe e bëri pronë të familjes. Me një mendjemprehtësi të veçantë dhe mjeshtëri të jashtëzakonshme, Jason Goodwin na shpie me këtë libër në një botë me sfida të shumta, ku tradhtia shpaguhet me vdekje, por edhe ku lexuesi ndien një kënaqësi të pafund, duke u njohur me ngjarje dhe personazhe sa tërheqës, aq edhe të pazakontë.

 

Gjuha shqipe është gjuha e 40 nga është përkthyer ky libër. “Guri i gjarprit” e vendos Goodwin në pararojë të prozës me tema të krimeve të mëdha historike. Goodwin ndërthur në librat e tij në mënyrë aq elegante historinë me letërsinë. Qëllimi i një libri nuk është thjesht të tregojë një histori, të bëjë ta jetosh atë, por dhe të lërë diçka brenda teje, atëherë kur faqja e fundit ka përfunduar. Dhe Goodwin ka aftësinë të bëjë që libri të mos përfundojë me mbarimin e faqes së fundit, por të mbetet gjatë brenda teje, bashkë me pyetje-përgjigjet e të cilave ai i ka dhënë përmes fjalive të ndryshme në libër. Detektivi Jashim, i krijuar prej tij, do të vazhdojë të jetë për shumë kohë një personazh i dashur për lexuesit në çdo vend ku do të botohet, pasi misioni i tij është e vërteta. Me të ecurën e tij të qetë, dhe dashurinë që ka për punën, besnikërinë ndaj vendit të tij, Jashimi na njeh me botën e padukshme që ecën njëkohësisht me botën tonë, dhe na bën të lexojmë gjuhën e shenjave.

 

Çdo kush dashurohet me Jashimin, jo vetëm me mirësinë e tij, por dhe me aftësinë për t’i çuar gjërat deri në fund, duke e ndezur dritën dhe në errësirën më të thellë. Në këtë libër, Goodwin e vendos Jashimin jo vetëm përballë sfidave të vështira për të zbardhur një seri vrasjesh, që kanë të bëjnë me fuqitë e fshehta, por edhe përballë një sfide tjetër, vetvetes. Si eunuk, Jashimi nuk mund të bjerë pre e joshjeve të një gruaje, por Goodwin vendos ta “çlodhë” personazhin e tij, duke e vendosur në prehrin e grekes Ameli, bashkëshortes së francezit Lëfëvre. Teksa flasin për botën e zhdukur që përshkruan Giliusi në librin e tij, Sulejmanin e Madhërishëm dhe dashurinë e tij për Rokselanën, buzët e tyre afrohen dhe pasditja i gjeti ashtu gjatë mbi divan… “Guri i gjarprit” nuk është thjesht një triller i bukur historik, por është një libër që i flet kohës, dhe që tregon se “botët e zhdukura”, do të na trazojnë gjithnjë, sa herë do të kemi dëshirë t’u afrohemi. Libri është një rrëfim i ndier për historinë, duke na njohur dhe me një pjesë të historisë sonë, atë të shqiptarëve në Stambollin e shekullit XIX. Historia e detektivit Jashim nuk përfundon me këtë libër. Shtëpia botuese “Saras” do të sjellë për lexuesin dhe librin e tretë të trilogjisë, “Karta Bellini”. Në Britaninë e Madhe sapo ka dalë në treg dhe romani më i ri i Jason Goodwin, “Klubi Bakllava”, në qendër të së cilit është sërish personazhi Jashim. Ky libër do të jetë pjesë e botimeve “Saras”, e cila do të sjellë për lexuesin të gjitha udhëtimet magjepsëse të këtij personazhi në histori. “Guri i gjarprit” është përzgjedhur si kandidat për çmimin CWA Ellis Peters Historical Crime për vitin 2007. “Një detektiv jashtëzakonisht joshës dhe origjinal”, shkruan për librin kritikja Kate Moss.

 

Lord Bajroni për grekët

E di çfarë thoshte Lord Bajroni për grekët? Ata nuk e ndajnë shapin nga sheqeri. E vërteta është se ata komplotojnë për asgjë, dhe kur them “luftonin”, dua të them se nuk ishin të bashkuar. Shumicën e kohës ata kacafyteshin me njëri-tjetrin. Mëkat i madh. Bajroni donte që ata të ishin si grekët klasikë, plot me virtyte të Platonit; por nuk janë ashtu. Asgjë prej tyre. Janë njerëz të mirë, por si fëmijët. Një grek mund të qeshë, të qajë, të harrojë dhe të vrasë mikun e tij më të mirë, dhe të gjitha këto i bën për një ditë.  Kur isha i vogël, krijonim strofa mes gëmushave. Shtriheshim sikur Bonaparti kalonte përmes kopshtit tonë dhe bëheshim gati t’i suleshim atij dhe ushtrisë që udhëhiqte. Ja kështu janë edhe grekët. Stisin botë të fshehta. Në daç quajeni politikë, por është dhe lojë. Luftëtari grek është i guximshëm në fushëbetejë, por vetëm në atë që ekziston në mendjen e tij. Bën masakër mbi shqiptarët, vë përpara turqit dhe Mehmed Aliut i shkon mu te portat e Kajros! I del ballë tërë botës si Aleksandri i Madh, veçse më pas ndez llullën, pi kafe, harron dhe ulet si turqit e vjetër.

 

Një shqiptar vritet në Stamboll

…Enveri mori një shkop nga muri dhe e zhyti në cisternën e madhe të ujit, së cilës i mati thellësinë. Uji që futej mbushte ngadalë njërën anë të cisternës, rridhte në anën tjetër të saj dhe derdhej pa zhurmë nëpër shtatë govata të cekëta në hauzet shpërndarëse. Në orën e caktuar ai duhej të mbyllte rrjedhën e hauzeve numër tre, pesë dhe gjashtë, të hapte tubin për të lëshuar rrjedhën nga hauzi numër dy dhe t’i përcillte sinjalin punëtorit tjetër përmes ujësjellësit kryesor.

Enveri ndjeu një shtrëngim ankthi në kraharor, ndërkohë që kujtonte përmendësh numrat që kishte mësuar. Tre, pesë, gjashtë. Pastaj numri dy. Numrat ishin pjesë e rregullave ashtu si dhe topthi i zgavërt prej kallaji të oksiduar, që shumë shpejt do të dilte nga tubat prurës dhe do të vinte sistemin në punë. Për momentin duhej vetëm të shikonte topthin.

U ul galiç në skaj të ujëmbledhësit, me ballin vrenjtur, i përqendruar te tubi prurës. Uji gurgulloi në buzë të ullukut dhe filloi të rridhte pa pushim brenda ujëmbledhësit si litar i trashë. Herë pas here rrjedha mekej nga pas; ndonjëherë ishte i sigurt që uji vinte jo duke rrjedhur në mënyrë të njëtrajtshme, por me shkulme që nuk viheshin re fare, si gjaku që rridhte nëpër damarë, pik-pik-pik. Ndaj ai mbyllte sytë dhe merrte frymë thellë për të davaritur vegimet. Por a ishte vegim vallë? Shumë nga vëllezërit ishin të aftë të thoshin me saktësi se kur ishte duke ardhur topthi, dhe kur vëllimi i prurjes ndryshonte sadopak, ose kur uji nuk zhaurinte si më parë. – Hap sytë tani. Rri gati, – do të thoshin ata, gjithnjë me sytë katër ndaj ndryshimeve më të vogla dhe duke ndërprerë bisedën. Dhe pa kaluar shumë, topthi prej kallaji rrokullisej brenda ujëmbledhësit, zhytej paksa, pastaj brofte në sipërfaqe dhe rrëshqiste ngadalë anash.

Akoma jo, – mendonte Enveri. Por e kishte llogaritu keq, sepse në çast një cingërimë e lehtë lajmëroi që topthi kishte mbërritur. Nuk e kishte vënë re fare: duhej të kishte rënë kur kishte mbyllur sytë, duke u përpjekur të kuptonte ndryshimin e ritmit të rrjedhës së ujit.

I zhgënjyer, ia nguli sytë ujëmbledhësit. Duhej ta merrte topthin përsëri, të bllokonte disa nga tubat shpërndarës me leckë dhe pastaj ta lëshonte përsëri në tubin shkarkues, nga ku do të ndërmerrte udhëtimin e tij të gjatë përmes Stambollit. Tre, pesë, gjashtë. Pastaj dy. Drita vezulluese që futej nga disa vrimëza në çatinë e dhomës, vallëzonin dhe treteshin në sipërfaqen e ujit, që dukej si pellg vaji i zi dhe i thellë. U përkul duke psherëtirë dhe kapi topthin prej kallaji. Për një çast u duk sikur drita kërceu nga sipërfaqja e ujit mbi mure. Ishte një ndriçim i beftë, të cilin Enveri e kapi me bisht të syrit; pastaj gjithçka u bë përsëri terr dhe atij iu ngjeth trupi. Kishte dëgjuar nga sivëllezërit histori me ifritë dhe shpirtra të këqij që përgjonin në skutat e errëta të ujëmbledhësve. Ndërkohë po bëhej edhe më ftohtë. Mbërtheu topthin me dorë dhe pa fytyrën e tij të pasqyruar në ujë.

Sa hap e mbyll sytë pikasi një fytyrë të dytë që e vështronte nga uji i zi.

Enveri nuk pati kohë të habitej. Zgurdulloi sytë dhe ndjeu ta kapnin nga zverku dhe gjëja e fundit që pa Enver Xani në këtë botë, ishte fytyra e vet që po bëhej njësh me pasqyrimin në ujë, me gojën hapur, por pa mundur të thërriste.


(pjesë nga libri)


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama