Kur dashuria nuk njeh moshe

Kur dashuria nuk njeh moshë
Pikërisht kjo është ajo ku duhet të ndalemi më shumë. A është e vërtetë se dashuria nuk njeh moshë? Në kohën e sotme, njerëz të pushtetshëm tregojnë me krenari lidhjet e tyre me partnerë apo partnere në moshë shumë herë më të vogël se vetja. Zakonisht janë gratë në moshë të madhe ato që dashurohen çmendurisht pas më të rinjve, siç ndodh te "Ditari i një skandali", ku Kate Blanchett dashurohet me një student vetëm 15 vjeç, një lidhje që nuk përfundon aspak mirë. Ky fenomen që po përhapet me shpejtësi në vendet e zhvilluara duket se ka tërhequr edhe vëmendjen kryesore për filmat apo dokumentarët e ndryshëm, ku në qendër vendoset një grua rreth të 50-tave, që dashurohet me një djalë 25-vjeçar dhe në fund kërkon të lidhë martesë me të.

Por në fund është vjehrra ajo që nuk lejon që e gjithë kjo histori të përfundojë me një fund të lumtur. Sot është e vërtetë se koha ka ndryshuar gjithçka, madje edhe gjykimi kolektiv. Megjithatë janë të shumtë edhe ata që mendojnë se këto lloj lidhjesh nuk bëjnë gjë tjetër veçse shtojnë rrezikun për humbjen e sigurisë, sepse, sipas tyre, këto janë dashuri të brishta, që nuk i respektojnë rregullat sociale. Kur mbretëresha e popit, Madonna, u martua me Guy Ritchin, rreth dhjetë vjet më të vogël se ajo, historia e tyre e dashurisë ishte shoqëruar nga njëmijë e një thashethemesh, ndërsa sot nuk ka asgjë për të qeshur, nëse dikush e ka marrë burrin apo gruan shumë herë më të madh apo më të vogël se vetja.

Fjalët janë të kota. Kundër çdo parashikimi shkon për mrekulli martesa mes Demi Moore, 46 vjeçe, që ka shpenzuar plot 500 mijë dollarë për operacionet plastike dhe Ashton Kushner, 29 vjeç, që është njëkohësisht babai dhe vëllai i madh i tre vajzave të pasura nga martesa e parë me Bruce Willis. Por, ndërsa Demi Moore preferon burrat më të ri se vetja, ndryshe ndodh me kolegun e saj që adhuron të ketë në krah femra më të mëdha se vetja. Vetëm pak kohë më parë, aktori britanik i dha fund lidhjes me Francesca Annnis, 20 vjeçe më të madhe se ai, për t‘u lidhur me Ellen Barkin, dhjetë vjet më të vogël. Me këtë rast aktori uli edhe moshën mesatare të të fejuarave. Edhe lidhjet burrë i madh në moshë dhe gruaja shumë e re janë bërë tashmë më se të zakonshme, e shoqërohen gjithmonë e me më pak skandale e thashetheme, por vetëm me zili.

Po t‘i merrnim të gjithë me radhë, lista nuk do të përfundonte kurrë. Le të citojmë vetëm disa të tillë. Për shembull, Donald Tramp, shumë entuziast për "Po"-në e tretë me ish-modelen Melania Knauss, apo burri 91-vjeçar i të ndjerës An Nikol Smith, 50 vjet më e re. Në listë nuk mungon edhe Woody Allen, që u nda nga Mia Farrow, për vajzën e adoptuar Soon Yi. Ky fenomen nuk ka të bëjë me ndonjë përjashtim, por me atë që po bëhet rregull: ndryshimi i moshës ka gjithmonë e më pak rëndësi. Megjithatë VIP-at janë ata që po e japin këtë shembull edhe në jetën e zakonshme.

Kështu, Elisabeta Gregoraçi, 28 vjeçe, ndoshta pas pak muajsh do të jetë bashkëshortja e menaxherit të "Renosë", Flavio Briatores, 58 vjeç. Po ashtu, edhe modelja Thais Wiggers, 23 vjeçe, së shpejti pret të bëhet nënë dhe nuk ka rëndësi nëse babai i fëmijës është një burrë 44 vjeç. Edhe aktori Mikele Plaçido, pas martesës së fundit ka sjellë në jetë fëmijën e pestë me bashkëshorten që ka të njëjtën moshë me vajzën e tij të madhe. I fundit në listë është padyshim çifti Sarkozi-Bruni, ku një President 56 vjeç lidhi kurorë me modelen vetëm 39 vjeçe. "Çifti, shpjegojnë psikologët, i ngjan më tepër një përbërjeje kimike, ku valencat e një elementi duhet të korrespondojnë me valencat e elementit tjetër kimik.

Një diferencë e madhe moshe krijon avantazhin që të lërë të pangopura shumë valenca të tjera: si bagazhi që lidhet me brezin të cilit i përket, muzika, moda, zakonet. E gjitha kjo prodhon një asimetri dhe njëkohësisht edhe interes e kuriozitet kundrejt tjetrit. Në një shoqëri që karakterizohet homoligimi, diversiteti ngjall dëshirën për rinovim". Sigurisht që duhet të ketë pasur një tërheqje të fortë kimike mes Majkëll Dagllas dhe Katherine Zeta Jones (ai 63, ajo 37) mes Kevin Kostner dhe Kristine Baumgartner, përkatësisht 52 dhe 33 vjeçe.

Skeptikët

Por nëse në hapat e parë të dashurisë nuk vihet re mosha apo defektet e partnerit, me kalimin e kohës bëhet më e vështirë kapërcimi i pengesave dhe vendosja e rregullave, në mënyrë që harmonia në çift të mos prishet. Viktor Bechman, psikolog i Universitetit të Uashingtonit, prej vitesh studion mekanizmat që i bëjnë çiftet të ndahen me diferencë moshe, ose të qëndrojnë së bashku.

Nga studimet e tij ka dalë se, një nga pikat kyçe të gjithë kësaj është mënyra se si këto çifte i përballojnë zënkat. Nëse ata i kalojnë konfliktet me qetësi, apo nëse vazhdojnë të jenë të mbërthyer pas kritikave të ashpra dhe kokëfortësisë së tyre. Po cilat janë sjelljet për t‘u evituar ato që mbartin njëkohësisht edhe rrezikun e një ndarjeje?

Pa frikë mund të themi, kritikat për partnerin, për karakterin apo zhvlerësimi për personalitetin e tij. Zakonisht, pas zënkave funksionojnë për mrekulli edhe ofertat për t‘u pajtuar. Kjo mund të arrihet fare lehtë, duke kërkuar falje, duke dhuruar një buzëqeshje, apo duke thënë një batutë të bukur. Edhe pse diskutimi mund të ketë qenë vërtet i ashpër, me tentativat për të riparuar atë që ka ndodhur, ulet ndjeshëm tensioni kur mendohet se partneri do ta mirëpresë vendimin tënd.

Të gjitha këto çifte, pa përjashtim, zihen, por e rëndësishme është mënyra që përdorin për të riparuar "dëmet". Zakonisht minutat e para të një diskutimi janë gjithmonë ato kur njëri nga të dy personat tregon një problem, ndërsa tjetri i përgjigjet. Shpesh ato që e nisin janë gratë: nëse ajo do ta nisë me një kritikë të përgjithshme (Si është e mundur që ti nuk më ndihmon për asgjë?), atëherë situata është vërtet e rrezikshme. Ndoshta do të ishte më mirë një reagim më i butë dhe një qortim i specifikuar (Dje nuk më ndihmove ta bëja këtë...). Po reagimi i tij?

Në çiftet më pak të qëndrueshme, bashkëshorti vihet menjëherë në mbrojtje dhe bëhet negativ shumë shpejt, ndërsa në ato më të qëndrueshme përpiqet të mbajë një sjellje pozitive sa më gjatë të jetë e mundur. Për psikologët, nuk duhet të sforcohesh me çdo kusht për t‘u pajtuar para se të shkosh për të fjetur. T‘i gjesh një zgjidhje problemit kur je i irrituar, është shumë e vështirë, ndaj është më mirë që t‘i rikthehesh problemit edhe njëherë mëngjesin e ditës tjetër.


/Gazeta Shqip/

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama