Kur arti flet me gjuhen e dhunes

Kur arti flet me gjuhen e dhunes
“Dorëzimi”, një komedi e zezë nga Martin McDonagh, nesër premierë në Teatrin e Metropolit me regji të Genti Bejkos

“Ata janë katër! Karmajkëll, Mërvin Tobi e Merilin… Pa e ditur, i përkasin të njëjtës shtresë. Të mbytur në një botë komplekse dhe instinktesh të ndrydhura! Të katërt janë në kërkim të diçkaje që u mungon, sado e madhe apo e vogël të jetë, i bën të ndihen të plotësuar. Janë të gjithë njësoj, me mungesën e një nëne, që do të ndikonte sadopak në formimin e tyre”. Këto janë vetëm disa detaje nga vepra e njohur e autorit irlandez Martin McDonagh, “Dorëzimi”, që do të vijë premierë, mbrëmjen e së enjtes në Qendrën Kulturore “Tirana” (Teatri i Metropolit) me regji nga Genti Bejko. “Dorëzimi” është një komedi e zezë, gati-gati horror, por gjithmonë ngelet një komedi. Trajtimi në thelb është racizmi dhe marrëdhënia e munguar shoqërore.

“Kur flasim për racizëm, nuk kemi parasysh vetëm racizmin e ngjyrave, por racizmin e klasave, të shtresave, racizmin seksual… Në qendër është një njeri me një dorë, i cili kërkon dorën e tij prej 15 vjetësh, të humbur në ish-Estradën e Tiranës dhe vjen e kërkon atë tani në Teatrin e Metropolit. Titulli “Dorëzimi” ka të bëjë më tepër me dhënien e dorës”, shpjegon regjisori Genti Bejko. Sipas tij, shfaqja do të jetë për një publik të kufizuar mbi 16 vjeç, pasi do të ketë skena dhune. “Një komedi e kësaj natyre është një ndërthurje e horrorit dhe komedisë. Një zhanër që ka filluar kohët e fundit të ketë sukses në teatrot mbarëbotërore”, thotë Bejko.

Në këtë pjesë do të interpretojnë aktorët: Julian Deda, Gert Ferraj, Niada Saliasi dhe Irgen Çela. Skenografia dhe kostumet janë nga Endrit Selmani dhe drejtore artistike është Suela Konjari. “Dorëzimi” është një vepër ku përplaset mllefi, mashtrimi, dëshpërimi, lufta raciale, instinkti i gjakut dhe i qumështit. Është ndërthurur bukur humori situatë pas situate, duke e bërë atë sa një vepër horrori po aq edhe humori. Sipas regjisorit, “shfaqja do të vijë nëpërmjet një interpretimi realist, i cili është sjellë në kohë dhe është përshtatur për publikun shqiptar”. Vendosur në një qytet të vogël amerikan, boshti i kësaj vepre të thjeshtë në dukje, dhe me vetëm katër personazhe, ngre disa pika mjaft të nxehta të shoqërisë sonë dhe origjinës së kafshërisë së individit. Në qendër kemi një njeri që ka humbur në mënyrë të dhunshme dorën e tij. A është ai një psikopat patologjik i lindur kriminel apo është bërë i tillë rrugës?

Vetvetiu kuptohet qartë që në fillim. Një grup rrugaçësh lagjeje, produkt i periferive të çdo vendi në botë, e kanë detyruar ta mbajë dorën mbi shinat e trenit dhe ta shohë ndërsa treni kalon mbi të. E më pas sikur të mos mjaftonte, ia kanë bërë edhe “mirupafshim me të”. Por kjo nuk do të thotë aspak se Karmajkëll është një njeri i mirë. Ai është një nënprodukt i një nënprodukti tjetër të shoqërisë, i cili në këtë vepër përballet me një nënprodukt tjetër. Kërkimi i tij arrin kulmin në dhomën e vjetër të një hoteli, në një qytezë të vogël të quajtur Spokein, në përballje me një çift llumi, Tobi dhe Merlin, të cilët shpresojnë të përfitojnë prej shpërblimit që ai ka vënë pa e ditur se ç’i pret.

Në mes të kësaj situate përzihet edhe recepsionisti i hotelit, Mervin, i cili është një hall më vete. Autori i kësaj vepre, Martin McDonagh, është një personazh i njohur i teatrit bashkëkohor. Ai ishte vetëm 16 vjeç kur vendosi të linte shkollën për t’iu futur rrugës së shkrimeve dhe skenarëve kryesisht radiofonikë dhe për 5 vjet me radhë mbledh vetëm letra refuzimi, derisa një ditë, dy prej skenarëve të tij pranohen në disa stacione australiane… Iu deshën vetëm 8 ditë për të shkruar pjesën e tij të parë teatrale, “Mbretëreshën e bukur të Lineinit” (1996), pjesë e cila u vu në skenë për herë të parë më 1997-n në Londër. McDonagh ishte 27 vjeç. Më pas shumë shpejt skenën londineze do ta shihnin edhe katër pjesët e tjera pasuese të krijimtarisë së tij.

Në moshën 27-vjeçare ai është dramaturgu i parë që pas Shekspirit, të cilit i shfaqeshin të katër veprat në mënyrë simultane në West-End Londër. McDonagh shihet si një prej çelësave progresivë të një zhanri të ri teatror, i cili po bëhet i njohur edhe si Teatri i Fytyrës, për shkak të përplasjes ballore të çdo elementi. Funksioni i tij është t’i parashtrojë publikut nëpërmjet skenës, materialin vulgar, shokues dhe konfliktual në mënyrën më të drejtpërdrejtë. McDonagh shkroi dhe drejtoi dy filma (skenari për filmin e tij “Në Bruzh” u nominua për “Oskar” në 2008-n, ndërsa ishte fitues i çmimit “Oskar” për filmin “6 Shooters”.) Elementet e skenarit filmik ndihen dhe te kjo vepër që do të ngjitet më datat 7-10 shkurt e në vazhdim në skenën e Teatrit të Metropolit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama