Kur dhimbja kthehet ne force

Kur dhimbja kthehet ne force
Historitë e njerëzve që ja kanë dalë mbanë t’i rikthehen jetës normale pas traumave që kanë pësuar në jetë: humbje njerëzish të dashur apo sëmundje. "Nëna ime, që është 61 vjeçe, u operua në mars të këtij viti për një tumor në fyt. Mjekët ishin shumë pozitivë dhe përpiqeshin që në çdo moment të mos na shqetësonin për sëmundjen e mamasë, e cila ndër të tjera tani është mirë, - tregon Gregoria. - Ka vështirësi kur gëlltitet dhe pak probleme me shqiptimin e fjalëve. E di që ekziston një rehabilitim i veçantë që jep rezultate të shkëlqyera, por ne jetojmë në një fshat dhe nuk arrijmë të gjejmë një adresë të saktë". Pasi kalon frika e diagnostikimit me kancer dhe fillojnë kurat, pacientët dhe familjarët dëshirojnë t’i kthehen normalitetit. Mundësitë janë, specialistët gjithashtu, por ende nuk konsiderohen si të nevojshëm.

Ndërhyrja e asistentëve, për shembull, do të ndihmonte të sëmurët që kanë probleme me shqiptimin e fjalëve. Dietologu do t’u nevojitej pacientëve mbipeshë të ndiqnin një dietë të shëndetshme për të rrëzuar kilet e tepërta. Roli i një specialisti ortopedik është vendimtar për t’u mësuar të mbajnë protezat personave që janë operuar nga tumoret në kockë.

“Kanë kaluar dhjetë vjet që kur mjekët i zbuluan ‘në kohë’ kancer në mushkri babait të një mikut tim. Edhe fqinja që jeton këtu pranë nesh u diagnostikua me kancer në gji, por fatmirësisht u shërua, ndërsa xhaxhi im i moshuar thotë se nuk ka asgjë për t’u trembur: ‘Kanceri në prostatë në fazën fillestare mund të trajtohet si një sëmundje kronike njësoj si të tjerat’, thanë onkologët", - tregon një 50-vjeçar. "Sot ka shumë mundësi trajtimi për t’i shfrytëzuar dhe mosha nuk përbën ndonjë problem". Shifrat e të mbijetuarve dëshmojnë për suksesin e diagnostikimit të hershëm dhe efikasitetin e trajtimeve të reja që zbulohen pas shumë vitesh studime eksperimentale.

Në vitin 1970 ishin rreth 820 mijë persona të prekur nga kanceri, në vitin 2000, 1 milion e 270 mijë, ndërsa sot janë rreth 2 milionë persona të diagnostikuar me kancer, 43,8 për qind meshkuj dhe 56,2 për qind femra. Sigurisht që numri i personave të prekur nga kanceri vazhdon të rritet, sidomos për shkak të plakjes së popullsisë. Megjithatë, shumë prej tyre arrijnë t’ia dalin mbanë. Të dhënat e analizave të "Eurocare 2007" tregojnë se arrijnë të mbijetojnë në 47 për qind të rasteve të paktën pesë vjet pas diagnozës, për të gjitha llojet e tumoreve dhe për të gjitha moshat (15-99 vjeç). Merita kryesore është e arritjes shkencore (diagnozat e hershme, programet e reja të ekzaminimit dhe terapitë efikase).





Gjithashtu, janë edhe asistentët socialë, që mund t’i japë informacione pacientit mbi të drejtat e tij shëndetësore dhe lehtësirat në vendin e punës ose mund ta ndihmojë për të përballuar praktikat burokratike: siç është kërkesa për vendosjen e protezave të gjirit ose aparateve ortopedike. Ushtrimet fizike për legenin janë shumë të rëndësishme për femrat që kanë hequr mitrën, meshkujt që vuajnë nga prostata, personat që vuajnë nga kanceri i zorrës së trashë, sepse arrijnë të frenojnë një siklet të madh si mospërmbajtja. Në fund janë ushtrimet për linfedemën, ose për ënjtjen e krahëve dhe këmbëve, e shkaktuar nga ndërhyrja kirurgjikale ose radioterapia. "Vajza ime u sëmur me leucemi në moshën 6-vjeçare. Tani është 12 vjeçe dhe prej vitit të kaluar me shumë mundim ka pranuar kontrollet e nevojshme ‘follow up’, që parashikohen për sëmundjen e saj.

Vazhdimisht më pyet se përse mjekët i bëjnë këto kontrolle për të parë nëse është shëruar, apo sepse është ende e sëmurë..." - shkruan një nënë në forumin e psikologëve. "Është e vërtetë që kontrollet ngjallin frikë dhe shpesh mund të perceptohen si gjykime të mundshme", - përgjigjet ekspertja. "Është diçka shumë e përhapur edhe mes pacientëve të rritur, një siklet që shpesh përfshin edhe familjarët e personave të sëmurë, ashtu siç është e natyrshme që të tronditeni emocionalisht dhe psikologjikisht pasi keni marrë vesh që jeni me kancer.

Gjithsesi, ndihma psikologjike mbetet ende një tabu, edhe pse vazhdon të rritet numri i qendrave që u ofrojnë këtë shërbim pacientëve. Në shumë raste, mjaftojnë disa takime për të gjetur kurën e duhur: të dëgjohesh nga të tjerët, të marrësh këshilla apo ndonjë sugjerim praktik, të shfrysh inatin, të shprehësh të gjitha shqetësimet, mund t’iu ndihmojë të keni një jetë më të shëndetshme. Vetëm në këtë mënyrë mund të riktheheni si më parë, ndoshta edhe më mirë seç keni qenë".

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama