Kur do te ndodhe bashkimi yne kombetar

Kur do te ndodhe bashkimi yne kombetar
Që të mbijetojmë në Ballkanin e trazuar na duhet një shtet funksional. “Nacionalizmi është faktori kryesor që bën dhe shpërbën një shtet. Rrjedhimisht, një popull pa strukturë shtetërore nuk mund të mbijetojë, të krijojë, të seleksionojë vlerat dhe bartësit e tyre, të rritë kapacitetet e tij në çdo fushë”- kështu predikon politikani dhe filozofi i shquar i çështjes shqiptare, Arbën Xhaferri, në një intervistë ekskluzive dhënë gazetës Shekulli.

Z. Xhaferri si zakonisht diskutimi mbi çështjet në Ballkan nis me vështrimin mbi problemet etnike. Së fundmi disa incidente të reja janë shënuar në Maqedoni, por edhe në veriun e Kosovës. Çfarë perspektive kemi përpara? A ka gjasa për ndryshime të hartës së rajonit?

Incidentet e reja flasin për problemet e vjetra që do të thotë se terapia e përdorur nuk jep rezultate. Gjithmonë kur hapet debati për çështjen etnike, në tryezën e debatit dalin tema të reja të shoqëruara me polemikë të zjarrtë, e shoqëruar me parashikime të zymta për ardhmëninë e shtetit, të kombit, dhe të atributeve të tjera, të rëndësishme për identitetin , për kulturën  e një populli.

Me këtë rast e shoh të udhës që të theksoj edhe një herë se nacionalizmi është faktori kryesor që bën dhe shpërbën një shtet. Rrjedhimisht, një popull pa strukturë shtetërore nuk mund të mbijetojë, të krijojë, të seleksionojë vlerat dhe bartësit e tyre, të rritë kapacitetet e tij në çdo fushë. Shteti, funksionimi i tij në kuadër të ligjit, krijon vetëdijen për rëndësinë e ligjit në çdo segment të shoqërisë. Popujt që nuk arrijnë të kuptojnë peshën e drejtësisë në funksionimin e shtetit shumë shpejt bëhen pre i krimit të organizuar, përkatësisht të shtetit të korruptuar.

Krimi i organizuar, voluntarizmi, jo lojaliteti i qytetarit ndaj shtetit dhe e kundërta, e shtetit ndaj qytetarit, është e meta e shoqërive të reja demokratike. Ka mbetur edhe pak kohë që të korrigjohet ky gabim… Shumë lehtë ndërtohet një shtet mbi baza të dhunës despotike dhe shumë rëndë mbi baza të lirisë. Sot në botë janë më stabile ato shtete që e respektojnë këtë parim, pa të cilin nuk mund të bëhet fjalë për shtetin modern. Ballkani është zonë evropiane ku proceset zhvillohen ngadalë. Krahas me këtë problem shfaqen edhe ato të natyrave të tjera që janë tipike për shtetin në tranzicion e sipër.

Incidentet që ndodhën, ato vazhdimisht ndodhin, dëshmojnë se në proceset e reformimit të shoqërive të dala nga blloku i mendësisë ideologjike komuniste, shënojnë një stagnim brengosës. Këto ngecje nuk flasin për mungesën e dijenisë për shoqëritë demokratike, por flasin për një çështje tjetër: për vonimin e konstituimit të vetëdijes kombëtare, rrjedhimisht të funksionimit të drejtë dhe pa kontradikta destabilizuese të shteteve nacionale, mbi premisat e shtetit nacional.

Evropa nisi të përballet me problemet e shtet ndërtimit që në shekullin XVIII, sidomos në kohën e luftërave të Napoleonit. Këto shtërzime sociale politike përfunduan me krijimin e shteteve nacionale që funksionojnë pa telashe. Së këndejmi kultura politike evropiane e prodhoi shtetin nacional. Aty ku nuk është respektuar ky parim shfaqen antagonizma etnike, religjioze, ekonomike, psikologjike, sidomos dukuria e pastrimit etnik të territorit. Këto manifestime primitive, nacionaliste përpiqen që pakënaqësia, urrejtja, faji, të transferohet, bartet në segmentin e nacionalizmit. Mirëpo ky përkufizim është në fakt diagnozë e gabuar që gjithnjë e më tepër do t’i molisë shoqëritë moderne që kanë koncepte të avancuara demokratike dhe qytetëruese.

Në Ballkan proceset demokratike janë vonuar. Kjo vonesë e shkakton diskrepancën ndërmjet mendësisë ksenofobike ballkanike me atë demokratike, inkluzive tipike për sistemet e shoqërive të hapura evropiane. Çuditërisht kjo mendësi ksenofobike më shumë shfaqet në shoqërinë greke e cila është shteti i parë ballkanik, anëtare e NATO-s dhe e UE-së. Sido që të jenë punët, vlerësoj se Ballkani pak nga pak do të lirohet nga sindroma e ksenofobisë dhe të fillojë të kultivojë sistemin e vlerave të shoqërive të hapura.

Shqiptarët e viseve jashtë Shqipërisë kanë njohur “eksperimentin” e bashkëjetesës me të tjerë edhe nën Jugosllavinë titiste. Mendoni se pas këtij procesi historik 100 vjeçar të shtet ndërtimit në rajonin tonë, bashkëjetesa ishte vetëm një provë, por jo një mundësi reale?

Komunizmin dhe eksperimentet që janë bërë në këto shtete duhet ndërlidhur me idetë utopiste. Këto ide ishin iluzion i periudhës së iluminizmit. Në vend që të korrigjoheshin idetë, komunizmi hapi shtegun për korrigjim të njerëzve, kryesisht me dhunë.

Bashkëjetesa e tipit jugosllav ngërthente në vete atë retorikë tipike propaganduese të shteteve të mbetura, të ngujuara në dimensionin e gënjeshtrave të arsimuara. Këtë koncept cinik, filozofi gjerman, Sloterdijk, e përkufizon si gënjeshtër e arsimuar (kulturuar, iluminuar). Kjo gënjeshtër që ka të bëjë me sloganin komunist të unitetit (Proletarë të të gjitha vendeve-bashkohuni), por edhe me slogane të tjera (Bashkim-vëllazërim) e periudhës komuniste si dhe ai i bashkëjetesës (Sozhitellstvo) të periudhës së tranzicionit nga një shoqëri e mbyllur në atë të hapur. Këto slogane flasin për ndryshimet retorike dhe kurrsesi jo thelbësore që eventualisht do të përmirësonin jetën e pjesës dërmuese të popullatës. Gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë u bë e qartë se këto formacione të segmentuar shoqërore, federative nuk mund të mbijetonin, sidomos në Ballkan ku cinizmi ka një histori të gjatë. Shpesh herë për këtë shkak bëhen gabime trashanike. Ata, që nuk arritën ta shpëtojnë Jugosllavinë multietnike, atë të “bashkëjetesës” së idealizuar, pa hamendje i përveshën mangëte për të krijuar shtete multietnike në gërmadhat e Jugosllavisë së shpërbërë. Për pyetjen se si nuk u arrit të shpëtojë Jugosllavia multietnike, e përkrahur kot nga gjithë bota dhe si do të mund të mbijetojnë tre katër shtete të vogla mbi parimin multietnik që e ngulfati jo vetëm Jugosllavinë nuk jepen përgjigje serioze.

Këto procese janë të gjata, madje zgjasin edhe me shekuj, kështu që askush nuk mund të ketë të drejtë që t’i fusë popujt në binarë të gabueshëm.

Për të mbetur te Maqedonia: Shqiptarët, apo përfaqësues të tyre, tanimë kanë disa vite që qeverisin, apo marrin pjesë në vendimmarrjen politike. Si mendoni ju është ushtruar kjo e drejtë, qoftë në funksion të jetës së qytetarit të thjeshtë, por qoftë edhe në përmbushje të detyrimeve thelbësore që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit?

Në shoqëritë e karakterit të theksuar multietnik gjithmonë shfaqet hileja etnike, mashtrimi, ose thënë me fjalor modern i inzhinjeringut etnik që pastaj shkakton problemin vijues, jo lojalitetin e popullit të mashtruar. Një shtet multietnik mund të menaxhohet vetëm nëse pakica, një popull me origjinë dhe kulturë tjetër nuk e kalojnë 10%-in e strukturës demografike të shoqërisë. Shqiptarët jo vetëm që e kalojnë këtë përqindje, por ata tregojnë një aktivitet dinamik dhe mund të ndodhë që shumë shpejtë të udhëheqin institucione, apo edhe vetë shtetin. Proceset demografike, kulturore, ekonomike, politike etj. në shoqërinë shqiptare zhvillohen në mënyrë të natyrshme, ndërkaq me keqardhje mund të them se te komuniteti maqedonas këto procese,  apo të vërtetat historike- shoqërore funksionojnë sipas fiksacioneve që vijnë ndesh me realitetet historike të kaluarën, të tashmen dhe për të ardhmen e popullit maqedonas. Këto koncepte u materializuan me projekte si “Shkupi 2014”. Mjerisht ata që i kuptojnë këto procese vlerësojnë se kemi të bëjmë me një ide artificiale që krahasohet me kiçin, në njërën anë dhe me sinkretizmin në anën tjetër.

Në këtë projekt urbanistik ekziston tendenca e begatimit të historisë së një populli me çdo artefakt që janë zbuluar anekënd botës. Është për t’u dhimbsur fakti se ky projekt politiko-artistik ka ngjallë më shumë reagime thumbuese sesa lavdërime.

Ky projekt i pabesueshëm ndodhi dhe ai që ishte bartës i realizimit të tij, gjithnjë do të jetë në pozitë që dikush vazhdimisht të tallet me këtë projekt, përkatësisht me realizuesin e tij. Në themelimin (formimin) e këtij shteti shqiptarët gjithmonë kanë dhënë kontributin e tyre të çmueshëm. Maqedonasit gjithmonë kanë kërkuar ndihmën e shqiptarëve. Në Luftën e Dytë Botërore ata nuk kishin motive as gatishmëri, madje as dituri se si ta fillojnë kundërvënien ndaj një sunduesi (bullgarët) të cilët për shkaqe të ndryshme nuk perceptoheshin si armiq. Edhe kësaj radhe u kërkua ndihma e shqiptarëve për ta formuar në këtë mënyrë brigadën kosovaro-maqedonase. Me këtë formacion ushtarak maqedonasit e fituan statusin e popullit antifashist.

Mirëpo, faktori maqedonas shpesh herë tregohej mosmirënjohës: i harronte premtimet dhe obligimet…Nga përvoja historike e popullit shqiptar me atë maqedonas mund të nxirret konkluzioni se edhe kësaj radhe shqiptarët morën pjesë në një luftë që nuk ishte në interesin e tyre. Kjo do të shihet më vonë, kur maqedonasit do të tregojnë një lloj të amnezionit lidhur me premtimet që i dhanë paraprakisht.

Pozita e shqiptarëve në sistem është e përcaktuar që në Luftën e Dytë Botërore dhe nuk mund të bëhen çfarëdo paralele me çështjen e të drejtave të pakicave anekënd botës. Vendosja e shqiptarëve në dimension abstrakt që nuk shënon vazhdimësi me luftën e përbashkët paraqet shkelje të rëndë të marrëveshjeve paraprake. Faktori maqedonas vazhdimisht korrigjon marrëveshjen që e ka pranuar dhe nënshkruar nëpër konferenca të ndryshme. Kështu ndodhi edhe me Marrëveshjen e Ohrit e cila u modifikua në pikën kryesore të sajë atë të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Përpjekja e tyre është e qartë dhe e pritshme ngaqë është një tendencë për revizionim, për restaurim të relacioneve të vjetra në shoqëri që fundja e shkaktuan luftën. Shqiptarët janë viktima të retorikave maqedonase, ndërkombëtare dhe shqiptare. Të gjitha këto ligjërime mëtojnë t’i qetësojnë vetëm shqiptarët.

Pranohet se bota shqiptare ka disa qendra apo nyjëtime politike dhe ekonomike kulturore që sa vijnë e zgjerojnë përmasën e vet. Në dritën e këtij realitet të ri gjeopolitik, a jemi afër një bashkimi apo proceset priren të shkojnë në kahje divergjente?

Jugosllavia u shpërbë në mënyrë dramatike. Me këtë zgjidhje nuk mund të pajtohen sidomos ata që në forma të ndryshme ishin viktima të kësaj lufte. Së këndejmi mendoj se te shumë faktorë nuk ekziston gatishmëria për shpërbërje të vazhdueshme dhe dramatike të pjesëve të Jugosllavisë së dikurshme.

Bashkimi i një populli nuk mund të ndalet ngaqë ndërtohet mbi premisat e lirisë së popujve të sunduar, të robëruar. Sipas marrëveshjeve ndërkombëtare sidomos atyre që kanë të bëjnë me të drejtën e popujve për dekolonizim çdo popull ka të drejtë për çlirim. Kjo frazë është e saktë mirëpo duhet të merren parasysh një varg faktorësh që luajnë rol të rëndësishëm në historinë e popujve. Mendoj se ideja e bashkimit është një postulat kategorik, sa historik po aq dhe aktual që pak nga pak do të shtyjë përpara këtë proces që ne e quajmë bashkim kombëtar. Ky proces do të vazhdojë, por pa krijuar dramë sidomos jo një situatë që mund ta destabilizojë Ballkanin.


Çfarë nënkupton për ju, por edhe për shqiptarët e Maqedonisë 100 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë? Në këtë kuadër; në Tiranë po shkohet drejt zgjedhjes së një presidenti të ri, që formalisht përfaqëson unitetin e Kombit. Gjykoni se në këtë jubile edhe përfaqësuesit e shqiptarëve në rajon të bëhen simbolikisht, përmes mendimit, pjesë e procesit?

Popujt e vegjël shpesh herë nuk mund t’i shfrytëzojnë proceset e ndryshme që zhvillohen në botë ashtu si bëjnë shtetet e fuqishme. Në luftën jugosllave shqiptarët mbajtën një qëndrim të shkëlqyeshëm gjeostrategjik. Nuk lejuan që të jenë instrument për interesat e popujve të tjerë, prandaj nuk e shpallën luftën kur u konvenonte popujve të tjerë, nuk u implikuan në procesin dhe vendimmarrjen që nuk trajtonte Kosovën si entitet në vete.

Në këtë luftë populli i Kosovës në kushte të rënda dhe të stërzgjatura e ruajti kursin gjeostrategjik, kulturor dhe kapacitetet. Në këtë mënyrë për herë të parë në historinë shqiptare u mor përkrahja nga pjesa dërmuese e shteteve më të përparuara të botës si dhe të popujve të botës. Është një paradoks, me siguri romantik lidhur me raportin e shqiptarëve jashtë Shqipërisë ndaj simboleve shtetërore dhe kombëtare. Shumë shqiptarë kanë rënë në burg dhe dënuar rëndë për shkak të flamurit apo të simboleve tjera kombëtare. Shqiptarët jashtë vendit amë mendojnë se këto simbole si dhe datat e ndryshme historike u takojnë më shumë atyre sesa qytetarëve të Shqipërisë.

Jam i bindur se shqiptarët e viseve do të gjejnë rrugën se si të krijojnë unitetin sidomos në raste të këtilla siç është shënimi i 100 vjetorit të pavarësisë. Nuk duhet harruar se ata këtë qëndrim e kanë pasur në kohë shumë më rrezikshme sesa sot. Me këtë nuk mendoj se marr pozicione romantike, por thjeshtë duke marrë parasysh përvojat evropiane vlerësoj se këto procese do të zhvillohen ashtu si u zhvillua në shumë shtete evropiane. Aty ku këto procese nuk janë zhvilluar sot shfaqen kriza të ndryshme.

Shqiptarët janë në një fazë të zhvillimit ku çdo gjë bëhet me pasion, edhe kur afirmojnë diçka ose kur mohojnë. Kështu do të ndodhë edhe me zgjedhjen e presidentit. Shumë zhurmë… Shtetet janë stabile vetëm nëse kanë unitet, kohezion të brendshëm. Shqiptarët mund të arrijnë këtë standard pa i keqtrajtuar popujt e tjerë.

Cili është sipas jush problemi kryesor i shqiptarëve sot?

Mendoj se problemi kryesor i shqiptarëve është në shumës. Shqiptarët kanë probleme ekonomike, kanë probleme me ambiciet e popujve fqinjë që ta destabilizojnë vazhdimisht Shqipërinë që ajo të mos ketë kapacitet të kujdesit për shqiptarët jashtë shtetit etj. Por problemi kryesor është s’përputhja ndërmjet hapësirës gjeografike dhe shtrirjes etnike. Ndonëse deri më tani nuk kemi pasur antagonizma ndërfetare, megjithatë vlerësoj se ndarja në tre, katër besime vetvetiu është rrezik latent. Nëse për këtë çështje do të kushtojmë rëndësi të veçantë, kujdes numër një, atëherë ekzistojnë gjasa që këtë “hendikep” ta shndërrojmë në model të suksesshëm në përmasa globale.

A ka një përvijim të ri identitar ndër shqiptarë në kuptim të rolit të fesë në të? D.m.th çfarë uniteti përfaqëson shqiptaria për organizimin politik të shqiptarëve në raport me dinamikën e një bote globale?

Gjatë historisë shumë popuj tregojnë dobësi lidhur me identitetin e tyre, sidomos kur janë të nxitur nga zhvillimet e tjera,  ato negative që e përkeqësojnë imazhin kombëtar.

Identiteti shqiptar është një çështje shumë komplekse, por njëherësh do të thosha  edhe  mahnitëse. Ata që nuk dinë se si ta mohojnë lashtësinë tonë, ata që dinë se sa kanë punuar për t‘i copëzuar territoret, habiturin e lashtë të shqiptarëve, ata që e kanë instrumentalizuar fenë për qëllime politike, ata që tashmë nuk mund ta kontrollojnë depresionin që përhapet si murtaja, ata pra, bëjnë përpiqen që ta përçajnë popullin me eksese të natyrës fetare. Çështja e fesë deri më tani, madje në një kohë të zgjerimit të fesë në planin global, nuk ka arritur që t’i përçajë shqiptarët.

Ky dështim i shërbimeve speciale mund të shfrytëzohet si model inkurajues për ndërtim të harmonisë ndërfetare. Kjo është një atu ende e pashfrytëzuar e shqiptarëve në fushën e konfrontimeve me lajmet alarmante që përhap vazhdimisht propaganda e shfrenuar serbe. Çështja e identitetit,  është shumë delikate. Ndaj kësaj çështjeje duhet t’i qasemi me kujdes, jo për shkak se në radhët tona paraqiten dele të humbura, të shushatura, por për shkak të qartësisë logjike lidhur me këto tema. Konfuzioni lidhur me çështjen e identitetit është pasojë e paragjykimeve subjektive dhe shoqërore, koncepteve ideologjike, edukatës familjare, interesave të ndryshme etj.

Çdo njeri, madje edhe një popull i tërë duhet t’i japë rëndësi piramidës së identiteteve, ngaqë te çdo njeri koekzistojnë një varg identitetesh, kombëtare, fetare, qytetëruese, gjeografike, profesionale. Në kohët e shkuara, të metat e njeriut bëheshin element përcaktues të identitetit të tij. Kohët e fundit feja, me një presion të vrazhdë mëton që identiteti fetar të jetë në maje të piramidës. Ky qëndrim është shumë i rrezikshëm për shqiptarët, ngaqë hap shtegun për përçarje edhe atë në emër të Zotit. Duke marrë parasysh përmbajtjen fetare të popullit shqiptar, çdo largim nga aspekti etnik, kombëtar i identitetit paraqet rrezik që nuk mund të korrigjohet.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama