Kur Kreshniket luftonin...per kullotat

Kur  Kreshnikët  luftonin...për kullotat

Pse po grinden?”-e pyeti përkthyesin e saj. Ai u përkul mbi një tjetër, të kuptonte gjëkafshë. “Asht e ngatërrueme. Ka pas ik një cuc, që e keshin pague n’djep. Tash xhaku e lan ket punë”, iu përgjigj ai përkthyesit, që rrinte strukur pas gruas së plotë në një kënd të Odës së madhe. “Ani burra, nëse nuk e do, atëhere do ishte më mirë, që të gjente vetë njeriun e saj”, iu përgjigj gruaja burrave me dy pëllëmbë mustaqe, që kishin ulur kryet dhe prisnin të ndahesh muhabeti. “Ne n’Angli e bëjmë shpesh”. Priti sa përkthyesi të bënte punën e tij. Por, zëri i tij, kishte humbur. Ishte rrudhur, më keq se i zoti. “Kenka e marrë”, e zgjidhi punën një nga burrat...

Në fakt, Miss Durhami, që vazhdoi traditën e Bajronit nuk ishte e marrë, por e fashinuar pas eposit dhe të vërtetës historike, që kinse ruanin me fanatizëm shqiptarët e maleve. Të çuditshëm për të, këto qënie të egra epike rrethuar ngado me armiq. Pak ditë më pas, dora-dorës, krahas dashurisë së pamatë për ta, gruaja nuk mundte ta fshihte më groteskun e tyre. Ata luftojnë për barin e bagëtisë. Mjaftohen me pak. Për ata që rreken ta dinë, lufta, në fakt, bëhet për gjërat më normale:Për një sipërfaqe kullote. “Kotësinë” e mbulojnë me bëmat dhe luftën hipotetike, që rapsodët në netët e gjata e tjerrin e tjerrin në telin e lahutës së tyre. “Hakmarrja e detyron shqiptarin, që kur takohet me një të huaj, të mos mbajë atë qëndrim indiferent që është karakteristik për ne. Ai ndalet në një vend të vetmuar,-thotë Hahn- vendos dorën mbi pistoletë dhe i drejton të huajit, pyetjen :”Nga cili fis je”.

Më shkurt, të riut shqiptar që në asht, i ishte skalitur se “ky ose ai fis janë armiq për vdekje të fisit tënd, ata na kanë vrarë aq e kaq njerëz, ose po ta përkthesh fjalë për fjalë ata na detyrohen kaq e aq gjak dhe në rast se do mundesh ta shfarosësh fisin e armiqve të tu atëhere ti do të bëhesh heroi i Shqipërisë”, rrëfen ai...Ipen, një ushqyes i mirë i këtij argumenti, është edhe më shumë prozaik: “Shoqëruesit vendas e kanë të vështirë ta bëjnë identifikimin e majave që janë afër tyre, duke qenë se hasmëritë e fiseve dhe të tjera grindje e bëjnë të pamundur që vendasit të shëtisin lirshëm nëpër krejt Malësinë...”. Në kronikat e kohës, shkruhet se atentati ndaj Ali Pashë Gucisë, heroit të Lidhjes, ndodh për shkak të pakënaqësisë së fisit të Rugovës, që humbet në kufirin e ri disa kullota në favor të Malit të Zi.





Pak histori
Sikur të flasësh për një sipërfaqe qindra-mijëra kilometra², lufta bëhet nga tre grupe etnografike të mëdha. Larg historisë së eposit, ajo bëhet thjesht për mbijetesë, ndërsa kudo gjaku vulos gjithçka. Shqiptarët duket se rrojnë vetëm me ajrin, nderin dhe barin. Malësia e Madhe (Hoti, Gruda, Kelmendi, Shkreli, Kastrati, Rjolli, Reçi, Loheja, Kopliku); Dukagjini ( Shala, Shoshi, Nikaj, Mërturi, Kiri, Plani, Xhani, Temali, Tolana, dhe Shllaku); Malësia e Gjakovës (Gashi, Krasniqja dhe Bytyçi)...janë në luftë të parreshtur për vetëm...një rrip kullotë. Kush guxon të kalojë në kullotën e tjetërkujt, qoftë dhe kot, e pret pushka, pastaj varda gjaku.

Kreshnikët dhe lufta e tyre
Cikli i Kreshnikëve është i lokalizuar në Jutbinë. Flitet për dikur shekullin e IX, X, XI. Në variantet e ndryshme, vëllezërit e përbashkët Mujo e Halil, që veprojnë bashkë me një tufë kreshnikësh të tjerë si Zuku Bajraktar, Omirin e plot të tjerë me emra islamikë, që të kujtojnë okupacionin turk... Muji dhe Halili me 300 agot (titull fisnikërije në mesjetën e lashtë) bëjnë rrëmujë pa fund?! Me qendër Jutbinën, lufta shtrihet mandej me rradhë me Klladushën, Lugjet e Verdha dhe më poshtë në bjeshkë e kullota të pasura, ku mijëra bagëti e qindra barinj e stane, çonin jetën si blegtorë të zotë dhe trima, shkruan Kolë Jakova. Por, këta njerëz kanë një vend me Pazar dhe kuptohet me artizanat. Kishte berber, nallbanë, saraçë, rrobaqepës. Njerëzit merreshin me blegtori por punonin dhe tokën me drithin. Kishte vreshta, bletë dhe pemë. Punonin leshin e lirin. Sipër tyre, lufta e vërtetë heroike e agove dhe pasardhësve të Mujit dhe Halilit, bëhet për një gjë krejt tjetër. Ajo është thjesht për kullotat. Në vendin e tyre kanë ardhur sllavët. Në fillim të dy palët shkonin mirë. Bashkëjetonin pa grindje e ndihmonin njëri-tjetrin, derisa erdhën luftrat dhe pllakosi zija e ushqimit. Vendasit grihen me sllavët, ndërsa simbioza pak nga pak humbet. Arbanasi, si i thërrasin sllavët, janë tashmë ishuj etnije, që luftojnë kundër shkjeve dhe mbrojnë me guxim tokat, bjeshkët dhe nuk pranonin të bëheshin skllavë e nënstroheshin kraljave. Por kaq. Digjet Jutbina dhe pas humbjes së gjuhës së fesë, vendasit u sllavizuan në mënyrën e tyre...Në rapsoditë e ciklit të sllavizuar Muji hyn në shërbim të Kraljave...Veiz Sejko, që e ka shëtitur më këmbë Bosnjen, Kroacinë dhe Dalmacinë vërteton ndryshimet pas pushtimit turk, ku Muji u quajt Mustafa...Por Hani, sërish, na zbret në tokë: “një pjesë e tyre e siguronte jetesën nëpërmjet grabitjeve, ndërsa pjesa tjetër në këtë drejtim ishte në pozicionin e fillestarit. Të krishterët dhe muhamedanët bashkoheshin kur ishte puna dhe formonin banda prej 10-40 frymësh të cilët ndërmerrnin grabitje duke zbritur thellë në fushën bregdetare deri në viset përreth Durrësit. Në keto raste, vëmendjen ia kushtonin bagëtisë, por nuk mungojnë që të marrin me vete gjithçka”.

Lufta e kullotave
Ndaj, çdo kullotë e veriut në Shqipëri, ka një histori. Ipeni, ish-konsulli i perandorisë Austro-hungareze, u mundua i pari të hedhë dritë mbi to: “Me bjeshkët e fshatit Vunsaj takohen në lindje kullotat malorë të fiseve muhamedane Krasniqi dhe Gashi, fshatrat e të cilëve ndodhen në shpatet jugore të malësisë së qarkut Gjakovë. Nga koha ka mbetur si dëshmitar në Gash, mali i lartë Shkëlzen, që sot vigjëlon mbi Bajram Curr. Në verë, në pjesën jugore të Vunsajt, afrohen të dy fiset muhamedane të Gashit dhe Krasniqes. Disa kullota i takojnë edhe fisit katolik të Shalës. Mes tij dhe Krasniqes në kohën e Hahnit, ka një konflikt për pronësinë mbi kullotat, kështu që çdo verë malësia ushton nga të shtënat e palëve ndërluftuese... Në bjeshkët e Rogamit dhe të Dragobilës banorët e Thethit ishin fqinjë me Krasniqët, që kanë aty sipër edhe sot e kësaj dite një katund me emrin Selimas. Ata janë fqinj edhe me Gashët, “me të cilët prej moti kanë konflikte për çështje kullotash, çka sjell për vit luftime”. Jo shumë larg, Komuna e Pllavës i jep me qera fiseve shqiptare nga krahinat e Shkodrës, kullotat e saj. Fiset e Shkrelit, Bogës, Lohjes dhe Reçit kanë shumë pak kullota veriore në malet e tyre, ndaj vijnë në bjeshkët e larta të Pllavës me kopetë e tyre. Duke ikur më në jug, prej shumë kohësh, thotë Ippen, -sundon një grindje e gjatë mes fisit malazes Kuçi dhe fisit shqiptar Kelmendi për shkak të kullotave të Velipojës, çfarë ka shpënë në përplasje të armatosura. Sërish Malazestë. Në një vend tjetër i akuzojnë guciasit si keqbërës fanatikë, mizorë e të pabesë. Në fakt, Gucia në atë kohë ishte një avanpost pararoje muhamedane përballë fiseve serbe të Malit të Zi . Në luginën e Limit (?) në shpatet veriore të Alpeve të Shqipërisë veriore kalonte kufiri gjuhësor midis fiseve shqiptare dhe serbe. Lufta ishte e përligjur, sepse kullotat e këtyre maleve më parë i takonin fisit malazes të Kuçit, të cilit iu morën në shekullin e 18-të prej familjes së Bushatllinjëve. “Edhe sot këto janë prona të tyre?!”- thotë Ipen. Katundet malazeze të Vasojevicit, Konjuhës, dhe Cecunit, në kronikat e kohës- kërkojnë me ngulm ti marrin këto kullota, që do t’i kishin ndanë shtëpive të tyre, por kjo sjell shumë sherr mes palëve. Shqiptarët e kanë të pamundur të heqin dorë nga këto kullota, se s’kanë si t’i mbajnë pa to kopetë e tyre. Më keq akoma, në vargun e Prokletisë (Bjeshkët e Namuna) është i vështirë kalimi i malësorëve në anën lindore ku janë fiset muhamedane, Vunsajt, Krasniqët, Gashët dhe Rugova...
Krasniqët dhe Gashët ishin në luftë vazhdimisht për hegjemoni. Krasniqët mbështesnin familjen e Currajve, që kishte të trashëguar ofiqin e vojvodës së Krasniqit, Mërturit dhe Nikajt, kurse Gashët ishin më afër familjes së bejlerëve trashëgimtarë, feudalëve zotërinj të dikurshëm të Gjakovës, shpjegon diplomati. Më të ashpërit nga të gjithë ishin hotjanët. Ata kishin pak blegtori për shkak të kullotave dhe të ujit, ndaj edhe popullsia e Hotit ishte më e varfra, por edhe më agresivja. Hotjanët qëndronin në krye të të gjithë fiseve në rrethinat e Shkodrës. Ky vend nderi ishte i ardhur nga qëmoti. Hotjanët e mtojnë dhe të tjerët e njihnin...Atë i respektonin pa asnjë fjalë dhe Kelmendët, Kastratët, etj. Por nuk ndodhte me fisin katolik shqiptar të Triepçit, që pretendonin luginën e Cemit në shpatin verior të malit Bukovik. Vërtet, pushka nuk pushonte në mes të dy palëve. Banorët e Plantit kanë probleme me Shkrelët për luginën e Përroit të Thatë. Nuk mungonin zënkat, të shtënat e pushkëve dhe gjakmarrja. Kurse kulmi ishin Shala dhe Shoshi tepër foklorikë dhe kokëfortë. Kryelartësia e kokëfortësia i mban shaljanët dhe shoshjanët në një dyluftim të përjetshëm me dy fiset e Nikajt dhe Mërturit, që ndodhen në luginën lindore. “Ky dyluftim zhvillohet me aq rreptësi sa që të mos ndodhtë të takojnë banorë të dy fiseve njerëz të këtyre të fundit se menjëherë do të hapet zjarr mbi tjetrin, duke parë se kush e kush do të vrasë, edhe kur nuk ka ndonjë gjak për të marrë ose ndonjë armiqësi personale...”, thotë Hahn. Po ashtu Nikajt me Mërturajt. Nikajt janë në bregun e djathtë dhe Mërturajt në bregun e majtë ...Nikajt mbeten një shembull tipik i organizimit fisnor të malësorëve shqiptarë. Ata ishin vëllezër të fisit Krasniq, por këta të fundit i mbanin inat pse nuk u kthyen në muslimanë. Vetë Krasniqët dhe Gashët kishin problemin e Luginës së Valbonës. E njëjta gjë në Malësinë e Pukës. Tërbuni kishte kullota të mira që i shërbenin fshatit Kçira si kullota veriore meqë këto kullota nuk ishin larg nga vendbanimi i Pukës. Këtu muslimanët pukianë ishin në luftë me fshatarët katolikë të Kcirës.
“Sa të ngatërruar?! Më frynë kokën. Ç’të bisedosh me këta”, mendoi, teksa largohej. Përkthyesi ishte më i qetë. Tash do ishin në besë të dikujt tjetër. I kishte shpëtuar ankthit të kuvendit. Edhe britanikja ishte më e qetë. I kishte sosur padurimi me të cilin kishte pritur për eposin. Më shumë dinte ajo për eposin, sesa këta njerëz, që kishin parcelizuar dhe kullotat më të humbura...”That’s poor Albanian?!!”...i treti larg sytë gruaja e bukur...

Ben Andoni - Revista Jeta



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama