Këto foto janë shkëputur nga 14 mijë negativët që ka sot Fototeka ‘Sotir’ në Korçë, e cila fatmirësisht (të paktën në këtë rast) ka qenë jashtë vëmendjes së institucioneve shtetërore të Enver Hoxhës. Ndryshe nga Geg Marubi, fotografi korçar nuk ia “fali” arkivin e tij regjimit të Hoxhës, ky i fundit madje nuk shfaqi ndonjë interes të veçantë për të parë se çfarë fshihnin ata 14 mijë negativë (në xham dhe film). Prej vitesh këta negativë flenë në një tip musëndre, që ndodhet poshtë shkallares së shtëpisë së tij, ku sot jetojnë vajza e tij Ivon dhe familja e të birit, Gjergj Sotiri (i ndarë nga jeta pak vite më parë). Shtëpia e Sotirëve ndodhet pak metra pas Katedrales, mes rrugicave, që të gjitha me drejtim qendrën e qytetit.
Pas kaq vitesh, pasardhësit po zbulojnë pak nga pak koleksionin e rrallë të fotove që mbajnë firmën “Studio Sotir”. Studioja e dikurshme në formë ovale nuk është më, ekzistenca e saj dokumentohet vetëm nga një foto. Është shembur vite më parë e që prej asaj dite negativët ruhen në kushte shtëpie. Kohët kanë ndryshuar. Familjarët e fotografit kërkojnë sot vëmendjen e shtetit për ruajtjen dhe evidentimin e këtij fondi, që padyshim janë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së fotografisë shqiptare.
Sabie Kasimati
Portrete të epokës, nga dishepulli i fundit i Nolit te Kasimati
Sikur ta dinte regjimi se në Studion “Sotir” kish qenë dhe i fundmi i dishepujve të Nolit, Andon Frashëri, apo vajza e bukur gjirokastrite Sabiha Kasimati, të dy të burgosur nga komunistët, nuk dihet se cili do kish qenë fati i kësaj fototeke.
Me rastin e përfundimit nga Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore të inventarizimit të Fototekës private ‘Sotir’, në Muzeun e Arsimit ABC në Korçë u prezantua ekspozita fotografike “Kristaq Sotir, artisti i muzës shqiptare”.
Mes shumë fotove të ekspozuara (disa publikoheshin për herë të parë) tërhoqi vëmendjen fotoja e një vajze të hijshme, veshur me kostum popullor të zonës së Gjirokastrës. Fotoja mban vitin 1938. Siç mësuam, vajza që buzëqeshte në foto ishte nxënësja e Liceut Francez, Sabiha Kasimati. Ivon Sotir, vajza e Kristaq Sotirit, kujton se në ato vite, siç i tregonte babai, në studion e tij vinin shumë nxënëse të Liceut për të bërë fotografi. Mes tyre ka qenë dhe Sabiha Kasimati. Sesi është ruajtur fotoja e saj pas kaq vitesh, Ivon e ka një shpjegim. “Nuk ka ardhur njeri të shihte se çfarë kishte në ata negativë. Për këtë foto nuk di të ketë patur dijeni njeri tjetër përveç familjarëve për ekzistencën e kësaj fotoje. Ndoshta për disa foto të tjera që dihej se i kishte im atë kanë patur probleme, por jo për të Sabihasë”, – thotë Ivon. Mbesa e fotografit, Kristina Pecani (vajza e djalit) thotë se amaneti që gjyshi i kish lënë të atit të saj ishte “të kujdesej dhe të mirëmbante fototekën”. “Ne arkivin e kemi mbajtur gjithmonë nën shkallët e shtëpisë dhe nuk e di nëse atë kohë e dinin se mes atyre negativëve prej xhami ishte dhe fotoja e Sabiha Kasimatit. Besoj se këto janë identifikuar më vonë.
Megjithatë nuk është se e di me hollësi ngjarjen”, – pohon Kristina. Mes fotove të ekspozitës që u çel në Korçë ndodhej dhe një foto e djemve të Liceut Francez. I pari që shquhej menjëherë nga vizitorët e ekspozitës mes atij grupi djemsh të veshur sipas modës dhe me flokët me brilantinë ishte Enver Hoxha. Më të vjetrit përpiqen të identifikojnë të tjerët, por duket e vështirë. “Shumë prej portreteve në foto nuk janë identifikuar dhe do të ishte shumë bukur nëse pasardhësit arrijnë të identifikojnë në këto foto paraardhësit e tyre”, – thotë Aranita Brahaj e Institutit Shqiptarë të Shkencave (AIS), e cila ka ideuar projektin e inventarizimit të Fototekës “Sotir”.
Fotografitë e Sotirit janë bardh e zi, monokolor, sepia, të kuqe, të gjelbra etj. Kjo fototekë ka sot rreth 1500 fotografi origjinale, të stampuara nga negativat, që janë ruajtur falë përkushtimit të familjarëve në gjendje shumë të mirë. Fotot janë portrete njerëzish të shquar të epokës, njerëz të thjeshtë, të cilët donin të ruanin në kohë jetën e tyre, apo lypës të cilët paguheshin prej tij për të dalë në fotografi. Por Sotir nuk ka qenë vetëm fotograf i portreteve por dhe i peizazhit; rrugët karakteristike të Korçës, natyra e bukur e Voskopojës, Dardhës dhe Pogradecit ishin puna e tij jashtë studios.
Mes portreteve të njerëzve të shquar dallon ajo e dishepullit të fundit të Nolit, shkrimtarit, publicistit dhe përkthyesit, Andon Frashërit me bashkëshorten e tij, Maria. Si mik i Fan Nolit, në vitin 1945 mori guximin t’i shkruante atij se, nëse kthehej në Shqipëri, rrezikonte jetën nga regjimi komunist. Thuhet se kjo shërbeu si shkak që të pushohej fillimisht nga puna dhe më pas arrestohej bashkë me bashkëshorten e tij, Maria Avrami. Frashëri u dënua me 15 vjet burg dhe bashkëshortja me dy vjet. Ka shumë për të zbuluar nga Fototeka “Sotir”, nëse ajo do ruhet dhe mirëmbajtur. Familjarët kërkojnë vëmendjen e Ministrisë së Kulturës për të nxjerrë nga musëndra koleksionin e fotove Sotir.
“Ne kërkojmë një vend me kushte më të mira për t’i mirëmbajtur këto foto. Ne si familje i ruajtëm për gati 100 vjet. Ja, do mundohemi t’i ruajmë dhe për 100 vjet të tjera, por çfarë do të ndodhë më pas me to? Disa negativë kanë nevojë për restaurim pasi janë thyer ose janë zverdhur, duke e humbur kështu cilësinë”, – shpreh shqetësimin e familjes mbesa Kristina. Sipas saj, vlerat e kësaj fototeke janë po aq të rëndësishme sa edhe të fototekës “Marubi”, ndaj kërkon që vëmendja për ta konservuar këtë trashëgimi mos të mungojë.
Enver Hoxha (me shigjete) kur studionte ne liceun artistik te Korces
Kush ishte Kristaq Sotir
Lindi në fshatin Mborje të Korçës më 25 shkurt 1883 dhe vdiq më 14 korrik 1970 në Korçë. Që në moshë të re filloi të marrë mësimet e para të fotografisë te kunati i tij, Kristo Sulidhi, i cili ishte fotograf dhe patriot. Rreth vitit 1900 emigroi në SHBA, ku në fillim punoi në një fabrikë tekstilesh në New York për 2-3 vjet, por pasioni për fotografinë e bëri që shpejt të hiqte dorë nga kjo punë lodhëse dhe e çoi në Los Angeles, në Kaliforni, ku u paraqit tek fotografi dhe mjeshtri i fotografisë, George Steckel. Steckel i pa punën, e vështroi dhe pa keqardhje e ktheu mbrapsht, pasi puna e tij nuk ishte në nivelin e duhur. Ky zhgënjim nuk e zmbrapsi Sotirin. Pas pak kohe ai u paraqit prapë para Steckel-it dyshues duke i treguar punën e tij. Steckel i vështroi pa folur as edhe një fjalë. Ngriti kokën dhe tha: “Tani po”. Kështu filloi një bashkëpunim që do të zgjaste për mbi 10 vjet.
Kristaq Sotiri
Në vitin 1921 u shkëput nga kjo studio për të hapur në New York studion e tij private. Por fati kishte të tjera planë për të. Një vit më vonë, një letër e njoftonte për gjendjen e rëndë të nënës së tij dhe ai u detyrua të kthehej në Shqipëri. Në vitin 1923 hapi Studion e tij “Sotir”, e cila shumë shpejt u bë e njohur në gjithë Korçën. Ai punoi atje deri në vitin 1963, vit në të cilin e mbylli. Më 1992-in i jepet titulli “Artist i Popullit” (pas vdekjes) si një ndër të parët shqiptarë që kultivoi profesionin e fotografit duke e kthyer atë në art.Për mjeshtërinë artistike është vlerësuar nga bashkëkohës, si Odhise Paskali, Vangjush Mio etj.
Inventarizimi i Fototekës
Projekti “Inventarizimi i Fototekës Private ‘Sotir’ në Korçë” u ideua nga Instituti Shqiptar i Shkencave (AIS), i cili bëri përpjekjet për ngritje fondi dhe thirrjes iu përgjigj një grup pasardhësish të familjeve të nderuara shqiptare në emigracion në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. QKIP mundëson ruajtjen, evidentimin, regjistrimin dhe promovimin e kësaj pasurie të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare. Imazhet e negativëve fotografikë të kësaj pasurie janë dëshmi e qytetarisë, traditës, qytetërimit dhe modelit të familjes dhe shoqërisë së trevës së Korçës në fillimshekullin XX.
Tashmë kjo pasuri është e dokumentuar në sistemin dixhital me të dhënat identifikuese fizike dhe teknike që mundësojnë studimin dhe promovimin. Fototeka “Sotir” në Korçë ka gjithsej 14 mijë negativë në xham, aparate fotografikë, orendi me vlera historike dhe muzeale që lidhen me personazhet e fotografuar nga Kristaq Sotir, regjistra me emra qytetarësh korçarë dhe të huaj etj. Ruhet dhe një fond me foto të stampuara nga vetë fotografi artist ndër vite, të ndara në zhanre të veçanta sipas tematikës.