Kur Obama jepte mesim

Kur Obama jepte mësim
Ishte edhe një personazh enigmatik, aq sa shumë kolegë e pyesnin se si mendonte në të vërtetë. Obama, sot senatori i shtetit të Illinoisit dhe kandidati demokrat për Shtëpinë e Bardhë, ka kaluar plot 12 vjet të jetës së tij në Fakultetin e Jurisprudencës në Universitetin e Çikagos. Pjesa më e madhe e aspirantëve politikë nuk kalon nëpër salla universitare dhe është diçka e rrallë që një jurist i zoti t‘i kalonte javët e tij nëpër sallat e një universiteti prestigjioz dhe larg atmosferës së Senatit të Illinoisit. Para se të kalonte të gjitha rekordet për mbledhjen e fondeve në zgjedhjet presidenciale amerikane, Obama u shpjegonte studentëve përmes ligjit mbi financimin e fushatave elektorale. Përpara se të kontribuonte për të ridizajnuar kufijtë e kolegjit të tij elektoral për senatin shtetëror, u mësonte studentëve se sistemet e përdorura për të dizajnuar kufijtë e kolegjeve elektorale kishin qenë një mjet për përjetësimin e pushtetit. Para se të propozonte atë që ndoshta do të jetë testi përfundimtar për barazinë racore të SHBA, u shpjegonte studentëve për luftërat e afro-amerikanëve dhe njerëzve të tjerë me ngjyrë për të pasur të drejta të barabarta. Pikërisht në këtë ndërtesë universitare Obama rafinoi më tej stilin e tij orator, aftësitë e tij dialektore dhe mënyrën për të bindur. "Pikërisht këtu ka vendosur në provë idetë e tij", thotë Dennis Hutchinson, një ish-koleg i Obamës.

Senatori demokrat vlerësohej shumë nga pedagogët e tjerë, edhe pse qëndronte pak mënjanë, duke bërë që shumë prej tyre të ndiheshin të tradhtuar nga refuzimi i tij për t‘iu përfshirë me mish e shpirt këtij profesioni. "Mendoj se mbi të nuk ndikonte asgjë nga ajo që ndodhte në këto salla", tregon një tjetër koleg, Riçard Epstein. Obama kishte të tjera ide në kokë: përgjatë 12 viteve të kaluara në universitet u angazhua në 5 fushata elektorale. Të jepte mësim ishte një kënaqësi për të, përveçse një pozicion prestigjioz me një rrogë të mirë, por nuk toleronte diskutimet akademike në të cilat debatonte "nëse duhej të vinte apo jo një notë në fund të faqes". Ai erdhi të jepte mësim në Fakultetin e Ligjeve në vitin 1991. Pavarësisht se gjendej në South Side, zonë kryesisht e përbërë nga njerëz me ngjyrë në Çikago, fakulteti nuk kishte thuajse asnjë profesor me ngjyrë. Muri i universitetit ishte kufiri që e ndante atë nga një lagje e varfër aty pranë. Në zgjedhjet e vitit 2000, për kandidaturën e kongresit, Bobi L.Rush, "ish-pantera e zezë", shfrytëzoi punën e Obamës në universitet për ta etiketuar si një intelektual elitar.

Gjatë kësaj kohe, ai jepte tri lëndë, ku më origjinalja ishte ajo mbi racizmin dhe të drejtat. Tani, studentët e tij tregojnë se sa shumë angazhohej që ata t‘i kuptonin gabimet e bëra në të kaluarën. Gjatë një leksioni mbi racizmin, imitoi mënyrën se si të bardhët, që nuk e kishin fare idenë e problemeve, argumentonin problemet. Dalëngadalë influenca e tij në universitet nisi të rritej, madje disa grupe studentësh e quanin veten "grupet mbështetëse të tij". Një tjetër karakteristikë e tij ishte se i pëlqente të provokonte. Donte me çdo kusht që studentët e tij të argumentonin se jeta ishte më e mirë kur ekzistonin dallimet raciale, apo që të zinjtë ishin atletë më të mirë se të bardhët. Ndërsa pjesa më e madhe e studentëve vlerësonte ekuilibrin e tij, profesorët do të kishin preferuar që ai të mbante një pozicion të caktuar. Kur dy kolegë i kërkuan të mbështeste një argument për bandat kriminale që arrestonte policia e Çikagos, Obama e diskutoi me qetësi, por pa dhënë asnjë adresë për opinionet e tij. Madje, nuk ishte e mundur që t‘i merrte nga publikime, meqenëse nuk kishte bërë vetë asnjë. Sipas Epstein, nuk dëshironte që ta lidhte emrin me diçka që në të ardhme mund t‘i prishte punë në karrierën si politikan.

Por, dalëngadalë Obama po ndërtonte karrierën e tij politike, grupet e tij u shndërruan në mbështetës të zjarrtë, të cilët kishin organizuar qendra për mbledhjen e fondeve në apartamentet e tyre. Nuk foli kurrë në klasë për fushatën e tij të tmerrshme kundër Rush (mori gjysmën e votave të kundërshtarit të tij), edhe pse kolegët vunë re se dukej i lodhur dhe pinte duhan më shumë se zakonisht. Pikërisht në atë moment fakulteti nxitoi për t‘i bërë një ofertë: një vend stabël në katedër, një rrogë të mirë (më shumë se 60000 dollarët që fitonte si pedagog parttime) dhe një vend për bashkëshorten e tij, Mishel. "Karriera jote politike mori fund", kështu i pati thënë dikur rektori i universitetit, Daniel Fishel. Por, Obama nuk e pranoi ofertën. Dy vjet më vonë vendosi të kandidojë për në Senat. Hoqi dorë nga të gjitha kurset dhe që atëherë nuk ka dhënë më mësim. Tani, duke lexuar gazetat, ish-studentët e tij e kanë kuptuar se edhe kur jepte mësim, Barak Obama nuk bënte gjë tjetër veçse grumbullonte materiale për të ardhmen e tij politike, që ndoshta do të arrijë kulmin me fitoren në nëntor, kur mund të bëhet Presidenti i parë me ngjyrë në historinë e Amerikës. A mund t‘i ketë bindur vallë studentët e atyre viteve që të votojnë për të këtë herë? Gjithçka duhet parë.



Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama