Kur e tradhtova komunizmin

Kur 'e tradhtova' komunizmin

Po botojmë një intervistë të vjetër të Arben Putos me “Zërin e Amerikës”, e cila u zhvillua më 16 Dhjetor të vitit 1990, shkëputur nga libri i tij i fundit. Megjithëse ishin marrë vesh prej kohësh, do të duhej kjo ditë që të realizohej intervista, e cila do të ngjallte shumë reagim dhe do të shënonte jo vetëm udhën e re për historianin e të Drejtës Ndërkombëtare, por njëkohësisht edhe angazhimin e tij të madh. Kjo intervistë është edhe pjesa kulmore e librit me kujtime të autorit për historinë e të drejtave të njeriut, që prej pak ditësh është për publikun me titullin “Sfidat e të drejtave të njeriut për një shoqëri të lirë”...


Arben Puto: Si nisi historia e të drejtave të njeriut në Shqipëri?!


Historiani i të Drejtës Ndërkombëtare ka sjellë ditët e fundit kujtimet, që lidhen me historinë e lëvizjes së të Drejtave të Njeriut në Shqipëri. Fillesa e tij aktive është me intervistën për “Zërin e Amerikës”, por që ndërkohë do të angazhohej aktivisht në fillimin e viteve ’90 me një grup intelektualësh të njohur për krijimin dhe konsolidimin e “Komitetit shqiptar të Helsinkit”, që do të manifestonte kurajë dhe shumë ballafaqime në fillimet e demokracisë shqiptare...


Historiani Arben Puto është marrë prej kohësh me këtë libër, që sipas tij do të mbushte një hapësirë, që lidhet me historinë e të drejtave të njeriut në vend. Fillesa lidhet me një intervistë tejet kurajoze, që ai e ka dhënë për “Zërin e Amerikës”, por ndërkohë rruga e tij ishte nisur drejt formimit të një organizate, që do merrej seriozisht me të drejtat e njeriut. Puto ka meritën se me bashkëpunëtorët e tij arritën që të ndihmonin procesin e daljes nga burgu dhe nga internimi i të dënuarve politikë shqiptarë, plus shumë e shumë aktivitete dhe angazhime të tjera. Por, si ndodh në Shqipëri, kjo lëvizje që do të përfshijë disa prej intelektualëve më të spikatur të vendit, nuk do ta ketë të lehtë. Ndër pengesat më të mëdha do jetë përçarja që lind në “Komitetin shqiptar të Helsinkit”, por edhe lufta e strukturës qeveritare të Berishës. Në faqet e librit, të shkruar me një stil shumë të kujdesshëm, përshkruhen të gjitha peripecitë përmes syve të Putos dhe nga ana tjetër gërshetohen përjetimet e tij nga përpjekja e Komitetit shqiptar të Helsinkit, me përshtypjet e takimeve, udhëtimet dhe aktiviteti. Po ta lexosh me kujdes, do shohësh se historia e Helsinkit shqiptar ngjan si dy pika uji me historinë tranzicionale të Shqipërisë së viteve post ’90...
 
Pse erdhën në këtë kohë kujtimet tuaja për të drejtat e njeriut?


“Unë prej vitesh kam filluar kujtimet prej fëminisë në Gjirokastër dhe më tej prej daljes në jetë. Të drejtat e njeriut dhe angazhimi im për 10 vjet janë periudhë e rëndësishme e jetës dhe veprës sime. Të drejtat e njeriut janë një aspekt i dorës së parë i kthesës së viteve ’90. Kam punuar në fushën e historisë. Nuk kam qenë i shkëputur nga veprimtaria shkencore.


Muajt e fundit  të vitit 1990 ndodhën trazirat, shpërtheu lëvizja e studentëve kundër diktaturës komuniste..E ndjeva se nuk mund të rrija indiferent. E quajta se ishte detyra ime si intelektual të thosha fjalën publikisht. Dhe kështu u shkëputa nga veprimtaria ime shkencore dhe ju përkushtova të drejtave të njeriut.


Iu drejtova “Zërit të Amerikës” dhe më 16 Dhjetor 1990 dhashë një intervistë me të cilën bëra thirrje për lirimin e të burgosurve. Por hyrja e të drejtave të njeriut në Shqipëri nuk ka qenë e lehtë. Përkundrazi ka ndeshur me një sulm të egër të pushtetit autokratik, që u vendos këtu pas rënies së diktaturës. Kjo është përmbajtja e këtij libri”.
 
A mendoni se ende të drejtat e njeriut vuajnë në Shqipëri? P.sh. nuk kemi pasur prononcim për “21 Janarin”, “Gërdecin” etj...
“Është e vërtetë se këtu të drejtat e njeriut nuk e kanë gjetur ende vendin e duhur. Domethënëse për gjendjen janë ato që thatë se nuk ka pasur asnjë prononcim për Gërdecin e as për 21 Janarin nga ana e organizatave qeveritare. Nuk po i  përmbahem misionit të tyre. Nuk rrinë pa punë, zhvillojnë një veprimtari që është e dobishme, por mungojnë denoncimet publike të shkeljeve të të drejtave të njeriut. Shqipëria më shumë se kushdo ka nevojë për një guxim qytetar kundër qarqeve të pandjeshme për të drejtat e njeriut”.
 
A ju duket se politika e dy krahëve “de facto” është larg respektit dhe standardeve reale të të drejtave të njeriut? 
“Është e qartë se situata aktuale është e karakterizuar nga një antagonizëm i skajshëm midis dy krahëve të politikës, ndaj vështirë se mund të ketë respekt real për standardin bazë të të drejtave të njeriut. Të dy palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje që kanë krijuar një gjendje të rëndë që e çorienton respektin e të drejtave të njeriut”.
***
 
16 dhjetor 1990


....Në një lidhje të dytë që patëm me Biberajn u morëm vesh edhe njëherë për datën, që do të ishte më 16 dhjetor 1990. ATSH-ja e kohës i regjistronte emisionet e agjencive të huaja. Kështu bëri edhe në këtë rast me intervistën time. E regjistroi dhe e shpërndau. Më është thënë se e kanë kërkuar, por nuk e kanë gjetur të botuar në shtyp. Nuk mund të ishte ndryshe. Këto lloj materialesh qarkullonin vetëm në një rreth të ngushtë. Megjithatë emisioni ndiqej rregullisht dhe intervista u bë e njohur për publikun e gjerë. M’u bënë disa pyetje. Unë iu përgjigja dhe ngrita çështjet më të mprehta që shtroheshin në atë moment: 1) është koha e vendosjes së sistemit shumëpartiak; 2) të lirohen të gjithë të burgosurit politikë; 3) dalja nga izolimi dhe vendosja e marrëdhënieve normale me shtetet e tjera, veçanërisht me ShBA për të rikthyer traditën. Leximi i plotë i tekstit jep një ide më të qartë.
 
Teksti i intervistës


Në vazhdim ju ftojmë të ndiqni një intervistë telefonike që bashkëpunëtori ynë Elez Biberaj zhvilloi me profesor Arben Puton.

 

- Profesor Puto, për një kohë të gjatë është thënë se Shqipëria nuk paraqet një terren të përshtatshëm për pluralizmin politik. Kohët e fundit ju botuat librin “Demokracia e rrethuar”*. Çfarë mësimesh mund të nxirren nga përvoja e eksperimentit politik të viteve 20-të, pasi tashti duket se Shqipëria po shkon në drejtim të krijimit të një sistemi shumëpartish.


- Unë mendoj se një nga aspektet më të rëndësishme të veprës së Kongresit të Lushnjës, do ta filloj me Kongresin e Lushnjës, është ajo e vendosjes së rendit demokratik në Shqipëri. Ky aspekt nuk është vënë në dukje në atë shkallë që meriton, sipas mendimit tim. Në të vërtetë, me Kongresin e Lushnjës, me Këshillin Kombëtar, fillon një jetë politike sipas të gjitha rregullave të demokracisë. Në fakt periudha nga 1920-1924 është periudha e parlamentarizmit në Shqipëri. Në parlament dhe jo vetëm në shtyp, në opinionin e gjerë, ballafaqohen atëherë dy forca politike, dy rryma kryesore, do të thosha konservatorët, shprehësit e shtresave të privilegjuara, dhe progresistët që ishin për një shoqëri moderne, për një shoqëri të hapur demokratike me një program reformash në dobi të shtresave më të ulëta. Formalisht këto forca nuk kanë pasur struktura të qëndrueshme, ashtu sikurse mund ta kuptojmë sot. E megjithatë ato kanë zhvilluar luftën politike në parlament sikur të ishin parti. Historia tregon se populli shqiptar ka qenë i përgatitur, i pjekur, jo vetëm për jetë të pavarur, por edhe për demokracinë. Pra rregullat e demokracisë e kanë bërë provën e tyre me sukses që në vitet ’20-të këtu në vendin tonë. Kjo është një traditë, një traditë që vihet në një radhë me vlerat e tjera të mëdha të popullit shqiptar. Këtë vlerë duhet ta përtërijmë. Po doemos, në një nivel më të lartë.


Mua më duket se është momenti të flasim për demokracinë në shkallën më të lartë. Ajo që ndodhi këto javë me angazhimin e vendosur por edhe me qëndrimin, sjelljen e qytetëruar të rinisë dhe të studentëve të Universitetit tonë, është padyshim një pikë kthese në historinë e Shqipërisë pas Luftës së Dytë. Është hapur kështu rruga për një shoqëri tjetër, një shoqëri moderne, pluraliste, demokratike, sipas standardeve evropiane.
Demokracia sigurisht nuk është e thjeshtë. Ngjarjet e këtyre dy-tri ditëve të fundit sa janë të dhimbshme e të dënueshme, aq janë, do të thosha, edhe një provë se do të ketë pengesa, do të ketë të papritura. Megjithatë kthesa, domosdoshmëria e saj është e padiskutueshme. Prandaj, jo vetëm duhet pranuar kjo kthesë, por edhe duhet përshëndetur, duhet përkrahur, duhet administruar me kujdes, me maturi që të mos ketë rënie rrënuese, që kjo kthesë të na çojë në përparimin e gjithanshëm të kombit, në begatinë e tij dhe në ekzaltimin e vlerave autentike të tij. Ky është një moment me rëndësi vendimtare për kapërcimin me sukses të kësaj faze delikate dhe komplekse. Dhe kjo vlen për të gjithë. Vlen për të gjitha forcat politike, të vjetra apo të reja qofshin ato. Vlen në radhë të parë për partinë që është në fuqi. Partia e Punës ka padyshim një patrimon që nuk mund të nënvleftësohet, atë të rolit udhëheqës në luftën për çlirimin nga okupatorët nazifashistë, të këtyre 40-45 vjetëve që kanë kaluar pas Luftës së Dytë. Por në këtë fazë të re duhet shkuar me guxim, duhet të jemi konsekuentë. Dhe në radhë të parë unë mendoj se duhen marrë masat që kërkon momenti. Unë do të thosha se ka ardhur momenti që të merret masa e lirimit të të gjithë të burgosurve politikë.


Një tjetër çështje që, do të thosha, ka ardhur koha të shikohet është kjo që t’i hedhim sytë së kaluarës. Të shikojmë ç’është bërë e ç’nuk duhej bërë. Në anën tjetër do të thosha se dalin probleme edhe për sa i përket marrëdhënieve me jashtë. Unë mendoj se zhvillimet e fundit në Shqipëri kanë hedhur poshtë çdo pengesë për normalizimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe shteteve të tjera, e veçanërisht me shtetet e mëdha. Kam parasysh në radhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në qoftë se ka pasur deri tani ndonjë rezervë, kjo rezervë tanimë ka rënë. Duhet menjëherë të vendosen marrëdhëniet normale midis Amerikës dhe Shqipërisë. Unë mendoj se kjo është me rëndësi të veçantë. Sepse Amerika gjithnjë, historikisht, por edhe aktualisht, ka treguar një sensibilitet të madh për sa i përket çështjes shqiptare. Unë mendoj se këtë sensibilitet do ta tregojë edhe në të ardhmen. Ka ardhur koha që edhe Komuniteti Evropian, fuqitë perëndimore, të hedhin poshtë çdo rezervë dhe të pranojnë Shqipërinë në KSBE (OSBE). Unë mendoj se kjo është e domosdoshme për suksesin e kthesës që është filluar në Shqipëri, për suksesin e plotë të demokracisë në Shqipëri. Dhe unë do ta mbaroja këtë me një thirrje që t’i vihet në ndihmë Shqipërisë. Të mos bëhet vetëm sensacion me ngjarjet që po ndodhin në Shqipëri. Por t’i vihet edhe në ndihmë Shqipërisë. Prandaj u drejtohem qarqeve të ndryshme, jo vetëm opinionit publik, por edhe qarqeve të tjera që kanë në dorë që të mos rrinë spektatore, të mos rrinë vëzhgues, por t’i hedhin dorën Shqipërisë. Unë po dëgjoj për miliona e miliarda që jepen në favor të vendeve të ndryshme. Atëherë është momenti që t’i jepet ndihmë e t’i hidhet dora.


- A mendoni se duhet ndryshuar qëndrimi i deritanishëm ndaj diasporës shqiptare?


- Sigurisht. Opinioni këtu në vendin tonë ka qenë gjithnjë sensibël kundrejt diasporës, kundrejt bashkatdhetarëve tanë. Një periudhë të tërë historike kemi kaluar që nuk kemi pasur mundësi të mbajmë lidhje të rregullta. Kjo i përket së kaluarës. Këtë duhet ta harrojmë. Duhet të shikojmë hapur njëri-tjetrin në sy dhe të mblidhemi bashkë, t’i shumojmë kontaktet dhe të punojmë për begatinë e kombit. Forcimi i marrëdhënieve me diasporën shqiptare, dhe veçanërisht me bashkatdhetarët tanë aq të pasionuar për çështjen kombëtare, sikurse janë bashkatdhetarët e Amerikës*.
 
Jehona


Lajmi i intervistës u përhap menjëherë. Pati jehonë të gjerë. Mora sakaq përgëzime me zë të ulët nga kolegë dhe miq. Siç e prisja, më shumë do të ishin fyerjet dhe kërcënimet. Në telefon, zëra të panjohur, më thërrisnin “tradhtar”, “renegat”. Ndërkohë, as fqinjët e pallatit nuk na flisnin më. Një natë tmerruan nënën, Anenë, me telefon. Nga Gjirokastra dikush u paraqit si oficer dhe i tha: “Atë djalin do ta therim, do ta bëjmë copa-copa dhe do ta hedhim në Virua”. Nuk do ta lerë më ai tmerr derisa të shuhet nja dy muaj më vonë.


Kam marrë vesh se vetë R. Alia ka thënë: “edhe Arben Puto tradhtoi”. Ime motër Nefua m’u hodh në qafë. I shoqi Manushi (Myftiu) më mori mënjanë në kopshtin jashtë banesës, nuk më bëri ndonjë urim por më tha se “ky sistem ka falimentuar”. Një funksionar i lartë i pati telefonuar atë ditë: “more, ai kunati ka rrjedhur”, por mori një përgjigje të thatë: “Nuk e besoj”.


* është fjala për librin “Demokracia e rrethuar”, të botuar pikërisht më 1990. Aty trajtohen gjashtë muajt e Qeverisë së Fan Nolit (qershor-dhjetor 1924).


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama