Kuratori Voci Puna e Isufit ulte nivelin e pavijonit

Kuratori Voci: Puna e Isufit ulte nivelin e pavijonit
Për herë të parë, Shqipëria u prezantua në Bienalen e Arkitekturës në Venecia përmes një pavijoni, i cili falë bujarisë së UNESCO-s u hap në Palazzo Zorzi, ku ky institucion ka instaluar zyrat e saj. Dje, në një konferencë për shtyp, zv/ministri Abaz Hado, kuratori i pavijonit Ilir Voci dhe një grup arkitektësh pjesëmarrës prezantuan projektet me të cilat janë paraqitur në Venecia dhe bënë me dije suksesin që pavijoni shqiptar pati atje.

Duke qenë se restaurimi ishte thelbi i tematikës së Bienales, në pavijonin shqiptar u prezantuan projekte mbi rikonstruksionin e shtëpive tradicionale në Gjirokastër, të Kalasë së Beratit, të shtëpisë së Themistokli Gërmenjit në Korçë, Kalasë së Bashtovës, bulevardit të Tiranës, qendrës së Shkodrës, rijetësimit të tuneleve të Porto Palermos etj. Krahas arkitektëve, në katalogun e pavijonit figuronin edhe disa artistë si Maks Velo, Artan Shabani, Dritan Zeneli dhe Ardian Isufi, madje edhe harta e vendndodhjes së punëve të tyre. Sipas kuratorit Voci, arkitekti dhe piktori Maks Velo është paraqitur “me një tufë skicash, të qyteteve të ndryshme shqiptare, të realizuara në vite.

Ndërsa Artan Shabani u paraqit me një skulpturë në vetrorezinë, të titulluar “Homo Balcanicus”. Sipas konceptit tim kuratorial, kjo trashëgimi që u paraqit në Palazzo Zorzi, është kontribut i shqiptarëve si ky që Artan Shabani kishte paraqitur në punën e tij artistike”. Sa i përket projektit të artistit Ardian Isufi, kuratori Voci thotë se “nuk u ekspozua, sepse në momentin e fundit mendova se vepra e tij artistike ishte jashtë konceptit kuratorial të ekspozitës”. Me sa shpjegon vetë kuratori, fillimisht puna e Isufit i qëndronte mjaft mirë konceptit kuratorial. “Ne kishim një panel të veçantë të cilin e kemi titulluar “Trashëgimi industriale” dhe në qendër të këtij paneli kemi vënë dhe një rivitalizim. Në Kavajë ka ndodhur një rivitalizim i oxhakut të fabrikës së qelqit, duke u kthyer në minare. Këtë ne e kemi prezantuar atje. Dhe mendoj se këtu ishim brenda konceptit kuratorial të ekspozitës”. E megjithatë vetëm një ditë përpara se të hapej zyrtarisht pavijoni, stafi organizator kuptoi se puna e Isufit nuk ishte në lartësinë e duhur artistike.

“Ne menduam që maketi i prezantuar atje nuk ishte në nivelin e duhur artistik, në krahasim me nivelin e përgjithshëm. Ishte një konsultë e gjerë me të gjithë grupin e arkitektëve, që menduam, se kishim një bjerrje të nivelit artistik të ekspozitës dhe në këtë kontekst vendosëm të mos e prezantonim”, thotë Voci. I pyetur nëse i druheshin një debati të mundshëm mbi religjionin, duke qenë se do të prezantonin një minare në një vend katolik, Voci u përgjigj se kjo nuk kishte fare lidhje. “Fakti që ne e kemi vendosur në panelin tonë, do të thotë se nuk është çështje religjioni. Në kemi treguar se si një nga objektet e trashëgimisë sonë industriale është përshtatur në një minare. Në momentin që e kemi të prezantuar, do të thotë se nuk është çështje religjioni”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama