Sëmundjet e veshit
Në sëmundjet e veshit marrin pjesë edhe shumë faktorë të tjerë, që bëjnë pjesë në këtë sëmundje të këtij organi, si dylli në vësh, furunkula në kanalin e jashtëm të veshit, çarja e daulles së veshit, otiti i jashtëm dhe ai i huaj, sëmundja e minierit dhe shurdhimi. Grumbullimi i sekrecioneve të dyllit në kanalin e jashtëm të veshit mund të japë një dhembje të lehtë, ndjenjë kruajtjeje, në disa raste marrje mëndsh dhe ulje të dëgjimit ose shurdhim të menjëhershëm, si rezultat i mbylljes së kanalit. Kjo diagnozë mjekohet vetëm duke bërë larje të kanalit të veshit, duke përdorur lavazh me ujë të vakët në temperaturën 37 gradë. Kurse furunkulat ose absceset në kanalin e jashtëm të veshit japin gjithmonë dhembje të forta dhe të padurueshme.
Druri i caracit
Një mjekim shumë i mirë, që ka dhënë rezultate të shkëlqyera për qetësimin e dhembjeve në vësh, është lëngu që përftohet nga druri i caracit. Për të përftuar këtë lëng këshillohet druri i njomë i tij. Drurin futeni në zjarr dhe do të vëreni se do të lëshojë lëng në fund të tij. Lëngun që del nga fundi i drurit e hidhni në një filxhan. Këtë lëng e përzieni me një sasi të barabartë me lëng preshi. Nga kjo përzierje hidhen në veshin e sëmurë tri pika. Ky mjekim vazhdon 3 deri 4 ditë. Edhe fruti i mollës është shumë i mirë për të lehtësuar dhembjet në vësh. Një kokërr mollë e ëmbël piqet në prush dhe pasi pastrohet shtypet derisa të bëhet në trajtë pureje, pastaj e shtrydhim në një kullesë. Lëngu që përftohet hidhet në një shishe dhe mbahet në frigorifer. Gjatë dhembjeve të veshit hidhen tri pika në veshin e sëmurë.
Lëngu i rrepës
Një tjetër mjekim, që shërben për të pakësuar dhembjet, është edhe lëngu i rrepës dhe i çikores. Ky lëng hidhet në veshin e sëmurë nga dy pika. Në rast nevojë, mjekimi mund të vazhdojë për katër ditë me nga dy pika në ditë. Për shkak të vetive të saj dezinfektuese, edhe hudhra rekomandohet për shërimin e dhembjes së veshit. Për këtë qëllim merren tre thelpinj hudhre dhe shtypen mirë. Më pas hidhen në një tigan, ku më parë është hedhur gjysmë filxhani me vaj ulliri. Lihen për tri minuta dhe më pas kjo masë kullohet dhe hidhet në një shishe të vogël dhe përdoret sa herë që i sëmuri ndjen dhimbje. Rekomandohet që i sëmuri të hedhë vetëm tri pika nga kjo masë. Gjatë përdorimit, kjo përzierje duhet të jetë e vakët, pasi jep efekt të menjëhershëm te i sëmuri. Në rast nevojë, ky mjekim përsëritet dy deri tri herë. Hudhra mund të përdoret edhe me tëmthin e berrit dhe prej këtij ilaçi hidhen dy deri tri pika në vësh.
Veza e pjekur
Një tjetër kurë, që rekomandojnë mjekët popullorë, është edhe veza. Përveçse një ushqim me mjaft vitamina, veza shërben edhe në shërimin e dhembjeve të veshit. Pas zierjes së katër kokrrave vezë merret vetëm e verdha, e cila skuqet mirë në tigan derisa të lëshojë vaj. Këtë vaj e hedhim pika-pika në vësh kur kemi dhembje. Është vërtetuar se efektet që ajo jep janë të menjëhershme. Kjo kurë mund të përdoret edhe në rastet kur në vesh ka zhurma, pra kur dëgjimi është i zhurmshëm. Një mënyrë tjetër për të qetësuar dhembjet është edhe uthulla. Rreth 500 mililitra uthull vihet të zihet dhe mbi avujt e saj gjatë zierjes vendosim veshin që dhemb. Për të ndalur dhimbjen mjafton të përdoret çdonjëra nga kurat e mësipërme dhe gjithçka do të jetë më e lehtë.
Këshilla për të shmangur pezmatimin e veshit
- Mbrojtja plotësisht e fëmijës ndaj pezmatimit të veshit është e vështirë, por ekzistojnë disa mënyra për të ulur rrezikun.
- Një fëmijë që kapet shpesh nga pezmatimi i veshit mund të ndihët më mirë duke mos qenë në një grup të madh në kopsht.
- Është mirë nëse fëmijët në kopsht rrinë shpesh jashtë, pasi përhapja e infeksionit rritet në grupe të mëdha fëmijësh që rrinë në mjedise të mbyllura.
- Për parandalimin e sëmundjes së veshit duhet mbajtur një higjienë sistematike e tij.
- Të shmangen qëndrimet në ambientet ku ka shumë zhurma, pasi ato çojnë në dëmtimin e daulles së veshit.
- Duhet pasur kujdes të mos kruhet veshi me mjetë të mprehta, që e dëmtojnë.
- Vërsa kohë që veshi është i sëmurë, duhet të shmanget kontakti me ujin.
- Kur i sëmuri ndien dhembje të forta dhe të padurueshme, duhet të konsultohet menjëherë me mjekun.
- Tri pika lëng, i përftuar nga druri i caracit dhe lëngut të preshit hidhen në vesh për të qetësuar dhembjen.
- Katër të verdha vezësh përdoren për nxjerrjen e vajit, që do të shërbejë për lehtësimin e dhembjeve.
- 37 gradë duhet të jetë nxehtësia e ujit me të cilin do t’i bëhet lavazh veshit të sëmurë.