Kur njeriu te kolonizoje Marsin

Kur njeriu të kolonizojë Marsin
Shtimi i popullsisë botërore është një tendencë tashmë dhe nëse shekullin e kaluar emigracioni ishte pjesë e zgjidhjes së halleve të njerëzimit, atëherë me shtimin e popullsisë dhe me pakësimin e mundësisë së ofruar nga vende të ndryshme për të pranuar emigrantët, duket se njerëzve të Tokës do t‘u duhet që t‘i kthejnë sytë nga qielli, dhe jo në kuptimin e figurshëm të kësaj fjale. Pra, do t‘u duhet që të gjejnë një tjetër planet. Me këtë ide në mendje amerikanët sapo kanë lançuar raketën e tyre të fundit në hapësirë, "Ares 1", e cila në një fazë të mëvonshme do të jetë e aftë që të dërgojë në Hënë një ekuipazh prej 4 personash. Nuk duket ndonjë gjë e madhe në vetvete, por bëhet fjalë vetëm për një fillim. Ndërkaq, edhe shtete të tjera mes të cilave Kina dhe India po planifikojnë misione të tilla eksploruese dhe hulumtuese në kozmosin e afërt. Ideja e lëvizjes së qenies njerëzore në hapësirë, nuk është më një utopi apo thjesht fantashkencë, siç ka qenë në dhjetëvjeçarët e mëparshëm.

Pyetja e madhe dhe e rëndësishme është: a ka ardhur koha që të rrokim qiejt dhe si do të ishin udhëtime të tilla? Specia jonë ka evoluar dhe jeton në sipërfaqen e planetit tonë të vogël që ndodhet rreth 93 milionë kilometra larg diellit. Fatkeqësisht, me sa dihet, pjesa më e madhe e planetëve të sistemit tonë diellor janë në formë gazi të ngrirë dhe vetëm disa syresh janë shkëmborë e të ngjashëm me Tokën tonë. Planeti më pranë diellit është Mërkuri, një planet i vogël dhe tepër i ftohtë. Në fakt, ideja e kolonizimit të Mërkurit për shkak të kushteve të tij aspak të përshtatshme është shumë më utopike se të themi ideja e kolonizimit të Venusit.

Por edhe ai ka problemet e veta. Shtypja këtu është shumë e madhe e nëse do t‘ia dilnim t‘i mbijetonim kësaj, atëherë temperaturat e sipërfaqes do të na piqnin për së gjalli. Krijimi i një ambienti jete në Venus do të përbënte një sfidë kolosale dhe pjesa më e madhe e shkencëtarëve e kanë përjashtuar edhe mundësinë e një kolonizimi të mundshëm të këtij planeti. Kjo na lë me një vendim shumë të vështirë për t‘u marrë. A duhet të vazhdojmë përpjekjen për të kolonizuar Hënën tonë, apo Marsin? Para se të përfshihemi nga entuziazmi duhet të kemi të qartë se Hëna ka një sipërfaqe tokësore sa kontinenti afrikan, ndërsa Marsi është thuajse sa Toka jonë. Edhe nëse do të supozonim kolonizimin e Hënës, ajo brenda një periudhe 10-vjeçare do të ezaurohej dhe të do të mbipopullohej.

Për më tepër që jeta në Hënë nuk do të ishte fort e këndshme, pasi graviteti në Hënë është sa një e gjashta e asaj në Tokë. Pastaj Hëna ka një cikël ditë-nate prej 4 javësh, që do të thotë se një natë zgjat sa 14 ditë tokësore. Duke qenë se pjesa më e madhe e planeve për kolonizimin e planetëve bazohet në energjinë diellore çështja e natës së gjatë përbën një problem shumë të madh. E vetmja gjë e mirë për Hënën është se nëse gjërat nuk shkojnë mirë, mund të mbërrish në Tokë për rreth një javë. Mbetet Marsi, që është edhe planeti më i mundshëm për të realizuar ëndrrën e kolonizimit, por fazat e para të kësaj ndërmarrjeje jashtëzakonisht të madhe do të jenë shumë shumë të vështira. Ekspedita e parë me njerëz në Mars zgjat rreth 6 muaj dhe kthimi gjithashtu do të zgjasë po kaq për të mos folur për javët, të cilat ekuipazhi do të duhet të kalojë patjetër në sipërfaqen e Marsit për të bërë logjistikën e duhur.

Në rastin e udhëtimeve të gjata në gravitetin zero, një nga problemet më të mëdha me të cilat përballet trupi i njeriut është ai i osteoporozës. Atëherë del se graviteti duhet të stimulohet në anijet kozmike për të krijuar kushtet e Tokës, por kjo është diçka që duhet të bëhet me rotacion, sepse graviteti i përhershëm është një luks ende i paarritshëm. Për të mos folur pastaj edhe për tensionet seksuale mes anëtarëve të ekuipazhit ndaj ka të ngjarë që anëtarët e ekspeditës së parë të jenë të gjithë meshkuj. Nëse anija kozmike do të mbërrinte në planet dhe befas do të gjendej në një stuhi rëre atëherë kjo do të ishte një situatë e vështirë. Marsi shquhet për stuhi të tilla që zgjasin një përjetësi. Por Marsi është një planet i madh.

Dita dhe nata kanë thuajse të njëjtën kohëzgjatje si edhe Toka, por ndërkaq ka edhe një sërë problemesh të tjera duke filluar nga energjia e deri tek ushqimi e përballimi i streseve. Nuk duket se në sipërfaqe të planetit ka sasi të mëdha uji, por në pole ka sasi shumë të mëdha akulli. Aktualisht, ëndrrat për kolonizimin e planetëve, por edhe planet konkrete të kësaj ndërmarrjeje të jashtëzakonshme janë të mëdha, megjithatë bëhet fjalë për ndërmarrje jo shumë të afërta dhe ndërkaq, nga hulumtimet e deritanishme vetëm një gjë është e qartë: se nëse një ditë do të niseshim në kërkim të "Amerikës" së hapësirës, vendi më i mirë për të kërkuar shpërnguljen është pa dyshim Marsi.



Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama