Kur femrat sjellin lumturine ne shtepi

Kur femrat sjellin lumturinë në shtëpi
Më mirë këtë gjë e dinë ato djem që rriten mes shumë motrave, janë gjithmonë të përkëdhelur dhe të rrethuar nga lumturia. Kjo gjë është vërtetuar edhe shkencërisht. Tashmë një studim i "School of psychology" i Universitetit të Ulsterit me temën "Motrat janë sekreti i një familjeje të lumtur", ka treguar se femrat janë të afta të gjejnë sekretin e marrëdhënieve, janë fjalori i familjes.

Vajzat njohin alfabetin e ndjenjave, e kanë në natyrën e tyre këtë avantazh, janë mbartëse të historive dhe brezave. Janë dhe do të mbeten gjithmonë femra dhe nëna të fjalëve. Sjellin gëzim dhe lumturi kudo, veçanërisht në ambientin familjar. Japin shumë dashuri, mbajnë dhimbje, qëndrojnë të heshtura atëherë kur duhet. Janë të zgjuara dhe dinë si të veprojnë në momente të vështira. Fjalët i përdorin me shumë zgjuarsi për të t‘u bërë ballë situatave të vështira. Vëllezërit thonë një fjalë për motrat: "shkulin zemrën për t‘i bërë ato të lumtur".

Studiuesit i kanë kërkuar një grupi 25-vjeçarësh të tregonin historitë e tyre duke analizuar disa aspekte të karakterit, mes tyre gjendjen e optimizmit dhe praninë e ndonjë çrregullimi në personalitet. Nga eksperimenti u vu re se ata djem që ishin rritur me një motër, dinin të shprehnin më mirë atë që kishin brenda. Kishin krijuar raporte më të mira dhe më të qeta me prindërit, sepse në shtëpi femrat bëjnë që gjërat të shkojnë vaj, largojnë tensionin në shtëpi. I sheshojnë momentet e tensionuara dhe të vështira. "Motrat favorizojnë komunikimin e mirë dhe kohezionin", shpjegon psikologu Tony Cassidy, përgjegjësi i studimit. "Këto elemente janë shumë të rëndësishme në momente dhimbjeje dhe ankthi, konkretisht kur prindërit divorcohen". Vajzat përdorin fjalët për të rregulluar çdo situatë.

Meshkujt e mbyllur ishin më të heshtur. "Kur janë në një shoqëri të madhe nuk thonë asnjë fjalë, qëndrojnë të mënjanuar për të mos i parë njeri", thotë psikologu. Ndoshta janë shumë maskilistë, por duket se janë më pak të tërhequr për të treguar gjërat e tyre. Shkencëtarët irlandezë thonë se heshtja mashkullore ka nevojë të ndërpritet. Duke qëndruar gjithmonë të heshtur dhe të rezervuar, qëkur janë fëmijë e derisa rriten, e kanë shumë të vështirë të integrohen në shoqëri, të shprehin lirshëm mendimet e tyre, dhe të mos mendojnë se po paragjykohen nga të gjithë. Shkencëtarët u këshillojnë gjithashtu familjeve që kanë vetëm fëmijë meshkuj në shtëpi, të sjellin medoemos në jetë "fuqinë rozë".

Në formimin e meshkujve ndikon gjithashtu kultura, ambienti, shoqëria. "Djemtë po ndryshojnë shumë në krahasim me të kaluarën. Duke u mësuar të mbajnë gjithçka brenda, krijojnë si pa e kuptuar një hendek të madh me botën e jashtme. Nuk kanë turp të qajnë dhe në shumë raste nuk kanë aftësi verbale për të shprehur atë që ndiejnë". Vëllezërit i dinë detyrat e tyre që kanë ndaj motrave: "I marrin motrat me vete kur dalin, i shoqërojnë nëpër evenimente të ndryshme sociale".

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama