Tryeza të shtruara plot, një kafshë e bërë kurban, e ndarë për sevap në familjet e varfra, nuk mund të mos ishte pjesë e ritualeve të festës. Xhamitë e mbushura plot, lypsarë që kërkojnë lëmoshë në dyert e tyre, rrugë të mbushura me zhurmën e daulleve që bien pa pushim nga mëngjesi deri në mbrëmje.
Historia
Ashtu siç shkruhet edhe në islam, Ibrahimi në moshë madhore bëhet me fëmijë, ndaj të cilit besimtari kishte një angazhim dhe përkujdesje të veçantë. Një nga provat e Zotit e çon atë deri në sakrifikim të birit të tij, në emër të zotit. Por devotshmëria dhe besimi i Ibrahimit bënë që ta kalonte provën dhe në vend të të birit, ai të bënte kurban një qengj.
Kjo histori që tregohet dhe sot në çdo ditë Bajrami, është shembull i besimit, devotshmërisë, përkushtimit ndaj Zotit.
"Ne sot nuk na kërkohet një provë e tillë, ne sot na kërkohet t‘i edukojmë fëmijët, t‘i mësojmë ata dhe t‘i rrisim me frymën e dashurisë", tha imami i xhamisë Xhura në Tiranë, Gazmend Teqja.
Sipas tij, në këtë festë ku të gjithë kujtojnë historinë e Ibrahimit, dhe festojnë Kurban Bajramin, besimtarë edhe më të devotshëm organizojnë udhëtime për të shkuar në Mekë aty ku për vit mblidhen mijëra besimtarë nga e gjithë bota.
Pelegrinazhi
Këtë vit, rreth 500 besimtarë myslimanë shqiptarë kanë shkuar në Mekë për të kryer ritualet dhe ceremonitë e njohura nga besimi islam. "Kanë pasur për të bërë detyra, lëvizja mes dy kodrave, hedhja e gurëve, kurbani. Besimtarët qëndrojnë atje për 14 ditë, por jo gjatë gjithë kësaj periudhe kanë për të kryer rituale. Koha e vendosur në dispozicion është edhe për të vizituar qytetin", thotë Teqja. Sipas imamit të xhamisë Xhura, besimtarët që organizohen për të bërë haxhin, e organizojnë udhëzimin me shpenzimet e tyre. Menjëherë pas ardhjes nga Meka, sipas ritualit, besimtari merr "titullin" haxhi. Por, sipas besimtarëve është vetëm Zoti ai që vendos nëse është pranuar apo nuk është pranuar vepra. Ditët e haxhit janë gjashtë ditë, kjo simbolizon shkëputjen nga bota, shkëputjen nga hallet, puna e gjithçka tjetër dhe takimi me Zotin, falja e mëkateve.
"Me të shkuar atje, të gjithë heqin rrobat, zhvishen nga e përditshmja, veshin çarçafët e bardhë dhe falin mëkatet. Ndërkohë që hedhja me gurë është një tjetër ritual, është vendi ku Ibrahimit i shfaqet djalli dhe ai aty e gjuan me gurë. Secili nga ritualet e ka një simbolikë të veçantë", sqaron imami i xhamisë Xhura, Gazmend Teqja.
Bashkë me 500 pelegrinët shqiptarë që kanë kërkuar faljen në Mekë, besimtarët e tjerë shqiptarë janë mbledhur pranë familjeve të tyre për të festuar festën e Kurban Bajramit, duke falënderuar Zotin e duke i kërkuar begati, paqe, harmoni e shëndet.
Pelegrinët
Mbi dy milionë myslimanë nga e gjithë bota janë mbledhur dje në Mekë për të kryer pelegrinazhin e përvitshëm të haxhit. Myslimanët janë mbledhur në malin e Arafatit, vendi ku profeti Muhamed mbajti predikimin e tij të fundit.
Haxhi këtë vit u dëmtua nga shirat e rrëmbyeshëm që kanë përmbytur qytete dhe deri tani numërohen 77 të vdekur. Qyteti Jedah i Arabisë Saudite është goditur më shumë nga përmbytjet.
Sevapi
Sevapi duhet të shkojë aty ku duhet. Familjet e varfra, në gjendje të vështirë ekonomike, duhet të festojnë si të gjithë të tjerët. Për t‘i ardhur në ndihmë, besimtarët kontribuojnë duke u dhënë pjesë nga mishi që ata kanë bërë kurban, duke i ndihmuar me ushqime, me veshje apo edhe ndihma ekonomike.
Xhamitë kanë nga një arkë kursimesh, ku secili hedh para e më pas ato shpërndahen te familjet në nevojë. Dhënia e parave daullexhinjve apo lypsarëve nuk njihet si sevap, nëse paratë nuk përdoren për punë të mira.