Kur Shqiperia u shpallte lufte demokracive plutokratike dhe reaksionare te perendimit! Per te mos harruar...

Kur Shqiperia u shpallte lufte 'demokracive plutokratike dhe reaksionare te perendimit'!  Per te mos harruar...

Italia fashiste u shpalli luftë Britanisë së madhe dhe Francës më 10 qershor 1940, po 10 qershori është edhe data që mban Dekreti mbretëror Nr. 194, i cili në Nenin 1 njoftonte: “Mbretnia e Shqipnís njihet e hyeme në luftë me ato shtete me të cilët Mbretnia e Italís ka me qenë në luftë” (Fletorja zyrtare, nr. 93, datë 10.06.1940). Duke llogaritur “bashkimin personal” të Shqipërisë me Italinë fashiste dhe ofrimin e kurorës së Shqipërisë “Madhërisë së Tij Viktori Emanuel III Mbret i Italisë dhe Perandor i Etiopisë për Madhërinë e Tij dhe për Pasuesit e Tij”, nëpërmjet vendimit e së ashtuquajturës Asamble Kushtetuese Shqiptare të 12 prillit 1939, Shqipëria përfshihej ipso facto në luftë me “demokracitë plutokratikun dhe reaksionare të Perëndimit”, në këtë rast Britaninë e Madhe dhe Francën, prej vetë Dekreti Nr. 194.


Mirëpo regjimi kuisling i Tiranës nuk u mjaftua me një situatë iso facto. Më 15 qershor mblidhej në Tiranë “Këshilli i Epërm Fashist Korporativ”, sikurse quhej Parlamenti i Shqipërisë nën fashizëm, dhe e ratifikonte Dekretin e mësipërm duke e shndërruar atë në Ligjin shqiptar të datës 14 korrik 1940.


Faqja e parë e gazetës “ToMori” (M-ja e madhe në titull shenjon Mussolinin) e shoqëronte lajmin me fjalimet përkatëse të Këshillit: votimi kishte rezultuar “i njëzëshëm”, ndërsa mbledhja ishte zhvilluar me “nji ton enthusiazmi të nxehtë që kulminoi me nji shfaqje të flakët bese”. Në sallën e mbledhjes - ajo që sot shërben si “teatër kukullash” - spikasnin me praninë e tyre: Senatori M.M.-K, Ambasadori D., Ministri i Shtetit A., Komandanti i Aeronautikës, Komandanti Epror i Karabinierëve, Komandanti Ushtarak Detar, Komandanti i Mbrojtjes Tokësore, Kryeministri me Ministrin Sekretar të Partisë Fashiste Shqiptare dhe Ministrat e tjerë, Sekretari i Përgjithshëm i Mëkëmbësisë dhe Inspektor i Partisë Nacional-Fashiste pranë Partisë Fashiste Shqiptare, Këshilltari A. L. Federal i Elbasanit (për këtë shënohet që është ndër vullnetarët e parë në Milicinë Fashiste Shqiptare), Federali i Korçës G. D. etj. “të veshur me divizën e lavdishme të Milicisë Fashiste”. Një krah të lozhave e kishte zënë Kryekonsulli i Gjermanisë me “nji grup të dendun pjesëtarësh të kolektivitetit gjerman banues në Shqipní, që ishin të mveshun me uniforma të Këmishave të Murrme të Nacional-Socializmit”.


Argumentet e dhëna në fjalimet për të përligjur luftën kundër Britanisë së Madhe tingëllojnë sot të ngjashme me tezat që u rrek t’u impononte shqiptarëve libri “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”. T.T.: “Anglia na mbajti këtu oficjerë me rroga fantastike, qi i paguente ky popull i shkretë, gjoja për me na organizue gjindarmërín, por ata bajshin vetëm spiuní, kontrabandë dhe intriga...”. Këshilltari N.B. gjithë patetikë: “Prej kasollës ma të lanun të malësinavet t’ona e deri ke pallatet ministerjale, prej fëmisë qi fillon të marrë mend e shise e deri ke plaku i thimë, prej të vorfnit a pasanikut, prej analfabetit e intelektualit, prej bujkut a pronarit, populli shqiptar i lidhun tok, po e ndinë çastin historik e për te asht gati për çdo therori! Nën Kunorën e Savojës e mbas urdhënavet të Duçes, gati, përpara e ngadhnim!”. Tjetri Këshilltar Q.N. nuk mbetej mbrapa për nga patetika: “Dita 10 Qershuer asht pra për Kombin shqiptar nji ditë historike e shënueme me shumë randësi, siç asht me randësi shumë të madhe për historín e Këshillit t’Epërm Fashist Korporativ Shqiptar dita e sotshme, në të cilën kthejmë në ligjë dekretin Mbretënuer me të cilin na konfirmojmë qenjen në luftë t’adheut t’onë bashkë me Italín Imperjale të Duçes dhe krah për krah me Gjermanin e madh Hitlerin”. Mjerisht as një intelektual i prerjes europiane, si V.K., nuk do ta përmbante servilizmin në fjalimin e tij të mbushur me historizma: “Kështu vdes Roma, vdesim dhe ne. Ngjallet Roma, ngjallemi dhe ne. Përparon Roma, përparojmë dhe ne. Ngjitet lart Roma, ngjitemi lart dhe ne. Për historinë shqiptare 7 Prilli është një datë vëndimtare: një datë në të cilën edhe Shqipëria nis të ngjitet prapë lart, bashkë me Romën e Re, me Romën e Mussolinit, për në fate të ra të lavdishme të ndritura”.


Mbledhje të tilla do të përsëriteshin me hyrjen në Luftë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mandej me rastin e agresionit nazist kundër Bashkimit Sovjetik.


Komiteti Ekzekutiv i Përkohshëm (14 shator 1943 - 4 nëntor 1943), i formuar nën pushtimin e ri ushtarak të Reich-ut të Tretë, duke shpallur “pavarësinë e Shqipërisë” njoftoiedhe tërheqjen e këtyre shpalljeve të luftës. Por kjo tërheqje juridikisht e pati vlerën nul, sepse ishte fjala për një kinse-“pavarësi relative”, të cilën në nivel ndërkombëtar nuk e njohu askush, as edhe aleatët e vetë Boshtit nazi-fashist: as Hungaria, as Kroacia e Pavelićit, as Rumania a gjeneralit Antonescu, as Bullgaria, as “Republika Sociale” e Mussolinit etj. Edhe vetë Gjermania naziste “e njohu” shumë vonë, qershor ose korrik 1944, pra kur Luftës i dihej fundi dhe nuk kishte më kurrfarë vlere një njohje e tillë unike. Kongresi i Përmetit (24-28 maj 1944) u shpreh edhe ai se nuk i njihte këto “shpallje lufte” të qeverive kuislinge. Por në atë kohë as këtë kongres nuk e njohu askush ndërkombëtarisht.


Në dy vëllimet e dokumenteve të Konferencës së Njëzetenjë Kombeve (Paris 1945-1946) është befasuese të lexosh se me sa egërsi janë vërsulur disa shtete kundër Shqipërisë (Greqia e para) me synimin për ta përfshirë në listën e “vendeve agresore”, çfarë do ta kishte ndëshkuar me humbje territoresh dhe/ose dëmshpërblime. Shqipëria nuk u përfshi në atë listë duke qenë se në atë konferencë, sikurse tanimë dihet, nuk u thirr ndonjë qeveri kuislinge e Tiranës, por qeveria e dalë nga Lufta Nacional-Çlirimtare. E përkrahur nga Koalicioni Antifashist anglo-sovjeto-amerikan, ajo ia doli të ruante sovranitetin e shtetit shqiptar brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht të vitit 1913, pa u ndëshkuar, siç u ndëshkuan vendet e tjera aleate të Boshtit nazi-fashist, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Finlanda etj., me dëmshpërblime po që po, por me humbje territoresh gjithashtu.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama