Ato mund të jenë të veçuara dhe në shkallë të ndryshme të intensitetit të tyre. Është pikërisht ky intensitet, që bën në shumicën e rasteve që diagnoza të përcaktohet me vonesë ose ai të zbulohet rastësisht pas një kalimi të një krize të zemrës apo infarktit të saj. Po kështu, shkalla e shprehjes së shenjave të sëmundjes varet shumë nga mënyra e korrigjimit të sëmundjes, pra terapia me ilaçe, mënyra e të ushqyerit (dieta) dhe mënyra e jetesës.
Diabeti ndahet në dy tipe në varësi të moshës së pacientit ku shfaqet sëmundja. Në tipin I ai shfaqet në moshat midis 0-40 vjeç dhe tipi II kur shfaqet mbi moshën 40 vjeç. Tipi I është pothuaj gjithmonë i trashëgueshëm dhe mjekohet me injektim të insulinës nën lekurë një ose disa herë në ditë, ndërkohë që tipi i dytë është vetëm në gjysmat e rasteve i trashëgueshëm, pra një pjese e të sëmurëve e kanë të trashëgueshme dhe një pjesë tjetër jo. Ky tip, i cili është më i shpeshtë dhe me incidencë që rritet me rritjen e moshës, mjekohet me medikamente. Në rastet e vështira të kontrollit të sheqerit, mjeku është i detyruar që edhe në ketë tip të fillojë mjekimin me insulinë.
Mollë majoshe për korrigjimin e vlerave të sheqerit
Me rritjen e moshës dhe në prani të mbipeshës e aktivitetit të ulët fizik, mundësia për t’u shfaqur sëmundja është e lartë. Si çdo sëmundje metabolike, sëmundje që kanë të bëjnë me mënyrën e përpunimit të lëndëve të ndryshme organike që ne marrim me anë të ushqimit, edhe diabeti i sheqerit është i lidhur ngushtë me dietën dhe mënyrën e jetesës, përshembull, aktivitetin fizik. Ky i fundit ndihmon në një funksionim normal të organeve të ndryshme dhe organizmit në tërësi, në ruajtjen e peshës normale në lidhje me seksin dhe moshën dhe në parandalimin e obezitetit (mbipesha), që është "miku" më i ngushtë i diabetit. Stili i jetës është i padiskutueshëm në rolin e tij për korrigjimin e shpejtë të vlerave të sheqerit në gjak dhe ndihmesën ndaj terapise medikamentoze. Nuk duhet harruar këtu edhe dieta e pasur me perime. Nga frutat këshillohen mollët majoshe me përdorim të kufizuar. Largim nga dieta i ëmbëlsirave, yndyrave me origjinë shtazore (dhjamrat, gjalpi, qumështi i paskremuar), kufizim të kripës dhe brumrave. Rekomandohet mishi i viçit i pa dhjamë.
Ilaçet që e kurojnë sëmundjen, pse krijohet ajo. Grupmoshat e prekura
Ilaçet
1-Tiazolidinedionet - Veprimi është i menjëhershëm, por në disa raste mendohet se ulin rezistencën periferike ndaj insulinës.
2-Glinidet - Ky lloj bari shkakton sekretim të shpejtë të insulinës. Merren para buke dhe ndihmojnë në kontrollin e glukozës postprandiale (pas ngrënies).
3-Akarboza - Është frenues i alfa-glukozidazës intestinale që ngadalëson ritmin e përthithjes të glukozës në gjak.
Sulfoniluret “luftojnë” sëmundjen
Ky lloj ilaçi ka dalë në qarkullim prej vitesh. Është mjekim nga goja. Ai bën të mundur stimulimin e pankreasit, duke rritur në këtë mënyrë sasinë e insulinës që derdhet në gjak. Kjo insulinë shtesë e detyron glukozën të hyjë në muskuj me sforcim. Problemi me këtë ilaç është se ato nuk e rrisin ndjeshmërinë e organizmit ndaj insulinës, por ato rrisin thjesht sasinë e insulinës. Ky ilaç veçse sa rrit sasinë e insulinës në gjak. Por disa diabetikë e kanë nivelin e insulinës shumë të lartë edhe pa e marrë ilaçin. Nivel që mund të shkojë deri në 5 herë më tepër se normalja. Procesi i rritjes së insulinës në gjak u shkakton shumë diabetikëve hipoglicemi (nivel i ulët sheqeri në gjak) për këtë arsye një nga pasojat e ilaçit është se të shtyn të hash sa më shumë. Disa diabetikë për shkak të uljes së nivelit të sheqerit në gjak kanë pasoja si marramendje, hutim deri në humbje ndjenjash. Rezultati i hipoglicemisë është të ushqyerit e tepruar ose e thënë ndryshe mbi-ushqimi, që çon në rritje të peshës trupore.
Rekomandimet
Si përfundim për një ndjekje korrekte të sëmundjes dhe për një cilësi të mirë të jetesës është e rekomandueshme drejtimi tek mjeku specialist që quhet endokrinolog. Ai është i detyruar të informojë çdo pacient rreth sëmundjes në përgjithësi, gjendjes se individit (pacientit) në veçanti, komplikacioneve të vetë sëmundjes, mjekimit dhe mënyrës se jetesës. Fillimi i medikamenteve, dozimi i tyre dhe kontrolli duhen bërë patjetër nga endokrinologu. Do të ishte gabim, fillimi i mjekimit nga një mjek jo- specialist. Po kështu, ndjekja e rregullt tek mjeku specialist ose infermieria e specializuar për këtë sëmundje dhe këshillimi me ta kanë mjaft rëndësi në mbajtjen korrekt të gjendjes së diabetit. Çdo neglizhim është progres për sëmundjen.
Këshillat
1-Pacientët me diabet duhet të kontrollojnë peshën
2-Duhet të kufizojnë sheqernat e rafinuara
3-Duhet të rrisin sasinë e fibrës në dietë
4-Yndyrat duhet të jenë vajra me 1 lidhje dyfishe (si p.sh. vaji i ullirit)
5-Duhet t’i shtojnë dietës së tyre arra
6-Efikase edhe bajamet
Shenjat
1-Dhimbje barku
2-Frymëmarrje të ngadalta e të thella
3-Prani e ketoneve në gjak dhe në urinë
Molekula e nikotinës “mbyt” diabetin
Nikotina mund ndihmojë ndaj diabetit. Në këtë përfundim kanë mbërritur studiuesit e shkollë mjekësore në Stanford të Kalifornisë. Studiuesit kuruan disa minj që kishin sëmundje të enëve të gjakut dhe kancer mushkërie me nikotinë të pastër dhe zbuluan se kjo lëndë nxit prodhimin e enëve të reja të gjakut tek mijtë. Tani ata besojnë se nikotina mund të ndihmojë edhe ndaj sëmundjesh të tjera që sjellin në mbylljen apo pengimin e rrjedhës së gjakut, si p.sh. ndaj diabetit, trashjes së enëve të gjakut si edhe ndaj sëmundjeve të nervave siç janë sëmundjet Tourette dhe Parkinson. Por lind pyetja, se përse pjesës më të madhe të duhanxhinjve u bëhet lëkura e përhime si dhe u vështirësohet qarkullimi i gjakut ? Është vështirë të thuash: duhani përmban mbi më tepër se 4 000 kimikate të ndryshme.
Si u kurua diabeti me insulinën e kafshëve
Insulina është një hormon që prodhohet nga gjendra e pankreasit. Ajo luan rol kyç në përpunimin e sheqerit nga organizmi ynë, duke bërë të mundur futjen e tij në qelizat indore. Në të njëjtën kohë, insulina njihet prej të gjithëve si preparat medikamentoz që përdoret për mjekimin e sëmundjes së diabetit të sheqerit. Por si u njoh insulina dhe si filloi përdorimi i saj në mjekimin e sëmundjes që ndonëse me ritëm të ngadaltë, kërcënonte jetë të shumta njerëzish me predominim të atyre në mosha të reja.Insulina dhe fillimi i përdorimit të saj në praktikën mjekësore është e lidhur me dy emra, atë të Frederick Banting dhe të Charles Best, dhe verën e vitit 1921 në Toronto, Kanada. Banting ishte një mjek 30-vjeçar nga London Ontario, i formuar si kirurg gjatë viteve të luftës, por që për arsye ekonomike e la shpejt bisturinë për t’iu kushtuar mësimdhënies.
Një mbrëmje, duke përgatitur leksionin e tij të fiziologjisë të cilin do ta lexonte të nesërmen përpara studentëve të tij, filloi të mendonte për mundësinë e ekzistencës së një lënde, që duhet të ishte vendimtare në metabolizmin e sheqerit. Që atë mbrëmje, iu vu leximit të literaturës duke arritur në konkluzionin, që lënda e presupozuar prej tij me siguri prodhohej në pankreas. Për të vërtetuar këtë supozim, ai do t´i kushtohej eksperimentimit në modele kafshësh.
Me ndihmën e një kolegu mundi të takohej me profesor John Mcleod nga Toronto, një shkencëtar i mirënjohur në fushën e diabetologjisë. Kuptohet, profesori në fillim u tregua skeptik ndaj një "amatori" në fushën e kërkimeve shkencore-mjekësore dhe nuk paraqiti ndonjë interes apo motivim ndaj ideve "naive" të Banting. Por ky i fundit ishte përfshirë tashmë nga entuziazmi i porsalindur dhe këmbëngul derisa mundi t´i "rrëmbejë" profesorit një dhomë të vogël dhe 10 qenër eksperimental. Shet gjithçka kishte në Ontario për t’u vendosur përfundimisht në Toronto, duke iu përkushtuar pasionit të ri. Në këtë kohë atij i bashkohet Best, një student 21-vjeçar i mjekësisë, i cili u rrëmbye shumë shpejt nga entuziazmi i mjekut të ri. Ishte pikërisht pranvera e 1921-shit.
Dhjetë qenve të parë ata u mbyllën kirurgjikalisht kanalin kryesor të ekskretimit të pankresit në zorrë. Gjatë tetë javëve në vazhdim u vu re, se tek kafshët u shfaqën shenjat e diabetit. Javën e tetë pankreasi i një prej "te sakrifikuarve" u mor dhe me metodën e shkrirjes. Ata mundën të ekstradojnë një lënde e cila më pas iu injektua një prej qenëve diabetikë. Pas dy orësh të injektimit të substancës, u vu re që niveli i sheqerit në gjak tek kafsha u zvogëlua dyfish dhe pas disa orësh u normalizua. Qeni filloi të dalë nga apatia diabetike e deritanishme dhe dy eksperimentuesit kishin arritur më së fundi suksesin e shumëpritur, që mban datën e 27 korrikut 1921.
Por si do të quhej lënda? Insulinë u quajt nga “ishuj” qelizash
Në literaturë, Banting kishte lexuar së një shkencëtar i quajtur Paul Langerhans pati zbuluar në pankreas disa "ishuj" qelizash të cilat ishin të ndryshuara në të sëmurët me diabet. Me këtë llogjikë, dy kërkuesit pranuan së ishin pikërisht këta "ishuj" burimi i sekretimit të substancës që mundi të shpëtonte qenin e destinuar të vdiste nga diabeti. Për "nder" të këtyre "ishujve" së bashku me Best, Banting vendos ta quaj ekstraktin e përftuar nga pankreasi “islet” (nga anglishtja). Më pas ata filluan të kuptojnë së për të përftuar islet-in e nëvojshëm duheshin me dhjetëra kafshë eksperimentale. Duke menduar se qëllimi i tyre ishte tashmë përpunimi i islet-it të nevojshëm për të mjekuar të sëmurët me diabet, ata fillojnë të thellohen më tej në kërkimet e tyre. Po në literaturë mundën të gjejnë së pankreasi i fëmijëve të vegjël kishte një numër më të madh ishujsh të langerhansit.
Duke menduar të njëjtën gjë edhe për të vegjlit e kafshëve, ata iu vunë punës për të përftuar më shumë islet nga viçat. Ndërkohë, profesor Mcleod kthehet nga pushimet e tij dhe impresionohet nga zbulimet e reja të grupit të tij. Së fundi ai vendos të punojë seriozisht me dy të rinjtë duke marrë kështu rolin e udhëheqësit shkencor të grupit, gjë e cila aktualisht u mungonte dy të rinjve. Po kështu, ai vendos ta "pagëzojnë" islet-in në insulinë duke u bazuar në përkthimin latin të fjalës ishull. Pikërisht më 11 janar 1922 u krye injektimi i insulinës në trupin e njeriut, që për ironi të fatit ishte një fëmijë 14 vjeçar, i quajtur Leonard Thompson, i cili priste fundin e tij të mjerë në shtratin e një spitali klinik të Torontos. Fëmija ishte i dobësuar deri në kahektizëm dhe mjaft apatik. Mbas disa orësh të injektimit të insulinës, niveli i sheqeri në gjakun e fëmijës fillon të ulet në mënyrë drastike, djali fillon të shkathtësohet dhe të ndihet mjaft mirë. Pas këtij suksesi, fillon mjekimi-provë në një numër më të madh njerëzish. Siç ka ndodhur shpesh në kërkimet mjekësore, përdoruesi i dytë i insulinës ishte një mjek, koleg i Banting, i cili vuante prej vitesh nga diabeti. Po kështu, ai arrin të përfshijë në test një numër të madh pacientësh me diabet, të cilët ai i ndiqte për një kohë të gjatë në kliniken e tij dhe që prisnin fundin e tyre fatal.
Suksesi shkencor, “mollë sherri”
Suksesi ishte tepër i madh duke bërë mjaft bujë në rrethet mjekësore dhe më gjerë. Për shkak të influencës dhe njohjes së gjatë shkencore, ishte pikërisht Mcleod që merr lavdinë dhe bën prezantimin publik të insulinës. Shumë shpejt, në dhjetor të 1923, Mcleod dhe Banting figurojnë si fitues të çmimit të madh "Nobel" në mjekësi, për zbulimin e tyre të madh dhe suksesin e padiskutueshëm në mjekimin e diabetit. Banting nuk ishte dakord, që çmimi të ndahej mes tij dhe Mcleod, pasi ishte ai dhe Best që zbuluan të parët insulinën. Pavarësisht pakënaqësive dhe mosmarrëveshjeve për shkak të lavdisë, të cilat kanë qenë dhe janë të pranishme në ambientet kërkimore-shkencore, ata të dy udhëtuan drejt Stokholmit për të marrë çmimin e merituar, të cilin më pas Banting e ndau me kolegun e tij Best.Në këtë mënyrë me këtë zbulim, një ndër më të mëdhenjtë në mjekësinë e shekullit që porsa lamë, diabeti u zhduk së figuruari mes sëmundjeve të pashërueshme. Që më 1923, numri i pacientëve që merrnin insulinë në një ditë të vetme, kapte shifrën 1000 duke arritur më pas në 25 mijë. Deri në fund të viteve '80 ishte në përdorim vetëm insulina e ekstraktuar prej pankreasit të kafshëve. Më pas, me zhvillimin e inxhinierisë gjenetike filluan të përdoren insulina të llojeve të ndryshme dhe me kohëveprimi të ndryshëm. Sot, më shumë së gjysma e insulinës në përdorim prodhohet nga bakteret, duke arritur të programohet në një ngjashmëri të plotë me insulinën njerëzore, gjë që ka çuar në mjekim kualitativ të diabetit, e për rrjedhojë në rritjen e jetëgjatësisë së të sëmurëve, pakësimin e komplikacioneve dhe rritjen e cilësisë së jetës. Si përfundim, duke iu rikthyer dy zbuluesve të insulinës, si Banting ashtu edhe Best nuk u pasuruan me zbulimin e tyre. Ata refuzuan të marrin patentën e insulinës. Banting vazhdoi kërkimet e tij shkencore në fushën e diabetologjisë, pa lakmuar ndonjë karrierë shkencore, ndërkohë që Best pas largimit në pension të Mcleod, zuri karrigen e tij si profesor i Diabetologjisë në Universitetin e Torontos.
Ndërlikimet, 5 vjet pas shfaqjes së sëmundjes
Sipas specialistëve, mosha ndikon shumë në shfaqjen e diabetit të sheqerit. Diabeti tip 1 zë rreth 10 për qind të të sëmurëve me diabet sheqeri, ndërsa diabeti tip 2 zë një përqindje më të vogël se i pari dhe është më i shpeshtë se ai. Në kuptimin e përgjithshëm mjekësor nuk trashëgohet diabeti si sëmundje, por ekziston predispozicioni për t’u sëmurur. Trashëgohen genet që mbartin vetitë e organizmit, qoftë ato të sëmura. Që ky predispozicion që trashëgohet të bëhet diabet sheqeri, duhet që tek njerëzit të ndikojnë disa faktorë mjedisorë. Sipas të dhënave të OBSH-së, në botë në vitin 2025 do jenë rreth mbi 300 milionë diabetikë, ndërkohë që numërohen rreth 170-180 milionë diabetikë. Aktualisht në vendin tonë numri i diabetikëve është gjithmonë në rritje dhe nga 0.7 dhe 0.8%, që ka qenë në shekullin e kaluar, ka arritur rreth në 2-3 %.
Diabeti i njohur si “sëmundja e sheqerit”
Diabeti është një epidemi e cila kohët e fundit po shfaqet në mjaft raste edhe pse mjekët janë gjithmonë të angazhuar me trajtimin e saj. Në mjekësi Diabetes mellitus,i cili në Shqipëri njihet edhe si "sëmundja e sheqerit" është emërtimi për një grup sëmundjesh të shkëmbimit të lëndëve dhe përshkruan shenjat kryesore dhe prejardhjen e tyre si: jashtëqitja e sheqerit në urinë. Në gjuhën mjekësore është një përcaktim për trazime të ndryshme të shkëmbimit të lëndëve, shfaqja e të cilit është një sasi e tepërt sheqeri në gjak. Shkaku është ose në mangësinë e insulinës, një insulinë ndjeshmëri (insulinë rezistence) ose të dyja. Sipas shkakut ka lloje të ndryshme diabeti, që sidoqoftë kanë lidhje të përbashkëta. Llojet me të zakonshme janë: diabetes mellitus tip I dhe diabetes tip II.
Lufta ndaj sëmundjes së diabetit
Në botë janë rreth 230 milionë persona të prekur nga sëmundja e diabetit, dhe pritet që brenda 20 vjetëve të ardhshme kjo shifër të arrijë në 350 milionë. Një situatë e vështirë, krijuar nga fakti se taksa e diabetit po rritet së tepërmi edhe në vendet në zhvillim, në të cilat përmirësimi i kushteve të jetesës nuk është akoma në nivelin e duhur. Edhe në vendet e zhvilluara diabeti regjistrohet në taksat me rritje më të përshpejtuar dhe përmasat për ta sensibilizuar nuk janë gjithmonë të mjaftueshme. Mbi të gjitha duhet realizuar një mënyrë efikase për ta luftuar sëmundjen. Së pari duhet rrënjosur kultura e praktikimit të sporteve të ndryshme për të pasur një shëndet sa më të plotë. Lufta ndaj diabetit është një nga sfidat më delikate që bota mjekësore dhe politike duhet të përballojë.
Efekti i qumështit i gjirit te diabeti
Sipas një studimi të këtyre ditëve, ushqimi i foshnjave me qumësht gjiri ndihmon jo vetëm për mirërritjen e tyre, por edhe për pakësimin e rrezikut të diabetit tek nënat. Sipas Alison Stuebe, mjeke pranë spitalit Brigham, “ushqimi i foshnjave me qumësht gjiri për një vit ul 15 për qind rrezikun e prekjes së nënave nga diabeti“. Në një studim të kryer pranë spitalit Brigham morën pjesë 150 gra. Aty u theksua se, nëse një nënë ka dy fëmijë dhe që të dy i ushqen me qumësht gjiri derisa secili prej tyre të bëhet 1 vjeç, kjo nënë e ul me 30 për qind rrezikun e prekjes nga diabeti. Mbipesha trupore është një nga shkaktarët e diabetit dhe shkencëtarët mendojnë se përdorimi i qumështit të gjirit parandalon mbi peshën trupore tek nënat, sepse çdo nënë përdor 500 kalori në ditë për të ushqyer fëmijën e saj me qumësht gjiri.
Diabetikët që ndikohen nga depresioni
Diabetikët që vuajnë nga depresioni, e kanë më të vështirë të mbajnë nën kontroll nivelin e sheqerit në gjak. Sipas mjekëve për të luftuar këtë sëmundje të sëmurëve u rekomandohet çaji i rozmarinës, i cili ndihmon në lehtësimin e gjendjes së rëndë shpirtërore. Çaji i përftuar nga zierja e gjetheve të rozmarinës ka dhënë rezultate të shkëlqyera edhe te personat, që vuajnë nga tensioni i lartë. Për këta të sëmurë rekomandohet që gjatë kohës së rritjes së tensionit, të pinë menjëherë një gotë me çajin e përftuar nga bima dhe rezultatet do të jenë të menjëhershme. Kjo bimë është e njohur edhe në ndihmesën ndaj rritjes së aktivitetit të trurit dhe forcimit të kujtesës. Efekte të menjëhershme ka dhënë çaji i rozmarinës edhe te personat me grip, të shoqëruar me rrufë.