Kur beheshin perpjekje per tu hapur me Ameriken

Kur beheshin perpjekje per t'u hapur me Ameriken
Në këtë artikull retrospektiv, ish-ministri i shëndetësisë në vitet ’80, mjeku i njohur prof.Ahmet Kamberi hedh dritë mbi një aspekt të panjohur të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane në fushën e shëndetësisë, në një periudhë të vrullshme ndryshimesh, kur mes dy vendeve nuk ishin vendosur ende marrëdhëniet diplomatike.

Gjysma e dytë e viteve 1980 karakterizohej nga një gjendje ekonomike e vështirë në Shqipëri dhe Partia e Punës, në kërkim të zgjidhjes së problemeve të zhvillimit, po përpiqej të zgjeronte hapjen me perëndimin. Ramiz Alia në një mbledhje të KQ të PPSh më 18 prill 1990 kishte deklaruar se "Në qoftë se tani ShBA-të dhe BS, siç thonë, do të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj Shqipërisë, ne nuk kemi arsye të mos e mirëpresim atë." Kjo hapte rrugën për shfrytëzimin e çdo mundësie që ndihmonte në zgjidhjen e problemeve të ndryshme që i paraqiteshin sektorëve të caktuar dhe vendit në tërësi.

Në mungesë të marrëdhënieve diplomatike me ShBA-të, nuk ishte e imagjinueshme të zhvilloheshin marrëdhënie tregtare dhe ekonomike. Megjithatë, në kushtet kur palët dukej se po punonin në prapaskenë për afrimin e tyre, ishte e arsyeshme të përfitohej për të avancuar me veprime që mund të ishin në mbështetje të këtij afrimi.

 Për të zbutur vështirësitë në sektorin e shëndetësisë mua më ishte dashur të punoja shumë për të përmirësuar marrëdhëniet me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSh) dhe të përafroja strategjinë tonë shëndetësore, me atë të kësaj organizate botërore. Kjo u pasqyrua edhe në zgjedhjen time në shtator të vitit 1989, zv/president i Komitetit të 39-të Rajonal Evropian të OBSh-së në Paris. Por punët e sollën që të kisha edhe një rol të drejtpërdrejtë në veprime që mbështesnin afrimin e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ministria e Shëndetësisë, që drejtoja unë në atë kohë, midis shumë problemeve të vështira për të zgjidhur, kishte dhe atë të mospajtimit midis formimit të specialistëve të përparuar dhe teknologjisë së prapambetur që ne dispononim. Imazheria me skaner ishte një nga zhvillimet teknologjike të kohës dhe ishte mjaft e nevojshme për diagnozimin e disa sëmundjeve të kurueshme. T'i dërgoje të gjithë të sëmurët që kishin nevojë për këtë jashtë shtetit ishte praktikisht e pamundur. Në këto rrethana Ministria bëri përpjekje për të aktivizuar një Marrëveshje me Greqinë që unë e kisha nënshkruar në vitin 1987, kur erdhi për vizitë zyrtare zv/Ministri i Jashtëm i atëhershëm, Jorgos Papulias.

Me mirëkuptimin e Ministrit të Jashtëm, Reiz Malile, dhe me ndihmën e tij arritëm të vendosim dërgimin e të sëmurëve që kishin nevojë për diagnozim me skaner, një herë në muaj, fillimisht në Athinë dhe më pas në Janinë. Kjo ishte njëfarë zgjidhjeje, por një zgjidhje me të cilën Ministria nuk ndjehej aspak e qetë. Ishte një mundim i madh për të sëmurët që fillimisht të grumbulloheshin në Tiranë dhe pastaj të transportoheshin me autoambulancë në Greqi vajtje e kthim. Përpjekjet mbi dyvjeçare të Ministrisë për të bindur Qeverinë për blerjen e një skaneri nuk qe e mundur të realizoheshin, për shkak të vështirësisë për të siguruar valutën e nevojshme.

Diku aty nga pranvera e vitit 1990, vihem në dijeni nga dr. Shpëtim Telegrafi, ekografist në Poliklinikën Qendrore të Tiranës, se dr. Agim Leka, një shqiptar i larguar në Amerikë rreth 45 vjet më parë, në mbarim të luftës, dëshironte t'i ofronte Ministrisë një ndihmë. Ai kishte pasur një problem me të motrën që jetonte në Tiranë dhe kishte mundur, pas shumë përpjekjesh, ta dërgonte për të bërë një skaner në Stamboll, Turqi.

Duke kuptuar vështirësinë tonë, ai ofronte të na ndihmonte të blinim një skaner me çmim të arritshëm për ne. Djali i tij, Donaldi, që ishte president i një kompanie tregtare, Syrius Systems Inc, mund të merrej me këtë punë. Unë e mirëprita një propozim të tillë dhe i thashë Shpëtimit ta siguronte dr. Lekën se do të merresha personalisht me këtë punë dhe se e falënderoja për këtë. Por nga e thëna tek e bëra nuk shkohet sa hap e mbyll sytë. Ishin shumë pengesa që duheshin kapërcyer. Së pari, ne nuk kishim as marrëdhënie diplomatike e as tregtare me ShBA-të.

Së dyti, skaneri përfshihej në pajisjet që nuk lejoheshin t'u shiteshin një numri vendesh, ku përfshihej edhe Shqipëria. Së treti, edhe pse ekzistonte tashmë një frymë liberalizmi, nuk kishte një precedent për një lidhje të tillë. E diskutova këtë me ministrin e jashtëm, Reiz Malilen. Në parim ai ishte dakord. Ministria e Punëve të Jashtme mund të kishte edhe planet e veta. E diskutova gjithashtu me Kryeministrin, Adil Çarçani. Fillimisht ai hezitoi, por më pas më mori vetë në telefon dhe më tha se mund të veproja. Megjithatë, mbeteshin plot gjera për të sqaruar dhe puna më e mirë ishte të bisedohej drejtpërdrejt për të gjitha çështjet.

E ftova zyrtarisht Presidentin e Syrius Systems Inc, zotin Donald Leka, për të vizituar Shqipërinë. Vizita u realizua në gjysmën e dytë të gushtit 1990. Nga takimi që pata me z. Donald Leka të nesërmen e ardhjes në Tiranë, më 16 gusht 1991 mësova se Syrius Systems Inc ofronte mundësi interesante bashkëpunimi jo vetëm për shëndetësinë në veçanti, por përgjithësisht edhe për Shqipërinë. Ajo ishte e gatshme të na shiste 2 aparate skaneri me kushte shumë të favorshme për ne; ofronte bashkëpunimin për prodhimin e kompjuterëve me investime të pakta, jo vetëm për konsum të brendshëm por dhe për eksport; bashkëpunimin për prodhimin e të gjitha llojeve të baterive; bashkëpunimin për sigurimin e pajisjeve për spitalin e urgjencës që po ndërtohej si dhe për spitalin e kardiokirurgjisë; bashkëpunim në fushën e industrisë së tekstileve, por edhe të industrive të tjera ku ne mund të ishim të interesuar.

Në këtë takim mësova gjithashtu se i ati i tij, dr. Agim Leka, e kishte njohur personalisht Ramiz Alinë, e vlerësonte pozitivisht atë dhe kishte shprehur dëshirën t'i transmetoheshin të falat e veta. Dr. Agim Leka i kishte kërkuar të birit që në marrëdhëniet me Shqipërinë do të ishte ai që vendoste. Ishte e qartë se nisma e tij për të zhvilluar marrëdhënie me Ministrinë e Shëndetësisë ishte mirëpritur dhe inkurajuar nga Departamenti i Shtetit. Kjo tregonte se edhe Departamenti i Shtetit ishte duke e menduar rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë. Ai kishte sjellë për Ministrinë e Shëndetësisë një aparat faksi për të mundësuar e lehtësuar komunikimin, pasi ne nuk kishim faks në atë kohë. Teknikisht blerjen e skanerëve dhe problemet tjera të bashkëpunimit zoti Leka i bisedoi me përfaqësuesit e Makinaimpeksit, e cila ishte një ndërmarrje e Ministrisë së Tregtisë së Jashtme.

I krijuam mundësi presidentit të Syrius Systems Inc të vizitonte jo vetëm Profarmën, Uzinën e Antibiotikut, Uzinën dhe Ofiçinën elektromjekësore, por edhe kombinatet e tekstileve. Në përfundim të vizitës unë e takova atë përsëri, por kësaj radhe bashkë me Ministrin pa Portofol Farudin Hoxhën, i ngarkuar me modernizimin e teknologjinë. E konsideroja të nevojshme t'i dëgjonte edhe ai ofrimet që na bënte Syrius Systems Inc. Z. Donald Leka kishte mbetur shumë i kënaqur nga vizita dhe kontaktet me njerëzit që kishte takuar. Atij i kishte bërë përshtypje shkalla e lartë e arsimimit të shqiptarëve, por edhe prapambetja teknologjike. Ai kishte idenë se në kushtet e një arsimimi aq të mirë, mjaftonte ndryshimi i koncepteve dhe i bindjeve për të shpejtuar zotërimin e shkencës e teknologjisë dhe modernizimin e vendit. Ai përsëriti përgjithësisht ato që kishte ofruar në takimin me mua.

Ministri Farudin Hoxha, pasi bëri një ekspoze të zhvillimit të vendit gjatë 45 vjetëve të pushtetit popullor, shprehu mendimin se do të ishte e mira që shqiptarët e Amerikës të depozitonin kursimet e tyre në bankat e Shqipërisë, me kushte të njëjta si në Amerikë. Ai ishte dakord me bashkëpunimin me Ministrinë e Shëndetësisë, por shtoi se ky bashkëpunim duhej të shtrihej edhe në prodhimin e baterive, që në atë kohë përbënin problem për ne. Z. Leka ishte dakord me të gjitha këto dhe u morëm vesh që të punohej për ardhjen e grupeve të specialistëve në fushat përkatëse për të mundësuar hartimin e programeve të bashkëpunimit dhe nënshkrimin e kontratave.

Kështu, krejt në mënyrë të rastësishme, Ministria e Shëndetësisë, në mungesë të marrëdhënieve diplomatike, u gjend në pozicionin e një pike lidhëse midis Shqipërisë dhe ShBA-ve. Gjatë muajve në vijim pati një komunikim intensiv midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Syrius Systems Inc.

Në një nga mbledhjet e Qeverisë kisha dëgjuar Kryeministrin për vështirësinë e importit të grurit, ndërkohë që nevoja ishte e ngutshme. I telefonova dr. Agim Lekës dhe i thashë nëse mund të përdorte njohjet e tij për të siguruar shitjen e një sasie gruri për Shqipërinë. Ai e shihte të vështirë këtë, por tha se kishte një mik, ish-ambasador i ShBA-ve në Pakistan, i cili ndoshta mund të ndihmonte. Unë, i përmbahesha bindjes sime se edhe individët nuk janë të parëndësishëm, kur u jepet mundësia të luajnë një rol në dobi të vendit të vet. Unë e kisha bërë këtë, në fushën time të shëndetësisë, me OBSh-në, UNFPA-në dhe Kryqin e Kuq. Por kësaj radhe kjo nuk i përkiste fushës sime. Në vlerësimin tim, Dr. Leka ishte një atdhetar i vërtetë dhe unë shpresoja se ai do të bënte çmos, brenda mundësive të tij, për të na ndihmuar, aq më tepër kur dukej qartë se Departamenti i Shtetit po i përkrahte të tilla marrëdhënie me Shqipërinë.

Më 25 dhjetor 1990 u botua në Washington Post artikulli "Albania Opening to Trade" (Shqipëria po hapet për tregti). Artikulli, me ndonjë pasaktësi, bënte të ditur vizitën e Presidentit të Syrius Systems Inc. në Tiranë dhe marrëveshjen për blerjen e dy aparateve skaner që parashikonte edhe specializimin e dy mjekëve dhe dy inxhinierëve në Amerikë. Në të theksohej se rrugën për këtë vizitë e kishte shtruar i ati i tij, dr. Agim Leka, mjek internist në Long Island, pas bisedave telefonike me zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë në Tiranë. Artikulli bënte gjithashtu të ditur shitjet tjera që po përgatiteshin si ajo e 50 pejsmejkerve, dy sistemeve telefonie dhe përgatitjen për sigurimin e pajisjeve që nevojiteshin për një spital urgjence (ishte fjala për spitalin e urgjencës që po përfundonte së ndërtuari afër stadiumit të lojërave me dorë, tani "Asllan Rusi"), ku përfshiheshin edhe 10 autoambulanca dhe një helikopter, si edhe përpjekjet që po bëheshin për t'i mundësuar Shqipërisë blerjen e 50.000 tonë grurë me çmim të favorizuar.

Artikulli njoftonte në të njëjtën kohë vizitën e ardhshme të Presidentit të Syrius Systems Inc. në Tiranë dhe interesimin e një firme tekstilesh dhe të një tjetre farmaceutike. Artikulli e vinte theksin gjithashtu në dëshirën e zyrtarëve shqiptarë për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike me Amerikën, të cilën ia kishin shfaqur senatorit Tom Lantosh kur vizitoi Shqipërinë një vit më parë, e po ashtu edhe pjesëmarrjen e Ramiz Alisë në Asamblenë e OKB-së dhe takimin e tij me një grup shqiptarësh të Amerikës. Artikulli sqaronte se shitja e skanerëve Shqipërisë u bë e mundur nga një vendim i ShBA-ve dhe BE-së, në verën e atij viti, për lejimin e shitjeve të pajisjeve të tilla Evropës Lindore. "Blerja e CAT skanerëve, është pjesë e një hapjeje graduale të Shqipërisë, e cila për shumë dekada, ka qenë një nga vendet më të izoluara të botës", bënte të ditur artikulli.

Në faksin e datës 27 dhjetor 1990 Ministri i Shëndetësisë do të vlerësonte vitin 1990 si një vit të shënuar për shëndetësinë shqiptare dhe Syrius System Inc, që i lidhi ato në një marrëdhënie bashkëpunimi me perspektivë. Ai shprehte bindjen se viti 1991 do të mundësonte kurorëzimin e arritjeve të tjera të mëdha. Ai, gjithashtu, çmonte lart angazhimin e atdhetarëve për zhvillimin e begatimin e atdheut dhe nderimin e vetvetes, ashtu si dhe përpjekjet e presidentit të Syrius Systems Inc dhe stafit të saj për të ndihmuar në përmirësimin e cilësisë së kujdesit mjekësor në Shqipëri, por edhe në drejtime të tjera në të mirë të zhvillimit, përparimit e forcimit të Atdheut. Në përgjigjen me faks, po më 27 dhjetor 1990, Presidenti i Syrius Systems Inc do të shkruante "Jemi krenar që Ministria e Shëndetësisë, nën drejtimin tuaj, dhe Syrius System Inc i Amerikës kanë qenë në ballë të marrëdhënieve të ShBA-ve me Shqipërinë" dhe se parashikonte që gjatë vitit 1991 do të rivendoseshin edhe marrëdhëniet diplomatike aq të pritura.

Më 3 janar 1991 në një informacion të shkruar me dorë nga dr. Shpëtim Telegrafi njoftohesha se atij i kishte telefonuar dr. Agim Leka dhe, për shkak të delikatesës së problemeve, nuk donte të m'i bënte të ditura ato me faks në Ministri. Ai mund të mos e dinte që faksi ishte në zyrën time, në tavolinën time të punës. Në këtë informacion vihesha në dijeni se më 2 janar 1991 dr. Leka së bashku me Willian Contos, ish-ambasador i ShBA-ve në Pakistan dhe Donald Lekën kishin pasur një bisedë 90 minutëshe me 3 zyrtarë të lartë në Departamentin e Shtetit. Ishte biseduar për mundësinë e shitjes së një sasie gruri për Shqipërinë me çmime konvencionale ose mundësisht t'i jepej falas. Dr. Leka ishte shprehur se Ramiz Alia përfaqësonte stabilitetin në Ballkan, gjë që përkonte edhe me interesat e Amerikës në atë rajon; se shpallja e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë i kontribuonte këtij stabilizimi; se populli shqiptar e donte Ramiz Alinë dhe se, edhe ai që kishte qenë kundërshtar, tani ishte partizan i tij; se program i R. Alisë ishte përparimtar dhe ai vetë tip demokrat e paqësor; se ai mund ta çonte anijen shqiptare atje ku duhej.

Meqenëse, Ramiz Alia kishte deklaruar se zgjedhjet e ardhshme do të ishin krejtësisht të lira, ata kishin pyetur nëse mund të dërgohej për të asistuar një delegacion amerikan i udhëhequr nga Xhimi Karter. Përveç këtyre ai nënvizonte në mënyrë të veçantë kontributin pozitiv të Z. William Contos, njeri i afërt me Xhorxh Bushin, i cili kishte mundësuar realizimin e takimit në Departamentin e Shtetit dhe sugjeronte që të ftoheshin të dy së bashku për një vizitë në Shqipëri, në një kohë që ata do ta gjenin të përshtatshme. Kjo nënvizonte ai, do ta zbuste shumë vizionin e kaluar të papëlqyeshëm të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.

Këtë informacion, sipas rregullave që ne kishim në atë kohë, ia kalova Ministrisë së Punëve të Jashtme nëpërmjet Sektorit të marrëdhënieve me jashtë, por e bisedova edhe me ministrin Reiz Malile, i cili kishte akses të drejtpërdrejtë te Presidenti. Për çështjen e grurit vura gjithashtu në dijeni Kryeministrin, i cili shprehu habinë që isha përzier në këtë çështje. Megjithatë, më pas, ra dakord me procedimin e mëtejshëm.

Më 15 janar 1991, dr. Agim Leka më kaloi me faks letrën që zv/asistent sekretari i Zyrës për Çështjet Evropiane në Departamentin e Shtetit i drejtonte atij. Me këtë letër ai e informonte dr. Lekën për veprimet që ishin duke u bërë, pas bisedës së tyre 2 javë më parë në Departamentin e Shtetit, lidhur me projektin e shitjes së grurit Shqipërisë në kuadrin e Export Enhancement Program (EEP) (Program i Lehtësimit të Eksportit), të cilat kërkonin sigurisht njëfarë kohe për t'i dhënë zgjidhje problemit. Më 27 janar 1991 Presidenti i Syrius System Inc në faksin që i drejtonte Ministrit të Shëndetësisë, shpjegonte se si duhej kuptuar letra e Departamentit të Shtetit e datës 15 janar, lidhur me Export Enhancement Program, i cili nënkuptonte pagesën e një pjese të çmimit të grurit nga shteti amerikan. Kështu, nëse çmimi për 1 ton grurë FOB për Bashkimin Europian ishte pak më shumë se 90.00 $ për Shqipërinë do të ishte 75 $.

Kjo sigurisht do të kërkonte një letër zyrtare nga kreu i Zyrës së Blerjes së Ushqimeve i Shqipërisë, ku edhe të tregohej sasia e grurit dhe çmimi që do të ishte i mjaftueshëm që të fillohej propozimi specifik për Export Enhancment Program për Shqipërinë. Ai shtonte se pas konsultimeve me ish-zëvendës Sekretarin e Bujqësisë, parashikonte se nuk do të kishte pengesa në realizimin e këtij qëllimi. Në mungesë të marrëdhënieve diplomatike, përfundonte ai, ishte e rëndësishme të vazhdohej ndërtimi i marrëdhënieve të punës midis dy vendeve me një vështrim drejt së ardhmes.

Ishte e qartë se punët po shkonin mirë jo vetëm me marrëdhëniet tregtare, por edhe në drejtim të rivendosjes së marrë­dhënieve diplomatike midis dy vendeve tona. Më 31 janar 1991, në faksin që President i Syrius Systems Inc i drejtonte Ministrit të Shëndetësisë, bënte të ditur, me një entuziazëm të dukshëm, se artikulli i Washington Post-it i 25 dhjetorit 1990 kishte pasur jehonë në gjithë shtypin e Amerikës dhe kishte zgjuar interesin e shtetit të Oklahoma-s.

Pas një sërë takimesh sqaruese të përfaqësuesve të Syrius Systems Inc me përfaqësuesit e Departamentit të Tregtisë të shtetit të Oklahoma-s, ky i fundit kishte dalë me propozime konkrete që kishin të bënin me investime në portet shqiptare të Vlorës dhe Durrësit, në infrastrukturë (transport e komunikim), me synimin për t'i bërë portë hyrjeje për Europën Lindore dhe sidomos për Balkanin, një urë tregtie midis këtyre dhe porteve të Missisip-it në zemër të Amerikës, ashtu si dhe ndërtimin e magazinave të mëdha në Oklahoma për ruajtjen e eksporteve shqiptare.

Si hap i parë kërkohej shkëmbimi i ekspertëve në fushën e porteve, terminaleve, dhe praktikave të rrugëve ujore e detare e menjëherë pas kësaj, të nënshkruhej një Memorandum Marrëveshje për njohjen e Planit të Veprimit, dhe të lëshohej autorizimi për ekzekutimin e tij. Memorandumi do të nënshkruhej nga Sekretari i Tregtisë i Oklahoma-s dhe zyrtari përkatës shqiptar. Krahas kësaj ai njoftonte ardhjen e tij dhe të personave shoqërues, siç ishim marrë vesh më parë, të planifikuar për datën 17 shkurt 1991. Bashkëlidhur ishte dhe "Plani i Aktivitetit - Portet, Rrugët ujore & detare; Teknologjia & Transferimi i informacionit" (Shteti i Oklahoma-s - Qeveria Shqiptare, Shkurt 1991).

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama