Lamtumirë mëngjesit familjar. Sot, në Amerikë, prindërit dhe fëmijët zgjohen me një refleks të ri. Sapo hapin sytë, ndezin celularin për SMS-të e para, tweet-et e mëngjesit apo ngjiten pas ekranit të kompjuterit për të kontrolluar e-mailin dhe “Facebook”-un. Vetmia dixhitale duket se po vret edhe ritin e fundit tradicional në jetën e zakonshme. Të parët që e kuptuan ishin kolosët e telekomit amerikan, “Verizon”. Vëllimi i tyre i trafikut të SMS-ve ka pasur trafik të jashtëzakonshëm, 50 për qind krahasuar me vitin e shkuar dhe pikërisht në orën gjashtë ose shtatë të mëngjesit.
“Akamami”, që administron serverët e “Facebook”-ut, ka vënë re një numër të madh vizitorësh online më herët se ora shtatë e mëngjesit: piku arrihet në orën kur thuajse të gjithë, sapo zgjohen nga gjumi për të shkuar në punë, përpara se të hanë mëngjes, lajnë dhëmbët apo shkojnë në tualet, hapin mjetet e teknologjisë, për të mos qenë asnjë sekondë pas me të rejat e fundit. Teknologjia duket se po ndryshon zakonet antike të jetesës. Pas zgjimit në mëngjes, veprimi i parë i menjëhershëm dhe i domosdoshëm nuk është më kafeja në kuzhinë me familjarët, por dëshira për t’u njohur me të rejat e fundit dixhitale të miqve dhe të afërmve. Mëngjesi amerikan në kohën e internetit nuk ka më aromën e kafeinës, bukës së thekur, proshutës dhe vezës. “Veprimi i parë i ditës ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Dikur niste në tualet, pastaj te dera e shtëpisë për të marrë gazetën. Ndërsa tani, edhe unë, si gjithë të tjerët, kontrolloj postën elektronike”.
“New York Times” komenton kështu: “Pas gjashtë ose shtatë orësh izolimi nga rrjeti, njerëzit zgjohen me nevojën e telefonit ose kompjuterit. Shpesh, para se të ngrihen nga krevati, kanë rindezur të gjitha mjetet teknologjike”. “Arbor Networks”, një shoqëri “hi-tech” në Boston që analizon përdorimin e internetit, tregon se trafiku online bie nga mesnata deri në orën gjashtë të mëngjesit, për të arritur pikun në shtatë. Aq më tepër që me oraret e ndryshme dhe globalizimin, shumë e dinë që gjatë natës mund të kenë marrë mesazhe nga Europa, Azia etj. Ora e zgjimit, kur dikur prindërit ziheshin me fëmijët se kush do ta bënte i pari dushin, sot është ora kur ata zihen se kush do ta ndezë i pari ekranin e kompjuterit. Në shtëpitë ku të gjithë anëtarët kanë kompjuter dhe celularë, mëngjesi nuk ka më asgjë të përbashkët me ata të mëparshmit. Për shembull, në shtypin amerikan citohet rasti i familjes Gude, në Miçigan, e vendosur nën vëzhgim nga inserti teknologjik i “New York Times”. Babai Karl, docent në Universitetin e Miçiganit, mamaja Dorsey, fëmijët Erik dhe Cole, janë kavjet e studiuara për të kuptuar më mirë zgjimin e amerikanëve.
Disa vjet më parë, familja Gude i kalonte minutat e para të mëngjesit të ulur së bashku në tavolinë, duke ngrënë dhe duke biseduar për fillimin e ditës. Sot, të atin, në orën gjashtë të mëngjesit e gjen të ulur në tavolinën e kompjuterit duke kontrolluar e-mailet, pastaj mesazhet në “Twitter”. Erik dhe Cole e nisin me SMS-të, pastaj shkojnë në “Facebook” dhe në videolojërat e instaluara në celular. Mamaja, Dorsey u përfshi e vetme në një betejë për të mbrojtur intimitetin familjar, por në fund nuk mundi t’ia dilte mbanë: edhe ajo ka laptopin e saj si shok të zgjimit. Madje, edhe zakoni për t’i ngritur fëmijët nga shtrati se bëhen vonë në mëngjes ka ndryshuar: babai u dërgon SMS fëmijëve për t’u çuar. “Telefoni, - thotë ai, - është bërë mjeti ynë i komunikimit, edhe kur jemi të gjithë në shtëpi”.
Mëngjesi, i domosdoshëm
Imazhi është gjithnjë i njëjtë, nga një brez te tjetri, pavarësisht kohës, punës apo moshës: nëna dhe babai përpara me filxhanët e ngrohtë dhe tabakanë të mbushur me kroasantë apo ëmbëlsira të tjera. Kështu i ilustrojnë mëngjeset televizionet dhe gazetat prej më shumë se gjysmë shekulli. Në të vërtetë, sot nuk është më kështu, sepse luksi i vërtetë i këtij mijëvjeçari nuk është paraja, por koha. Madje edhe në mëngjes. Sot nuk na mungon asgjë: kafe, fruta në të gjitha stinët, qumësht i shijshëm, bukë e çdo lloji apo biskota të shijshme. Me pak fjalë, mëngjesi i bollshëm është pasqyra besnike e zgjimeve tona të përditshme. Kërkimet e fundit tregojnë se rreth 80 për qind e europianëve e nisin ditën duke ngrënë mëngjes, megjithëse askush nuk i kushton atij më shumë se 11 minuta.
Meqenëse është edhe vakti i parë i ditës, duhet të jetë i pasur, i larmishëm, i tretshëm dhe mbi të gjitha, të konsumohet në qetësi. Mëngjesi më i dashur që europianët preferojnë ta hanë në bare është shumë larg atij të shëndetshmit. Por edhe në shtëpi gjërat nuk shkojnë më mirë, sepse zakonisht mbi tavolinë dy ushqimet më të dashura dhe më të shpeshta janë biskotat dhe kutia me “corn flakes”. Sikur kjo të mos mjaftonte, më shumë se gjysma e njerëzve kanë hequr dorë prej vitesh nga mëngjesi familjar, duke zëvendësuar ritin kolektiv me praktikën e një personi të vetëm. Është vërtet për t’u adhuruar që në disa vende të Europës Perëndimore mëngjesi është pasaporta e duhur për ta nisur mirë ditën. Praktika e shëndetshme e të ushqyerit me briosh, qumësht, gjalpë, bukë të thekur apo vezë të skuqura, proshutë dhe bukë të zezë, është për t’u marrë shembull. Por edhe pse shumë prej nesh e dinë rëndësinë e tij, askush nuk merr guximin t’i kushtojë aq shumë vëmendje.
“Duhet të mësojmë të ushqehemi, e jo të hamë thjesht se jemi të uritur”, - tregojnë dietologët, të cilët e vënë theksin më shumë te cilësia e ushqimeve, se sa te përmbajtja e kalorive të tyre. Sekreti qëndron te mënyra e ngrënies dhe shijimit. Atëherë vërtet ia vlen që të ngrihemi gjysmë ore më parë se sa orari i zakonshëm. Ato që zakonisht heqin dorë nga mëngjesi janë femrat. Ndoshta ideja e kileve të tepërta i tmerron. Sipas statistikave të bëra, një në katër femra nga mosha 25-37 vjeçare zakonisht nuk e hanë mëngjesin. Por nuk duhet asnjëherë të harrojmë se studimet shkencore të 20 viteve të fundit kanë arritur në përfundimin se mëngjesi është vakti më i rëndësishëm dhe i domosdoshëm i ditës. Një mëngjes sado i thjeshtë, me qumësht, reçel apo fruta, është burim vitaminash.
Ai jep përqendrim më të madh dhe rrit mundësinë për të kontrolluar peshën. Studimet tregojnë se fëmijët që hanë mëngjes kanë arritur rezultate të larta në provime dhe një nivel më të lartë të përqendrimit në klasë. Ata gjithashtu janë më të gjallë dhe kreativë. E njëjta gjë vlen edhe për të rriturit. Është vërtetuar se ata që nuk hanë rregullisht vaktin e parë të ditës, kanë më shumë mundësi për t’u bërë obezë. Shumë të rritur nuk hanë mëngjes me shpresë se do të dobësohen. Për fat të keq, ideja e humbjes së kilogramëve në këtë mënyrë është e dështuar.