Kur celulari ti ben pushimet me te thjeshta

Kur celulari ti ben pushimet me te thjeshta

Jeni gati për pushime. Keni bërë valixhet gati, por ju duket se diçka mungon. Makina juaj është gati për udhëtim? Pasi të keni kontrolluar makinën, bëni mirë të kontrolloni edhe celularin tuaj, sidomos ata që kanë celularë “të zgjuar”, smartphone. Celulari juaj mund të pajiset me të tilla programe që do t’ua lehtësojnë udhëtimin dhe zgjedhjet. “Shekulli” ju prezanton pesë programet më të mira që kanë ndihmuar miliona njerëz nëpër botë që të bëjnë pushime më të qeta. Nuk ka rëndësi nëse e njihni apo jo vendin në të cilin do të kaloni pushimet tuaja, nuk ka rëndësi nëse pushoni në një vend si Shqipëria, që nuk ka kabina informacioni si në të gjithë botën, apo në një vend tjetër ku nuk e dini gjuhën që flitet. Me këto pesë programe mund të merrni informacione që i dinit dhe nuk i dinit. Janë këto info që e bëjnë pushimin tuaj më të qetë. Ekspertët e informatikës na japin këtë listë: në vendin e parë HAK (iOS, Android), në vendin e dytë AroundMe (Windows Phone), për të vijuar me Head-up display (Windows Phone) dhe Xe Currency (iOS) në vendin e tretë dhe të katërt. I fundit në këtë listë, por jo më pak i rëndësishëm është Cab4me Taxi Finder (Android).

HAK (iOS, Android)

Ky është një aplikacion për të cilën është shkruar shumë herë. Një nga avantazhet e këtij programi është sepse ai mundësohet në dy platformat më të përhapura në celularët e mençur. HAK përdoret edhe në celularët që funksionojnë me platformën iOS dhe tek ata që punojnë me Android. Thuajse të gjithë njerëzit që udhëtojnë e njohin HAK-un. Ky është programi që nuk ju zhgënjen asnjëherë. Sepse ai është udhëzuesi juaj në udhëtim. Informacionet që të servir HAK-u janë po aq të sakta sa një hartë e pajisur me sinjale rrugore, parking, pika karburanti e të tjera. Nëse keni nevojë për të parkuar diku, ky program të rrëfen edhe nëse një pikë parkimi ka vende të lira në kohën e kërkimit apo jo. Nëse kemi frikë se ndonjë radar policor do t’ju prishë udhëtimin, ky aplikacion ju zbulon edhe radarët e policisë. Ky shërbim i fundit ka bërë që HAK-u të jetë programi më i njohur dhe më i përdorur gjatë një udhëtimi. Përveç pasqyrës së informacioneve më të nevojshme për rrugën që do të ndiqni ky aplikacion do t’ju ofrojë edhe shërbimin mParking për pagesën e shpejtë dhe të thjeshtë të parkimit, dhe kjo është në dispozicion në shumicën e vendeve të rajonit. Në versionin më të ri të këtij programi është shtuar edhe çmimi i karburanteve në vendin që jeni duke lëvizur. Pa marrë parasysh “mangësitë” e vogla, sepse HAK-u nuk është gjeni, ky është një aplikacion i jashtëzakonshëm për udhëtime.

AroundMe (Windows Phone)

AroundMe është një version tjetër i HAK-ut. Është shumë i ngjashëm me të, por është projektuar për të funksionuar në celuarët të cilët punojnë me platformën Windows. Nëse celulari juaj është një Nokia i mençur, AroundMe e bën edhe më të mençur. Sepse ky program mundëson gjetjen e vendeve për të cilat keni dëgjuar dhe kërkoni të vizitoni. Është një program, i cili shfrytëzon GPS për të gjetur informacionet dhe ndonjëherë është edhe më i saktë se sa HAK-u. Edhe AroundMe të ofron një listë të gjatë të shërbimeve në rrethinën në të cilën gjendeni. Të gjitha ato që janë informacione të nevojshme gjatë një udhëtimi si: parkingu, baret, restorantet, bankat, hotelet, spitalet, pikat e karburanteve, supermarketet dhe shumë gjëra të tjera, të gjitha mund t’i gjeni në AroundMe. Natyrisht që, ky program ofron edhe funksione tjera, si vendet më të frekuentuara dhe më të preferuarat nga vizitorët. Kjo e bën edhe më tërheqës udhëtimin tuaj, udhëtimin në të cilin mund të zbulonit shumë më shumë nga sa e kishit imagjinuar. Dhe kjo vetëm falë vendeve “Inn” që ju prezanton AroundMe.

Head-up display (Windows Phone)

Edhe Head-up display është një aplikacion i shkëlqyeshëm për Windows Phone. Ky program i instaluar në celularin tuaj do t’ju kursejë ndoshta ndonjë aksident të mundshëm me makinë. Gjithkujt mund t’i ndodhë, e sidomos në një vend që nuk e njeh. Head-up display i rrëfen çdo përdoruesi shpejtësinë momentale të lëvizjes  dhe drejtimin që duhet ndjekur. Ky program është si një guidë për një udhëtim të shëndetshëm sepse ai parandalon me këshillat e tij edhe dëmtimet e automjetit tuaj nga ndonjë rrugë e dëmtuar apo nga ndonjë terren i vështirë. Nëse makina juaj ka një vend të posaçëm për një celular të mençur, mjafton ta vendosni pranë kroskotit dhe të ndiqni këshillat. Udhëtarët e shpeshtë që e përdorin këtë program tregojnë se treguesit e limitit të shpejtësisë së lejuar që tregon Head-up display ta bëjnë udhëtimin shumë herë më të sigurt.

Më të mirat e këtyre javëve: paraja dhe transporti

 
Programet që u bënë të suksesshme dhe të preferuara sapo u linçuan
 

Dy programet e tjera që po ju  prezantojmë janë Xe Currency (iOS) dhe Cab4me Taxi Finder (Android). Këto dy programe janë hedhur në treg këtë verë dhe që në prezantimin e parë janë bërë të preferuarat e udhëtarëve. Programi i parë ndoshta sepse është tërësisht pa asnjë pagesë. Është shumë i thjeshtë në përdorim dhe shumë i vlefshëm nëse gjendeni në një vend të huaj. Keni para me vete, por llogaritë nuk ju dalin? Ose po ju mashtrojnë, ose nuk dini t’i bëni mirë llogaritë me monedhën e huaj. Problemet me paratë ndonjëherë kthehen në makthin e pushimeve të verës. Ndërrimi i valutave kurrë nuk ka qenë më i thjeshtë pas përdorimit të  Xe Currency-t. Ky program do t’ju tregojë secilin kurs të mundshëm për valutat më të rëndësishme botërore. Kudo që të jeni do të gjeni informacionin që ju duhet. Ky aplikacion ka në përbërjen e tij edhe një makinë llogaritëse, e cila ju mundëson vlerën që doni të llogarisni, automatikisht. Fakti që Xe Currency është shumë një program i dobishëm dhe një aplikacion pa pagesë, e ka shpallur atë për disa javë rresht aplikacionin më të mirë të iTunes.

Cab4me Taxi Finder, programi që mund të përdoret nga të gjithë celularët që funksionojnë në bazë të platformës Android, është po ashtu më i favorizuari i javëve të fundit. Të udhëtosh nuk është aspak e lehtë e sidomos në një vend të huaj dhe pa makinën tënde.  Cab4me Taxi Finder të gjen taksi në çdo vend të botës. Me anë të këtij programi mund të gjeni edhe shërbimet taksi të një vendi tjetër nga ai në të cilin jeni duke qëndruar. Aplikacioni Cab4me nëpërmjet funksioneve të tij ofron edhe përshkrimin e vendeve të taksive, çmimin për kilometra dhe vlerësimet që kanë marrë kompanitë e taksive. Kjo bën të mundur që ju të zgjidhni taksinë e cila ju duket më e leverdishme apo atë që ju shkon më shumë për shtat. Sigurisht që ky program ju mundëson edhe numrat e kontaktit të këtyre kompanive. Ajo që e ka bërë këtë program më të preferuarin e javës është fakti se Cab4me Taxi Finder mund të përdoret edhe me App2SD, pra edhe në ekranet e mëdha, si tablotë, trendin më të ri të momentit.

Celulari i mençur më i shitur në treg

Në rang botëror, sipas një përllogaritjeje nga Strategy Analytics, smartphoni më i shitur gjatë vitit 2012 ka qenë Samsung’s Galaxy S III.  18 milion celularë Samsung’s Galaxy S III  janë blerë vetëm në tre muajt e fundit të vitit 2012 duke ia kaluar kështu iPhone 4s-së, i cili kap shifrën prej 16.2 milion aparatesh celularë të shitur. E megjithatë, Apple kompania që tregton iPhone, por të bashkojë me shifrën e iPhone 4s-së edhe atë të iPhopne 5, arrin në shifrën e 22.2 milion aparatë të shitur, pasi gjatë tremujorit të fundit të 2012 janë shitur 6 milion iPhone 5 në të gjithë botë. Ndërsa, në rënditjen e SHBA-së, Apple zë tre vendet e para: në vendin e parë kemi iPhone 4, i ndjekur nga 3GS dhe në vend të tretë, iPhone 4S. Në vendin e katërt kemi BlackBerry Curve 8530. Ndërsa në Europe iPhone 4 pozicionohet në vendin e parë, i ndjekur nga iPhone 3GS. Në vendin e tretë kemi Samsung Galaxy Ace, në të katërtin Samsung Galaxy S dhe në vendin e pestë, iPhone 4S.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama