Kuratori Alban Hajdinaj Abstraksionizmi i Genti Korinit si ritakim me te panjohuren

Kuratori Alban Hajdinaj: Abstraksionizmi i Genti Korinit, si ritakim me te panjohuren
“Kjo pikturë nuk vjen si rezultat i ndonjë frustrimi, pengu, fiksimi apo kompleksi. Ajo vjen si një përvojë piktorike personale që është pjekur në qetësi e duke marrë gjithë kohën që i është dashur për ta bërë një gjë të tillë”

Ai është gjashtë herë pjesëmarrës në konkursin kombëtar të artit pamor “Onufri”. Në vitin 2010 vlerësohet me çmimin e dytë të “Onufrit” me diptikun “Buka e artë dhe Pastro Pastërtinë”. Pedagogu i Akademisë së Arteve, Genti Korini është gjithashtu dhe pjesëmarrës në shumë ekspozita ndërkombëtare, por për herë të parë çel një ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Titulluar “Struktura kalimtare” Korini prezantohet para publikut me një cikël pikturash abstrakte.

“Piktura e Korinit vjen në një terren tjetër (joperëndimor), në një terren ku individualizmi nuk e ka, të paktën ende, një histori të vetën, dhe kjo tingëllon si një fatkeqësi për kulturën tonë. Abstraksionizmi i Korinit këtu vjen sa si një ritakim, po aq edhe si një prezantim me një të panjohur”, – thotë për të kuratori i ekspozitës, Alban Hajdinaj. Punët e tij udhëhiqen nga koncepte moderne, por që sipas Hajdinajt, është një stil krejt tjetër nga ajo që u servir si pikturë moderniste shqiptare në vitet 1992-2000.

“Piktura moderniste shqiptare e viteve 1992-2000 ishte një lloj mode e ndjekur, një lloj trendi që kaloi shpejt, e si i tillë duket se nuk la gjurmë të forta në historinë e artit të këtij vendi, pasi nuk la kohë të tretej nga një brez i caktuar njerëzish, çka ndoshta do të mund ta bënte atë një kulturë reale për këtë vend. Piktura e Korinit është diçka tjetër nga ajo. Kjo pikturë nuk vjen si rezultat i ndonjë frustrimi, pengu, fiksimi apo kompleksi.

Ajo vjen si një përvojë piktorike personale që është pjekur në qetësi e duke marrë gjithë kohën që i është dashur për ta bërë një gjë të tillë. Ndoshta koha dhe vendi kanë qenë kësaj radhe (si rrallëherë) më bujarë me piktorin duke iu ofruar”, – vlerëson Hajdinaj. Sipas tij, piktura e Korinit është një akumulim qasjesh piktorike abstrakte.

Para kësaj ekspozite të parë personale, veprat e Genti Korinit janë ekspozuar në galeritë më në zë të botës. Në vitin 2007 ai mori pjesë në ekspozitën “There Is No Place Like Home”, që u çel në kuadër të edicionit të 52-të të Bienales së Venecias. Si mjeshtër i portretit iu bashkëngjit grupit të artistëve shqiptarë që hapën ekspozitën “Portreti në artin shqiptar” në Pekin. Në vitin 2006 i hapen dyert në galerinë “Palma” në New Orleans në SHBA për ekspozitën personale “Realitete paralele”.

Veprat e tij janë vlerësuar nga kritika sidomos për qasjen e tij drejt abstraktes. “Ka raste kur përpara tablosë ke përshtypjen se ke të bësh me një peizazh të papërfunduar, diku të duket se ke të bësh me një lojë planesh ku pjesëza pikturash krejtësisht heterogjene për të përgjithshmen e kuadrit i mbivendosen një sfondi, apo plani të fundmë të tablosë duke dhënë përshtypjen e kolazheve.

të tjera tablo kemi vizatime e struktura më të sakta që krijojnë edhe objekte me forma gjeometrike, por që mbeten pa funksion të përcaktuar e madje më shumë shkatërrojnë sesa ndërtojnë një konkluzion mbi tablonë dhe imazhin që ajo prezanton. Pak nga pak, nga njëra tablo tek tjetra, shpaloset një kaos i mirëfilltë, i lëndësuar nga elemente në dukje të sakta gjeometrike.

Në një pjesë të pikturave kemi përshtypjen se kemi të bëjmë me ndërtimin e një bote abstrakte, që përbëhet nga elemente pothuajse objektive e konkrete. Duket sikur në disa raste piktura imiton një lloj konstruksioni metafizik por virtual, si ata që prodhojnë kompjuteri e teknologjia dixhitale”. Kështu e sheh punën e tij kuratori Alban Hajdinaj, i cili për këtë ekspozitë ka përzgjedhur ciklin e fundit të punëve të artistit Genti Korini. Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve deri më 23 mars.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama