Keqkuptime dhe konflikte
Dihet shumë mirë që përrallat, në mënyrë shumë simbolike dhe imagjinare, zbulojnë misteret e ndjenjave humane: prania e shumë njerkave ka një domethënie të madhe nga ç‘duket dhe ato përfaqësojnë pjesën e errët të raportit që ekziston mes nënës dhe vajzës. Nëna, natyrisht, ndjenjën se vajza është pjesë e saj, mund ta ekzagjerojë dhe ta bëjë të përdorshëm për qëllimin e epërsisë personale. Pastaj mund të përpiqet që vajza të jetë e varur plotësisht nga ajo dhe t‘ia zotërojë jetën, që të jetë e lidhur gjithmonë me atë.
Është shumë e vështirë që t‘i bashkosh fjalës "nënë" emocione që nuk janë të sigurta. Ndodh që shpeshherë mes nënave dhe vajzave
të lindin prapaskena, keqkuptime të ndryshme, e pashmangshmërisht edhe konflikte.
Nëse meshkujt zakonisht ndihen të dëshiruar nga nënat e tyre dhe gjithë jetën japin e marrin një dashuri pakufi, me vajzat ndodh e kundërta: ato kanë një raport më të ndërlikuar me nënat. Djalit nëna mund t‘i falë dashuri pamasë, pasi ai ndryshon nga ajo. Me vajzën ndodh e njëjta gjë që ka ndodhur edhe me nënën: koha kalon dhe vajza rritet, nëna e njeh dhe e ndjek hap pas hapi çdo fazë të zhvillimit të saj. Nëse një grua e do veten, atëherë asgjë nuk mund ta ndalojë që t‘i transmetojë të bijës një identitet pozitiv.
Në të kundërt, nëse nëna nuk është e kënaqur me veten dhe atë që i ka ofruar jeta, kërkon tek e bija një shpagim dhe kompensim, duke pritur që vajza të rikuperojë gabimet e saj.
Dy identitete të përcaktuara më së miri
Për të plotësuar dëshirat e prindërve, vajza duhet të heqë dorë nga ëndrrat e saj dhe të krijojë një personalitet të fortë. Vetëm në këtë mënyrë do t‘u bënte qejfin prindërve, e në veçanti nënës, e cila gjithmonë dëshiron më të mirën për të.Duke arritur në një konkluzion të përgjithshëm të raportit nënë-bijë, nëna është pikërisht "rivalja" më e fortë e vajzës, sepse në fund të fundit është ajo që e komandon, vendos për gjithçka dhe në çdo moment dhe për çdo vendim që duhet të merret nëna ka miratimin e babait. Në këtë rrjet shumë të ndërlikuar emocionesh, ndërthuret dashuria mes nënës dhe vajzës dhe momenti më i vështirë është ai kur secila duhet të gjejë vetveten, pa pasur nevojë që të përzihen në interesat personale të njëra-tjetrës.
Frika e rritjes së shpejtë
Nënat janë gjithnjë të shqetësuara për vajzat e tyre dhe e dinë se sa shpejt rriten ato. Mjafton të kujtoni një shembull mjaft domethënës: "Jam shumë e tronditur nga shpejtësia me të cilën vajza ime 13 vjeçe është rritur, shprehet një nënë. Është njësoj si të ketë rënë për të fjetur dhe pastaj është ngritur grua. Pikërisht nga ky fakt që ajo ndihet e rritur, ka filluar të ketë një fjalor shumë vulgar, për të mos thënë rrugaçëror, të cilin nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë. E për të mos mjaftuar përdorimi i fjalëve të tilla, edhe në një bisedë normale është shumë agresive dhe prepotente. Dua të ndërhyj, por kam frikë se mos e përkeqësoj situatën", vijon më tej nëna që ndihet keq për sjelljen e vajzës së saj.
Sigurisht, në këto kushte, një nënë ndihet në pozitë të vështirë dhe detyra e saj është të reagojë me qetësi dhe kujdesin e duhur. Kjo sepse shpeshherë fëmijët bëjnë disa sjellje provokuese dhe shumë të çuditshme për të treguar rritjen e tyre, që nga njëra anë kjo gjë i kënaq dhe nga ana tjetër i tremb.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë që prindërit duhet të dorëzohen dhe të heqin dorë nga pozicioni i tyre. Për një nënë është shumë e rëndësishme që t‘i bëjë të ditur vajzës që po gabon dhe se vetë nëna është e shqetësuar nga vulgariteti i saj. Nuk duhet të mendohet kurrë për një censurë. Në të kundërt ndihma do të ishte e panevojshme për ta risjellë vajzën në rrugën e duhur.
Gazeta Shqip