Kur nenat ndihmojne bizneset

Kur nënat ndihmojnë bizneset

Vajza me një CV që nuk ka të sharë, me një master në Perëndim, me një njohje perfekte të gjuhëve të huaja, paraqitet në një takim pune: "Ajo është e zonja, por është e re. Më vonë do të krijojë familje dhe do të sjellë fëmijë në jetë". E ndërsa vajza që ka përfunduar Inxhinieri shkëlqyeshëm, mendon se mund të bëjë gjithçka veçse të ndryshojë seksin, shefi i personelit heq emrin e saj nga lista dhe vazhdon me tjetrin. Sa keq, do të kishte qenë perfekte, por një mashkull është më i sigurt, sepse të paktën nuk ka të bëjë fare me atë çka kompanitë u tremben më shumë: periudhën e mëmësisë.

Rruga e grave drejt "pushtimit" të botës së punës deri tani gjithmonë është penguar nga këta faktorë: shtatzënia, fëmijët, mungesat dhe mbi të gjitha kostot që kjo sjell për kompaninë. Por një studim i bërë nga Universiteti i Bocconit në Itali nxjerr në dritë të tjera fakte: "Janë vetëm paragjykime që duhen luftuar", thotë Simona Cuomo e Observatorit për "Diversity managment". "Mëmësia nuk është një barrë, është një mundësi", shton Alessandra Casarico, profesoreshë e shkencave të financës. "Mëmësia ndikon vetëm 0.23 për qind në kostot e personelit të një kompanie", thotë një profesore e administrimit të burimeve.

Një kërkim i bërë nga një prej universiteteve më të mira ekonomike, "Bocconi" ka vendosur t‘i përgjigjet një prej pyetjeve më të rëndësishme: sa i kushton një kompanie shtatzënia e një gruaje. Dhe përgjigjja është: pak më shumë se asgjë. Për më tepër thekson se mëmësia për kompanitë mund të jetë një benefit më tepër sesa një kosto. Kërkimi ka pyetur përgjegjës të burimeve njerëzore, shefa, nëna që punojnë dhe ka arritur në përfundimin se duhen bërë llogaritë me tre stereotipa, të përgënjeshtruar nga realiteti. I pari është se nuk është e vërtetë që në Europë legjislacioni për mëmësinë është ndër më "bujarët".

I dyti është se nuk është e vërtetë se sa më shumë të punojnë gratë aq më pak fëmijë bëjnë, përkundrazi vendet që kanë një numër shumë të lartë femrash në tregun e punës, janë më pjelloret. I treti është se kostoja "e gjallë" e lindjes së fëmijës prej gruas është shumë e kufizuar. Përfundimi pra është se nuk duhet të kemi frikë të punësojmë gra në ndërmarrje dhe se praktika të tilla si fleksibiliteti, part-time, përdorimi i kompjuterit në shtëpi, telepunësimi, synojnë vetëm të nxjerrin përfitime nga personeli femëror dhe të shfrytëzojë në maksimum kompetencat e tyre. Megjithatë, në botën e punës, mendimi negativ është se mallkimi i grave është ai i të bërit nëna. Pak rëndësi ka nëse bankat qendrore të vendeve europiane vlerësojnë se një rritje e numrit të femrave në punë do të thotë një rritje e GDP-së, apo se institute kërkimi si "Catalysr" apo "McKinsey" tregojnë se gratë kanë vlerë. D.m.th stili i tyre i drejtimit, administrimi i marrëdhënieve me njerëzit, parandalimi i konflikteve-i çon kompanitë drejt rezultateve më të mira.

Nëse në momentin e marrjes në punë shtatzënia dhe periudha e lejes së lindjes mbetet një nga shqetësimet kryesore të punëdhënësve, ky është një stereotip që duhet luftuar. "Duhet rrëzuar miti që është krijuar për gratë që lindin teksa punojnë. Kjo ide është fryt i kulturës së pamjaftueshme dhe paragjykimeve. Studimi ynë tregon se problemi nuk ekziston dhe se treguesit se sa ajo rëndon në koston e përgjithshme të kompanive është shumë e ulët. Dihet se sa kushton një fotokopje, një telefon, një dërgesë me postë, por askush më parë nuk kishe llogaritur se sa kushton një mama", thotë drejtuesja e këtij kërkimi gjigant, Cuomo. Në disa vende të Europës, periudha e mëmësisë shihet si parajsë për femrat. Për shembull në Danimarkë është e mundur të qëndrosh në shtëpi për gjashtë muaj dhe të paguhesh 100 për qind nga kompania ku ti punon, ndërsa në Norvegji ky numër mund të shkojë në dhjetë. Të kufizosh kostot e mëmësisë në universin femëror redukton mundësitë e "rritjes" së vendit. "Gratë kanë talente që duhen shfrytëzuar dhe të vendosësh t‘i nxjerrësh jashtë kompanisë vetëm sepse në një të ardhme do të bëhen nëna do të thotë të heqësh dorë prej kompetencave të tyre".

Chiara Paolino ka llogaritur koston e mëmësisë dhe tregon se: "është një kosto qesharake. Një kuotë që korrespondon me 0.23 për qind të kostove direkte dhe indirekte të personelit. Për më tepër, ajo që kushton vërtet është kostoja që rrjedh nga administrimi i pasigurisë dhe riorganizimi i punës nga pjesa tjetër e punonjësve". Por siç shihet këto janë variable që më shumë sesa me pagesën kanë të bëjnë me organizimin e punës. "Gruaja kur rikthehet në punë kthehet si një burim më i pasur, më efecient, më produktiv, nëse nëpër kompani do të kalonte ky mendim pozitiv do të çonte në një pasurim të përgjithshëm. "Të gjesh një zgjidhje pozitive për binomin nënë-punë nuk është vetëm një temë përgjegjësie sociale, por edhe për zhvillimin e kompanive", tregon Chiara Bisconti, përgjegjëse e burimeve njerëzore të San-Pellegrino-Nestle, edhe ajo nënë e tre fëmijëve".

"Ne kemi vendosur një sërë rregullash që synojnë të bashkojnë nevojat e kompanisë dhe ato të grave: rezultati është pozitiv, sepse për shembull gratë që kërkojnë të punojnë part-time arrijnë ta bëjnë në gjashtë orë atë që normalisht bëhet për tetë, me rezultatin e kursimit dhe shkurtimit të kostos". Ja disa histori nga "gratë" e ndërmarrjeve. M.C sapo është kthyer në punë pas lindjes së një fëmije. Deri në vitin 2005 ishte një menaxhere e re në karrierë me një buxhet të rëndësishëm për t‘u administruar dhe një skuadër prej tetë punëtorësh. Tani, në moshën 38-vjeçare me tre fëmijë dhe dëshirën për të vazhduar atje ku e la, është në një pozicion që nuk ka më një zyrë dhe as një rol të caktuar. "Më trajtojnë sikur të mos ekzistoja, por kjo është një padrejtësi që nuk mund të kalohet kollaj.

Më duket i tmerrshëm ky mentalitet ku të tjerët të imponojnë të zgjedhësh mes të qenit nënë dhe karrierës". R.S, menaxhere në një kompani mediatike, iu desh të kërkonte një punë të re: "Pengesa nuk ishte familja ime, ishin shefat që vendosën për mua. Sipas tyre meqë isha bërë nënë nuk mund të isha më një shefe e besueshme". 82 për qind e grave tregojnë se të qenit nënë i pengon në ambiciet e tyre për të bërë karrierë. Por situata tani po ndryshon. Shumë kompani po mundohen të krijojnë rregulla të reja për nënat: orare më të përshtatshme dhe rrogë më të mirë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama