“Kalthëruar te dit’ e re” / De Rada përmes shkrimesh në një ekspozitë në Bibliotekën Kombëtare / Shkrimet për mjeshtrin e letrave nga viti 1887-1944. Arshi Pipa, me shkrimin e tij të parë për De Radën më 1944-n, nis rrugëtimin e vet të jetës nëpër botën mallëngjyese deradiane, një aventurë leximplotë, të cilën do ta përmbyllë në vitet e largëta të mërgimit politik e kulturor
“Lexime të hershme, por gjithnjë të reja.” Kështu i quan drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani, shkrimet e një prej figurave më të njohura të letërsisë shqipe përtej Adriatikut, Jeronim de Radës. Në kuadër të 200-vjetorit të lindjes së tij, Biblioteka Kombëtare i ka kushtuar një ekspozitë krijimtarisë së De Radës dhe gjurmës së pashlyeshme kulturore që ajo la në botën kulturore mbarëshqiptare. Përmes një prej vargjeve më mahnitëse te Jeronim de Radës, “Kalthëruar te dit’ e re”, varg i përshëndetur plot entuziazëm nga romantikët europianë më në zë të kohës, kjo ekspozitë sjell së pari një homazh bibliografik kushtuar veprës themeluese të lirikës dhe letërsisë moderne shqipe, “Këngëve të Milosaos”. Që nga botimi i parë më 1836-n, te botimet e punuara nga vetë autori dhe ribotimet e pandërprera që mbërrijnë deri te ky 200-vjetor kremtues, enigma e joshjes së kësaj poeme mbetet e paprekur. Rrugëtimi përmes saj dhe sfidës së kritikës për ta rrokur, kuptuar dhe interpretuar atë, na lejon të skicojmë gjurmën e thellë që ky “romanx dyfish lirik” la kulturalisht dhe estetikisht te secili brez lexuesish e studiuesish. Ajo mbetet vepra që mes emocionit dhe admirimit, kuptimit e moskuptimit, sendërton pragun tonë estetik në letrat shqipe. Por, në thelb, De Rada nuk rreshti së krijuari pragje kulturore, politike e ideologjike gjatë gjithë jetës. Përmes tyre, ai i printe rilindjes shpirtërore e politike të shqiptarëve të “atdheut të humbur”.
“Një pjesë e eksponateve të përzgjedhura në këtë ekspozitë synojnë të theksojnë pikërisht këtë kontribut të çmuar e të pashoq, i cili, sa më i plotë bëhet vështrimi ynë mbi historinë kombëtare, aq më të plotë e përfton nderimin tonë. Imazhet e shumëllojshme që shoqërojnë materialin kryesisht libror, rreken të rezonojnë me botën arbëreshe përmes shijes së kujtesës etnografike, arkitekturore, religjioze e thellësisht identitare që kjo botë e hijshme i shpalos çdo lexuesi e vizitori. Prej hijeshisë së saj u mbrujt edhe shpirti e poezia e Jeronim de Radës së ri. E tillë mbeti ajo deri në çastin e fundit të jetës, të cilën, tërësisht si personazhi i vetvetes, Milosao melankolik, ai e la si në ëndërrëz …“, thotë drejtoresha e Bibliotekës Persida Asllani. Jo vetëm botimi i veprës së tij proliferike, por edhe ribotimet e ripunimet e shumta të kryera nga vetë autori e ato që do të vijnë më pas, përbëjnë një bibliotekë më vete, e cila shfaqet edhe më e pasur e aktive kur asaj i bashkëngjitet kontributi i vetë De Radës për shtypin arbëresh dhe botën kulturore shqiptare. “Duke riprodhuar në kremtim të 200-vjetorit të lindjes shkrimet më të hershme dhe interesante në shtypin shqiptar kushtuar artit dhe veprimtarisë së Jeronim de Radës, kjo përmbledhje anastatike (e përpunuar) fton drejt leximeve të hershme, por gjithnjë të reja. Në to shqiptohet dhe zë fill marrëdhënia e çmuar mes poetit dhe botës kulturore, në zanafillë të së cilës ai vetë qëndron. ‘Shqiptari i Italisë’(ose L’Albanese d’Italia), i themeluar po nga vetë De Rada, është gazeta e parë në historinë e shtypit shqiptar. Ashtu siç është i pari kulturalisht ‘romanxi dyfish lirik’ dhe krejt vepra poetike që e pason”, thotë Asllani. Nga shkrimi i parë i Frontsit të Kinigonjvet kushtuar De Radës, ende në jetë më 1887-n, tek e përmuajshmja dygjuhëshe “Arbri i rii”, deri tek eseja precioze e Arshi Pipës në mars të 1944-s tek e përditshmja mëngjesore “Bashkimi i kombit”, rrugëtojnë së bashku dhjetëra lexime, ndjeshmëri, perceptime e subjektivitete.
“Që të gjitha në të tashmen e tyre dhe kjo është vetia më intriguese e gjestit shfletues të shtypit! Në të merr jetë adhurimi për atin shpirtëror të rilindjes kulturore e politike të botës shqiptare, respekti për plakun kokëfortë që rindërtoi dhe mbrojti deri në frymën e fundit një identitet, një gjuhë, një atdhe. Të shkruaje për të, ishte një akt nderimi, homazh, përulje e thellë”, thotë Asllani. Autor i domosdoshëm në librat shkollorë të çdo epoke, në faqet kritike e përkujtuese të shtypit shqiptar, por edhe sfidë e pasion i fuqishëm interpretimi për shumë studiues e kritikë të letrave shqipe, figura e Jeronim de Radës ripërkufizohet në këtë 200-vjetor të lindjes si themeluesi par excellence i letërsisë shqipe si e tillë. Në përurimin e kësaj ekspozite, studentë të Klubit të Dramëssë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë së Universitetit të Tiranës interpretuan në arbërisht një kolazh nga dialogët e dramatizuara të “Këngëve të Milosaos”, kolazh i cili është edhe kolonë zanore e pjesshme e ekspozitës, së bashku me elemente muzikore të këngëve dhe valleve arbëreshe. “Te hijeshia e ligjërimit poetik deradian lindte një ndjeshmëri e re letrare, një estetikë e re moderne që edukonte shqisën e së bukurës përmes sugjestionit dhe intuitives. Kangjelet e Milosaos botohen e ribotohen intensivisht. Ajo me numër XXII, me vargun identifikues ‘Uljem po s’dua të fjëë’ shndërrohet nga viti në vit në një hit absolut poetik. Dhe i tillë ka mbetur.
Të shkruaje për De Radën do të thoshte të rezonoje me të, por edhe të shkruaje me të, ta ndieje deri në identifikim, e ndoshta ta kuptoje herë-herë deri në moskuptim. I tillë është arti, i tillë De Rada!”, thotë Asllani. Sipas saj, hartografia e kësaj jete kulturore brenda gjurmës historike të vendbotimeve të gazetave e revistave i përngjan një atlasi botëror që shtrihet nga Palermo, Roma, Palagorio e Katanxaros, Londra e Sofja deri te Bostoni, Nju Jorku, Vjena, Konstanca e Bari. E po kështu përvijohet edhe një atlas shtetëror nga Shkodra, Gjirokastra e Korça te Vlora, Elbasani e fuqimisht Tirana. “Asnjëherë më parë e më pas në letrat shqipe e në shtypin shqip nuk qe kremtuar e nuk do të përkujtohej më 100-vjetori i botimit të një vepre letrare. Dhe kjo ndodhi me ‘Këngët e Milosaos’, nën penën e Karl Gurakuqit. Një numër i plotë përkujtimor do t’i kushtohet më 1938-n. Asnjëherë më parë debati filologjik nuk qe ndezur me aq pasion për të shtjelluar potencialet kuptimore të një teksti poetik. Interpretojnë dhe e çmojnë sivëllezër shkrimtarë si Faik Konica, Zef Skiroi, Luigj Gurakuqi, Sterjo Spasse e Kristaq Cipo. Hedhin themelet e studimeve deradiane e arbëreshe studiues të rinj asajbote, si Eqrem Çabej, Namik Resuli, Izet Bebeziqi, Ziaudin Kodra e Arshi Pipa”, thotë ajo. Pipa, me shkrimin e tij të parë për De Radën më 1944-n, nis rrugëtimin e vet të jetës nëpër botën mallëngjyese deradiane, një aventurë leximplotë, të cilën do ta përmbyllë në vitet e largëta të mërgimit politik e kulturor. Në këtë përvjetor është shënuar dhe botimi anastatik antologjik “Jeronim de Rada dhe shtypi shqiptar 1887-1944”.
Ky botim anastatik shënjon një homazh që dy bibliotekat kombëtare të Shqipërisë dhe të Kosovës ndërmarrin në kremtimet e 200-vjetorit të De Radës. “Ai është menduar si një antologji e përzgjedhur e shkrimeve dhe komenteve më të bukura kritike të botuara në shtypin kulturor shqiptar, duke sjellë kështu në vëmendjen e publikut jo vetëm kontributet e kritikës përmes emrave më të spikatur të saj, por edhe ndjeshmërinë e veçantë që gëzonte vepra dhe emri i De Radës në botën kulturore shqiptare deri në vitin 1944”, thotë Asllani. Hartimi i bibliografisë “Jeronim de Rada në tekstet shkollore shqiptare 1912-2014”, nga një bashkëpunim mes Bibliotekës Kombëtare dhe Fakultetit të Histori-Filologjisë, kryesisht Shkollës Doktorale në Departamentin e Letërsisë kurorëzohet jo vetëm me një studim të thelluar mbi De Radën dhe veprën e tij në tekstet shkollore, qofshin botime apo ribotime të periudhave të ndryshme të pas 1912-s, por edhe me një bibliografi, e cila do të shërbejë si burim informacioni dhe vijim i hulumtimeve të mëtejshme mbi De Radën. Nëpërmjet kësaj bibliografie, arrihet identifikimi i pranisë së De Radës në tekstet shkollore të periudhës 1912-2014.