Kur diplomatet shqiptare punonin nen bombat e amerikaneve

Kur diplomatët shqiptarë punonin nën bombat e amerikanëve
Sipas njoftimit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, e cila u referohej edhe disa prej agjencive telegrafike më të njohura dhe prestigjioze të botës, bëhej e ditur se në orën 11 e 30 minuta të asaj dite, sipas orës lokale të kryeqytetit të Vietnamit Verior, Hanoi, nga bombardimet e aviacionit të forcave amerikane ishte plagosur rëndë diplomati shqiptar Qemal Rahmanaj, i cili ishte për një vizitë pune në selinë e përhershme të qeverisë franceze të akredituar në atë qytet. Po kështu, në lajmin e bujshëm, i cili u përhap me një shpejtësi marramendëse në të gjithë vendin nëpërmjet valëve të radios së vetme shtetërore që kishte shteti shqiptar i asaj kohe, bëhej e ditur se në selinë e përgjithshme të qeverisë franceze në Hanoi, përveç diplomatit shqiptar Qemal Rahmanaj, që ishte plagosur rëndë, kishin mbetur të vdekur edhe gjashtë persona, midis të cilëve edhe ambasadori francez me bashkëshorten e tij. Po si qëndron e vërteta e asaj ngjarjeje të ndodhur më 11 tetor të vitit 1972 në atë vend të largët aziatik të udhëhequr prej komunistëve të Ho Shi Minit? Gjë të cilën Tirana zyrtare e asaj kohe e shfrytëzoi me të gjithë arsenalin e saj propagandistik për të sharë e demaskuar imperializmin amerikan? Për të mësuar diçka më shumë nga njoftimet, notat e protestave, deklaratat e lajmet që u dhanë në shtypin shqiptar të asaj kohe për atë ngjarje të pazakontë, ne iu drejtuam familjes së ish-diplomatit Qemal Rahmanaj, i cili është ndarë nga jeta pesë vjet të shkuara. Bashkëshortja e tij, Adika (Dajçi), një grua fisnike me origjinë nga Malësia e Gjakovës, e cila e ka ndjekur nga pas të shoqin në të gjitha peripecitë e tallazet e jetës, na pret me shumë dashamirësi në apartamentin e thjeshtë që ai i ka lënë si "trashëgimi", aty në katin e tretë të një pallati shumë të vjetër fare pranë qendrës së Tiranës, në të majtë të bulevardit që të shpie te sheshi "Avni Rustemi". Ndonëse i ka kaluar të shtatëdhjetepestat, me një memorie brilante për t‘ia pasur zili kushdo, Adika Rahmanaj sjell në kohë atë ngjarje të largët, duke na treguar me detaje e hollësi për gjithçka që e pyesim. Përveç dëshmive të saj, ajo na vë në dispozicion edhe kujtimet e të shoqit të shkruara me dorën e tij, pak kohë para se të ndërronte jetë, si dhe albumet e fotografive, të cilat së bashku plotësojnë të gjithë atë kuadër të jetës së tyre sa me momente shkëlqimi, aq dhe me peripeci të pafundme.

Zonja Adika, kur shkuat për herë të parë në Vietnam me bashkëshortin tuaj dhe me çfarë kushtesh u përballët atje?
Në vitin 1970, kur shkuam në Hanoi, ne u vendosëm me banim brenda godinës së ambasadës sonë, e cila ishte një ndërtesë dykatëshe, me një papafingo të pabanueshme dhe një bodrum, i cili shpesh përdorej edhe për banim nga ana e personelit tonë. Apartamenti ku banuam për pesë vjet me radhë, përbëhej prej një dhome dhe një aneksi të vogël dhe si mobilim kishte vetëm një krevat, një dollap e një kondicioner. Bashkë me ne, në atë ambasadë banonte edhe shifranti, ndërsa shtëpia e ambasadorit dhe e shoferit, të cilat ishin pak më të mira, ndodheshin diku jo shumë larg prej nesh. Një vështirësi tjetër me të cilën u përballëm ishte dhe ushqimi, pasi në Hanoi nuk kishte ushqim dhe populli e vuante shumë mungesën e tij. Por për ne të huajt dhe personalitetet e vendit ishte hapur një dyqan i veçantë, por edhe atje shpeshherë nuk gjeje gjë. Për të blerë ndonjë kile mish apo ndonjë ushqim tjetër, duhej të bëje porosi disa ditë më parë. Nisur nga ky fakt, ne blinim ushqime në tezgat e rrugës apo te fshatarët që vinin në qytet për të shitur ato pak prodhime që kishin. Mungesën e ushqimeve e vuante vetëm ambasada jonë, pasi atyre të shteteve të tjera ose ua sillnin aty, ose i blinin në Hong Kong. Të gjitha këto që thashë i mungonin dhe popullit vietnamez, i cili jetonte në vështirësi të jashtëzakonshme. Për të pasur një përfytyrim sa më të qartë për situatën e Vietnamit të asaj kohe, po ju them se në magazinën më të madhe që kishte Hanoi luanin fëmijët me top, pasi nuk kishte asgjë brenda. Aty mund të gjeje vetëm batanije të kombinatit të tekstileve "Stalin" të Tiranës, që ata i kishin marrë si ndihma nga Shqipëria. Dhe të gjitha këtyre vështirësive të jetesës u shtohej edhe ajo më e tmerrshmja që mbizotëronte aty, bombardimi i amerikanëve.

Si i kujtoni bombardimet e amerikanëve dhe si i keni përjetuar ato?
Që me vajtjen tonë në Hanoi në vitin 1970, na ishin dhënë instruksionet e nevojshme se si duhej të mbroheshim dhe se si duhej të vepronim në rastin e bombardimeve, të cilat ishin të përditshme, natë e ditë. Rreziku i tyre ishte orë e çast dhe kur fillonin bombardimet e avionëve, ne dilnim në oborr dhe numëronin bombat që dukeshin si rruaza. Bombardimet më të ashpra të amerikanëve filluan në marsin e vitit 1972 dhe ato bëheshin si shenjë presioni për nënshkrimin e marrëveshjes së paqes në Paris. Fillimin e bombardimeve e lajmëronin sirenat e shumta që ishin vendosur në çdo skaj të kryeqytetit Hanoi dhe me të dëgjuar sinjalin e tyre, ne fillimisht fiknim dritat (po të ishte natë) dhe ashtu të veshur apo gjysmë të veshur siç ishim, i zbrisnin shkallët duke rrëshqitur në parmakët e tyre për t‘u futur menjëherë në rifuxhot që ndodheshin brenda oborrit të ambasadës. Rifuxho quheshin vendstrehimet (tunelet) që ishin ndërtuar enkas për t‘u mbrojtur nga bombardimet. Kur bombardimet na zinin në rrugë, ne futeshim menjëherë në fuçitë me ujë që ishin anës rrugëve. Dalëngadalë ne u bëmë specialistë për avionët dhe i njihnim zhurmat e tyre sa herë që fluturonin mbi Hanoi. Avionët B-52 kishin zhurmë shumë të madhe, ndërsa "Fantom"-ët ishin të pakapshëm nga radarët dhe kur fluturonin ata, nuk binin sirenat.

Po autoritetet vietnameze a merrnin masa për mbrojtjen e jetës suaj nga bombardimet?

Godina e ambasadës sonë ndodhej fare pranë Ministrisë së Jashtme dhe aty afër nesh ishte një repart ushtarak, i cili kishte detyrë të mbronte jetën e personaliteteve dhe personelit të ambasadave. Sa fillonin sirenat e alarmit, ushtarët vinin te ne me pushkë në dorë, por ata të shkretët nuk kishin ç‘t‘u bënin bombave të avionëve amerikanë. Një herë bombat e amerikanëve ranë afër stacionit të trenit, ku banonte dhe sekretari i tretë i ambasadës sonë, Maxhun Peka, me bashkëshorten dhe vajzën e vogël. Ai u rrezikua seriozisht prej tyre dhe që nga ajo ditë ai erdhi e u vendos me banim në bodrumin e ambasadës sonë.

Cilat ishin objektivat që synonin më shumë amerikanët në bombardimet mbi Hanoi?

Bombat e tyre binin kudo nëpër qytet, por ata synonin më shumë një digë të madhe, e cila ishte jo shumë larg ambasadës sonë. Ajo digë shërbente edhe si urë dhe vietnamezët na thoshin se po të shkatërrohej ajo nga bombat, përmbytej i gjithë qyteti i Hanoit. Aty amerikanët bënë shumë goditje dhe njëherë aty u rrëzua edhe një avion B-52, të cilin ne shkuam dhe e pamë nga afër. Ngaqë shkatërrimi i kësaj dige pritej orë e çast, të gjitha ambasadat e tjera kishin marrë masa, duke mbajtur varka në selitë e tyre, vetëm ne nuk kishim. Bombat e avionëve amerikanë shkaktonin shumë viktima dhe spitalet ishin mbushur plot, me qindra të plagosur. Në Hanoi rrallë mund të gjeje ndonjë vietnamez që nuk kishte të lidhur në kokë shami të bardhë, e cila ishte shenjë zie, që tregonte se një i afërm i kishte vdekur. Në marsin e vitit 1972 kur, siç thashë më parë, u shpeshtuan bombardimet, me përjashtim të ambasadës shqiptare, të gjitha shtetet e tërhoqën personelin e ambasadave të tyre nga Vietnami. Koreja e Veriut ishte e fundit që e tërhoqi ambasadën e saj dhe vetëm ne mbetëm aty, pasi na thanë që duhej të qëndronim në krye të detyrës. Në atë kohë në të gjitha selitë e ambasadave mbiu bari ngaqë nuk kishte këmbë njeriu. Më pas, kur filluan bisedimet në Konferencën e Paqes në Paris, u ndërprenë bombardimet dhe ambasadat u kthyen përsëri në Hanoi.

Cilat ishin marrëdhëniet tuaja me personelin e ambasadave të tjera dhe popullin vietnamez?

Ne kishim marrëdhënie korrekte me ambasadat e tjera dhe shkonim e vinim në raste pritjesh e festash të ndryshme. Vetëm me rusët ne e kishim të ndaluar të komunikonim dhe kur përballeshim me ta në ndonjë pritje, kthenim kurrizin apo bënim sikur rregullonim çorapen, në mënyrë që të mos u jepnim dorën. Ata e kuptonin pozitën tonë dhe vetëm qeshnin. Një herë, në një pritje, unë gabimisht ia dhashë dorën një ruseje, por shyqyr që nuk më panë, se mund të ishte bërë problem i madh. Edhe me popullin e thjeshtë vietnamez ne shkonim mirë dhe ata na respektonin shumë. Vietnamezët ishin një popull i thjeshtë dhe alegro. Gratë kishin shumë qejf ta mbanin veten dhe shpeshherë ato i zinin bombardimet nëpër parukeri duke rregulluar flokët.

Si e kujtoni plagosjen e bashkëshortit tuaj, Qemalit?
Ka qenë 11 tetori i vitit 1972 dhe atë ditë Qemali ishte nisur për në selinë e përfaqësisë franceze, ku kishte një takim pune. Në shtëpinë tonë, aty në ambasadë, kishte ardhur një student shqiptar (tre kishte gjithë Hanoi), të cilit ne po i luteshim të rrinte për drekë. Ai nuk qëndroi dhe kur dola për ta përcjellë në oborr pashë makinën e ambasadës, e cila pothuaj ishte shkatërruar gati e tëra. Kur e pashë makinën në oborr në atë gjendje, u tmerrova. Shoferët kishin çuar Qemalin në spital dhe kishin ardhur aty për të marrë Maxhunin e për ta çuar në spital po me atë makinë, që çuditërisht ishte në gjendje të ecte. Bashkë me Maxhunin shkova dhe unë. E gjetëm Qemalin në sallën e operimit. Ai kishte marrë 28 plagë të vogla dhe mjekët po ia pastronin. Qemalin e kishin pranuar në spital, pasi ishte i huaj, se me rregull, pa mbaruar bombardimet nuk të pranonte njeri në spital.

Si kishte ndodhur plagosja e Qemalit?
Qemali kishte shkuar në selinë e përgjithshme të përfaqësisë franceze pesë minuta para takimit që kishte fiksuar me kryetarin e atij delegacioni, z. Pjer Susin, dhe ndërsa ai ishte duke pritur në dhomën e pritjes, në selinë e francezëve ranë tre bomba, dhe vetëm njëra plasi. Nga ajo bombë u shkatërrua një pjesë e godinës, ku mbetën të vrarë ambasadori francez me bashkëshorten dhe katër punonjës vietnamezë të shërbimit. Sapo ra bomba, Qemali u fut menjëherë poshtë tavolinës dhe aty mori një goditje të rëndë në aortën e qafës nga një cifël predhe. Pasi e bllokoi plagën me një shami dore, nëpër gërmadhat e godinës ai mundi që të dilte në oborr, ku e priste shoferi i tij me gjithë shoferin e ri që kishte ardhur atë ditë për të marrë detyrën. Pas kësaj, ata e morën menjëherë dhe e dërguan në spital, ku Qemali qëndroi dhjetë ditë nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve. Më pas, për dy muaj të tjerë deri më 2 janar 1973, mjekët vinin dhe e mjekonin në shtëpi, apo Qemali shkonte vetë dhe mjekohej në spital. Si gjatë kohës që ishte në spital, ashtu dhe kur ishte në shtëpi, Qemalin erdhën për ta vizituar shumë personalitete vietnameze dhe pothuaj i gjithë personeli i ambasadave të huaja që ishin në Hanoi. Qemalin e vizitoi edhe ambasadori francez i akredituar në Pekin.

Pas asaj ngjarjeje, a kërkoi Qemali që të largohej nga Hanoi?
Unë doja të ikja, ndërsa Qemali as që e çonte nëpër mend atë gjë.

Kur Qemali e mbaroi shërbimin e tij diplomatik në Hanoi dhe ju u kthyet në Tiranë, çfarë i thanë në Ministrinë e Jashtme, a i dhanë ndonjë shpërblim?

Shpërblimi që i dhanë Qemalit kur u kthyem në Tiranë ishte largimi nga ministria dhe dërgimi për gjashtë muaj si sekretar i thjeshtë në një lagje. Më pas Qemalin e morën në Ministrinë e Tregtisë së Jashtme, ku ai punoi si shef protokolli deri në vitin 1987, kur doli në pension.

Si e kujtoni sot atë kohë që keni jetuar në Hanoi, a keni mall?
Edhe pse kemi jetuar me vështirësi të shumta siç ju thashë, atë kohë e kujtoj me shumë mall. Po të më jepej mundësia, do të shkoja përsëri me shumë kënaqësi. Vietnamezët janë një popull i mrekullueshëm.

Deklarata e qeverisë shqiptare për ngjarjen me ambasadorin Rahmanaj në Hanoi
Shtypi shqiptar për ngjarjen e 11 tetorit 1972 në Hanoi

Ngjarja e 11 tetorit të vitit 1972, e ndodhur në kryeqytetin e Vietnamit të Veriut, ku diplomati shqiptar Qemal Rahmanaj mbeti i plagosur rëndë nga bombardimet e amerikanëve, teksa ai ndodhej për një vizitë pune në selinë e përhershme të qeverisë franceze në Hanoi, u përcoll me një jehonë të madhe edhe nga shtypi i Tiranës zyrtare. Në gazetën "Zëri i Popullit" të atyre ditëve u botuan shumë njoftime, deklarata, nota proteste e lajme të ndryshme, një pjesë të të cilave po i botojmë më poshtë të shkurtuara.

Deklarata e Qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë
Tiranë 12 tetor 1972. Bombardimi me egërsi më 11 tetor 1972 në mesditë, i lagjeve më të populluara në qendër dhe në periferi të kryeqytetit të Republikës Demokratike të Vietnamit, Hanoi, si dhe i lagjes ku ndodhen përfaqësitë diplomatike, shkaktoi viktima të shumta në popullsinë civile, dëme të mëdha materiale. Gjatë këtij bombardimi u shkatërrua edhe selia e delegacionit të përgjithshëm francez, ku gjetën vdekjen dhe u plagosën rëndë mjaft persona që ndodheshin në të. I ngarkuari me punë, a.i. i Republikës Popullore të Shqipërisë në Republikën Popullore të Vietnamit, Qemal Rahmanaj, i cili gjatë kësaj kohe ndodhej për vizitë në selinë e delegacionit të përgjithshëm francez, dhe shoferi i ambasadës shqiptare, u plagosën nga shpërthimi i bombave.

Imperialistët amerikanë bombardojnë qendrën e Hanoit. U plagos rëndë i ngarkuari me punë i RP të Shqipërisë

Tiranë 12 tetor. Agjencia VNA njofton se imperialistët amerikanë dërguan dje shumë aeroplanë të cilët bombarduan rajone me popullsi të dendur të qendrës së Hanoit. Ata hodhën atje 60 bomba dhe shumë raketa, si rezultat i shpërthimit të të cilave u vranë dhe u plagosën shumë qytetarë, dhe u shkatërruan mjaft shtëpi banimi. Nënvizohet se bombat dhe raketat amerikane shkatërruan pothuajse plotësisht zyrën e delegacionit të përgjithshëm francez në Hanoi, plagosën shumë rëndë delegatin e përgjithshëm francez, vranë dhe plagosën një numër nëpunësish francezë dhe vietnamezë. Në këtë sulm u plagos rëndë edhe i ngarkuari me punë a.i. Republikës Popullore të Shqipërisë në Hanoi, Qemal Rahmanaj, i cili ndodhej atje për vizitë, si dhe shoferi i ambasadës shqiptare. (ATSH)

Deklaratë e delegacionit shqiptar në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së

Tiranë 14 tetor 1972. Shoku Reis Malile lexoi në Komisionin e parë politik të OKB-së deklaratën e delegacionit shqiptar në sesionin e 27-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së lidhur me bombardimet e fundit në Hanoi, kryeqytetin e Vietnamit të Veriut, në të cilën thuhet: "Më 11 tetor, imperialistët amerikanë kanë bombarduar RD të Vietnamit, ku midis viktimave të popullsisë civile dhe të anëtarëve të trupit diplomatik, u plagosën rëndë edhe i ngarkuari me punë a.i. i ambasadës së RP të Shqipërisë në Hanoi, Qemal Rahmanaj, dhe nëpunësi i ambasadës, Nazmi Cani".

Autobiografia
Karriera 30-vjeçare e Rahmanajt dhe peripecitë në Beograd, Pragë dhe Hanoi

Pak kohë para se të ndërronte jetë, ish-diplomati i njohur shqiptar, Qemal Rahmanaj, i cili i njihte mirë mekanizmat tinëzarë të atij shteti që i shërbeu për vite me radhë me ndershmëri dhe devocion, u la familjarëve një autobiografi të shkruar me dorën e tij, ku midis të tjerash thuhet: "Unë i nënshkruari Qemal Rahmanaj, i biri i Arifit dhe i Hamdijes, i lindur në Dibër të Madhe më 15.V.1926 dhe banues në qytetin e Tiranës, kam mbaruar Fakultetin e Shkencave Politiko Juridike në Universitetin e Tiranës ku jam diplomuar si jurist. Jam veteran i Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare kundër pushtuesve nazifashistë dhe që nga viti 1987 në pension. Që në fillim u lidha dhe përkraha luftën çlirimtare të popullit tonë kundër pushtuesve nazifashistë, fillimisht me veprimtari ilegale në Tiranë, duke marrë pjesë në mbledhje rinie, duke shpërndarë trakte, mbledhur ndihma, dhe në gjysmën e dytë të vitit 1944 dola partizan duke u inkuadruar në radhët e Brigadës së Parë Sulmuese. Mbas çlirimit, me krijimin e Divizionit të Mbrojtjes së Popullit kalova në radhët e tij në repartin e Tiranës ku merresha me rininë. Në vitin 1945 u pranova në parti. Për pjesëmarrjen time aktive dhe të organizuar në luftë, jam dekoruar me Medaljen e Kujtimit, të Trimërisë dhe të Çlirimit. Po ashtu jam dekoruar edhe me Medaljen e Punës me motivacionin: "Për punë të palodhur në zbatimin e detyrave të ngarkuara, duke u bërë shembull për të tjerët". Në vitin 1946, duke qenë efektiv i Komandës së Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, m‘u komunikua emërimi si sekretar (nëpunës) i atasheut ushtarak të ambasadës sonë në Beograd ku fillova edhe punën. Në vitin 1947 u bënë disa ndryshime kuadri në ambasadë, ku unë u lirova nga ushtria dhe vazhdova punë po aty pranë asaj ambasade. Mbas disa muajsh Ministria e Punëve të Jashtme më komunikoi emërimin si Sekretar i Ambasadës në Beograd. Më këtë emërim fillova punë si diplomat i karrierës, të cilën e vazhdova për 30 vjet pa ndërprerje. Siç dihet në vitin 1948 marrëdhëniet e vendit tonë me Jugosllavinë u keqësuan. Në këtë kohë qeveria jugosllave mori një sërë masash të rrepta ndaj personelit të ambasadës sonë, duke arritur deri në organizimin, arrestimin e burgosjen e një punonjësi të ambasadës. Krahas këtyre veprimeve, nga mezi i vitit 1950, qeveria jugosllave vendosi dëbimin tim nga Jugosllavia si person i padëshirueshëm. Me kthimin në atdhe fillova punë në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Me disa organizime që u bënë në vitin 1953, u emërova në detyrën e Kryetarit të Degës Administrativo-Konsullore që mbulonte sektorin konsullor, kuadrin, financën dhe administratën. Në këtë detyrë qëndrova deri në fundin e vitit 1959. Në maj të vitit 1960 u emërova Sekretar i Parë i Ambasadës sonë në Çekosllovaki. Në këtë mënyrë fillova punë në fillim të qershorit, kohë në të cilën ku siç dihet, mbaroi mbledhja e Partive Komuniste e Punëtore në Bukuresht.

Në situatën që u krijua, qeveritarët çekosllovakë gradualisht filluan të ndërmerrnin ndaj personelit të ambasadës sonë përndjekje dhe provokime të ndryshme. Në kuadrin e këtyre qëndrimeve që filluan të mbaheshin ndaj nesh, në ditët që pasuan, qeveria çekosllovake dëboi nga vendi edhe ambasadorin tonë. Në ambasadën tonë në Pragë, unë qëndrova deri në fundin e vitit 1963 dhe pastaj u ktheva në atdhe, mbasi aty në atë ambasadë u bënë shkurtime në personel. Në këtë kohë unë fillova punë si specialist në Drejtorinë e Parë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku mbuloja: Hungarinë, Çekosllovakinë, Republikën Demokratike Gjermane dhe Korenë e Veriut. Në vitin 1970 u emërova Sekretar i Parë i Ambasadës së Shqipërisë në Vietnam, ku qëndrova deri në fund të vitit 1974. Në vitin 1972, në mungesë të ambasadorit, unë ushtroja funksionet e të ngarkuarit me punë, a.i. të ambasadës sonë. Në janarin e vitit 1978 me vendimin e Këshillit të Ministrave, unë u emërova Kryetar i Degës së Protokollit dhe Vizave në Ministrinë e Punëve të Jashtme, e cila sapo ishte krijuar dhe si degë kishte si funksion pritjen e delegacioneve qeveritare të të gjitha niveleve që vinin në vendin tonë për bisedime dhe nënshkrimin e marrëveshjeve qeveritare të shkëmbimit të mallrave midis dy vendeve, si dhe miratimin e vizave të hyrjes në vendin tonë të këtyre delegacioneve, apo grupeve e personave të ndryshëm të firmave tregtare që vinin për përfundimin e kontratave me ndërmarrjet tona tregtare. Këtu punova deri në vitin 1987, kur dola në pension. Veprimtaria ime 30-vjeçare pa ndërprerje në Ministrinë e Punëve të Jashtme, dhe ambasadave tona në Beograd, Pragë dhe Hanoi, ka qenë një punë e kryer me ndërgjegje, ndershmëri dhe vetëmohim. Në gjithë veprimtarinë time si diplomat jam munduar të përfaqësoj vendin tim me dinjitet e korrektësi. Jam përpjekur të mbroj qëndrimet e drejta të qeverisë dhe shtetit tonë në çdo rrethanë, pa u trembur për pasojat që mund të kisha".

Nga Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama