Kur stresi i oreve te gjata ne pune na plas ne duar

Kur stresi i oreve te gjata ne pune na 'plas' ne duar
Kur alarmi i orës së saj bie çdo ditë në orën 6 të mëngjesit, ajo çel sytë dhe para saj i dalin detyrat e panumërta që ka për të bërë gjatë ditës. Një axhendë e ngarkuar me takime pune dhe personale, që nis herët në mëngjes dhe përfundon në orët e vona të darkës, për të rifilluar sërish të nesërmen tjetër në të njëjtën orë. Është një kalvar i gjatë që përsëritet me rituale të përpikta dhe që përveçse i lodhshëm, shndërrohet edhe në një kalvar monoton me shumë pak ndryshime dhe risi.

Fillimisht çdo mëngjes ajo sheh mesazhet që mund t’i kenë ardhur në telefonin celular e më pas çohet menjëherë nga shtrati, kryen shërbesat e tualetit personal dhe kap trenin e orës 7 që do ta çojë për 90 minuta në kompaninë e marrëdhënieve me publikun në të cilën punon. Por një mëngjes, Sani nuk mundi më. Pas gjashtë vitesh pune të pandërprerë nga mëngjesi deri në darkë, duke neglizhuar tërësisht veten e saj, dhe pas sinjaleve të njëpasnjëshme të shëndetit, duket se ky i fundit kishte reaguar. Ajo kishte hequr dorë nga dietat, nga kujdesi për veten, nga kujdesi për miqësitë dhe peri i hollë u këput. Shpirti i ishte lodhur.

“Unë u çova, çela sytë dhe ndjeva se koka më ishte bërë më e rëndë se zakonisht dhe nuk kisha fuqi që ta çoja nga jastëku. Isha tërësisht e mpirë dhe e paaftë për të komanduar trupin tim”, - thotë Sani, 31 vjeç. “Kisha mbijetuar në një atmosferë mbytëse dhe shtrënguese stresi të jashtëzakonshëm nga oraret dhe punët për një kohë shumë të gjatë pa u ankuar, vetëm duke ecur përpara si një makinë në çdo ditë të re dhe tashmë kisha pësuar kolaps. Javët e fundit para se të ‘shkërmoqesha’ kisha filluar që të ndieja ankth dhe një ndjesi paniku të brendshëm. Kisha vështirësi të mëdha në përqendrim, refuzoja ushqimin dhe jetoja vetëm me verë, patatina, ndonjë makaron kur shkoja në darkë në shtëpi. Për një kohë të gjatë nuk kisha futur në gojë asnjë lloj ushqimi tjetër. Si rezultat, nisa që të fryhem dhe shëndoshem me shpejtësi, dhe e gjitha kjo për shkak të stresit që tashmë më kishte dalë jashtë kontrollit. Gjithmonë e kisha lëvduar veten si të aftë për të përballuar të gjitha llopjet e stresit para të cilave më kishin vënë situatat e punës dhe ato të jetës personale, por atë mëngjes, kur isha plotësisht e mpirë, diçka kishte ndryshuar dhe ishte shkatërruar brenda meje. Për herë të parë vendosa që të mbyllja telefonin celular në mënyrë që askush të mos mund të më arrinte”, - rrëfen Sani për situatën e saj të kolapsit.

Atë mëngjes, gjithsesi, ia doli që të çohej me sforco nga krevati, të vishte ato rroba që i dolën përpara dhe pa asnjë lloj grimi në fytyrë të merrte sërish rrugën e punës. Por këtë herë nuk shkoi aty për të kërkuar ndjesë për vonesën dhe për të vazhduar me orë të tejzgjatura, por për të takuar shefen dhe për t’i thënë se ajo nuk do të vinte më në punë dhe se do të largohej që atë ditë. “Shefja nuk bëri debat për vendimin që kisha marrë dhe unë nuk derdha lot ndërsa isha duke i paraqitur kërkesën time të pakthyeshme, por nga vështrimi që më hodhi mora vesh se e kuptonte tërësisht situatën time”, - vazhdon Sani. Rasti i saj, ose më mirë, situata në të cilën ajo u ndodh befas një mëngjes të bukur nuk është aspak një rast i veçuar dhe një situatë e rrallë. Sipas një studimi që është publikuar këtë javë në një revistë shkencore britanike, ata që punojnë më shumë se tetë orë në ditë për gjashtë ditë në javë kanë më shumë prirje që të vuajnë nga sindroma e quajtur “stresi ekstrem”. Nuk ka asnjë çudi që ata që punojnë përtej kufijve janë tërë kohës në prag të rrënimit shpirtëror, në prag të kolapsit mendor dhe fizik. Dhe bëhet fjalë për një numër gjithnjë e më të madh njerëzish që i janë nënshtruar mënyrave të tilla të jetesës.

Nuk bëhet fjalë vetëm për perfeksionistët apo ata që janë shndërruar në maniakë pas punës, por për një numër gjithnjë e më të madh njerëzish. Është një fenomen që po bëhet gjithnjë e më problematik, veçanërisht në kohët e krizës ekonomike, një kohë kur bëhen shkurtime të mëdha e nëse nuk punon me orë shtesë, mund ta gjesh veten shumë shpejt jashtë dere. Pra, është frika nga mbetja pa punë që i bën shumë njerëz të punojnë fort dhe të jenë në rrezik kolapsi mendor dhe fizik. Një nga rezultatet e tjera të studimit është se gratë janë ato që vuajnë më shumë nga një ngarkesë e tillë, sepse ndryshe nga meshkujt, ato kanë një tendencë më të madhe që t’i injorojnë nevojat e tyre. Të ngërthyera në një cikël në formën e një rrethi vicioz, ato përpiqen që të bëjnë më të mirën e tyre, por nuk e kuptojnë se duke vepruar kështu shkojnë drejt një fundi të dëshpëruar. Sipas specialistëve, sindroma e stresit të lartë ose e “djegies” është një sindromë që ka të bëjë me një çrregullim të shpresës. Ajo e than jetën nga faktori shpresë dhe zakonisht zapton ata që janë më punëtorët.

Duke punuar në mënyrë të pafundme dhe duke injoruar nevojat elementare për një kohë të gjatë, humbet motivimin dhe vitalitetin. Befas vjen një moment kur e kupton që nuk mund të vazhdosh në këtë drejtim për asnjë sekondë më shumë dhe se ndjen të urresh jetën tënde. Rreziku për gratë është se ato nuk e kuptojnë se një moment i tillë fatal është duke iu afruar. Ato injorojnë tërësisht dhe në mënyrë të vazhdueshme të gjitha sinjalet e trupit dhe të shpirtit që u vijnë për një kohë të gjatë dhe kur ndodh kolapsi, gjenden të papërgatitura dhe madje edhe të habitura. Elena është një 43-vjeçare që përfundoi në një klinikë private mendore pas një krize të rëndë që pati gjatë punës. Ajo punonte si financiere në një bankë dhe siç ndodh shpesh në raste të tilla, ishte personi i fundit që nuk po e kuptonte se çfarë po ndodhte me jetën e saj. “Njerëzit që kisha rrotull e kishin vënë re se çfarë po ndodhte me mua, por unë jo. Unë kisha shumë ankthe në kohët para shpërthimit të krizës. Kisha frikë se mos humbisja vendin e punës, karrierën e si pasojë edhe shtëpinë, që e kisha me kredi. Në një situatë të tillë stresi të vazhdueshëm, befas ndjeva se nuk doja që të isha më gjallë, por nuk po gjeja asnjë lloj rrugëzgjidhje për situatën time. Ishte si të fiksohesha në një humbëtirë që nuk më thoshte asgjë”, - thotë 43-vjeçarja për ndjesitë dhe eksperiencën e saj. Në një sondash të fundit që është bërë në Britaninë e Madhe, një në tri gra kanë deklaruar se ndiheshin keq dhe në të njëjtën situatë për shkak të punës dhe orareve të zgjatura të kaluara në të. Por nga ana tjetër, doli edhe një numër shumë i madh grash, veçanërisht ato të cilat nuk e kishin çuar kurrë ndër mend që të bënin ndonjë pushim apo të ulnin ritmin e punës dhe të tjera të cilat kishin filluar që të merrnin ilaçe, por pa u thënë për këtë asgjë familjarëve të tyre, madje as partnerëve përkatës. Fakt është se edhe pse shenjat e lodhjes së tejskajshme mund t’i ngjajnë deri diku depresionit, ato ndryshe nga depresioni nuk mund të kurohen me të njëjtat ilaçe, madje nuk kurohen fare me ilaçe dhe është gabimi më i madh që të nisësh të pish ilaçe kur nuk e ke të nevojshme. Në një rast të tillë, thjesht duhet ndërruar mënyra e jetesës. Për njerëzit zakonisht problemi lind atëherë kur ata e kuptojnë se stresohen me çdo gjë që bëjnë, por është shumë e rëndësishme që në këtë pikë të dallohet stresi negativ nga ai pozitiv. Një stres negativ të çon në atë pikë që ti të mos mund të funksionosh më. Është fakt që produktiviteti rritet me rritjen e stresit, por deri në një farë pike, sepse kur kalohet masa, atëherë stresi të bllokon dhe të dëmton.

E vetmja këshillë që një mjek apo një psikolog i mirë do t’u jepte në një rast të tillë, është që ndryshonit menjëherë mënyrën e jetesës, të shkarkonit ngarkesën dhe barrën e madhe që keni një kohë të gjatë që mbani mbi supe dhe të nisni të shihni horizonte të reja.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama